Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim që të rris pagat për mësimdhënësit, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës Policinë e Kosovës, shërbyesit civil, zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit 30 për qind. Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi tha se do të ketë rritje pagash edhe për disa sektorë tjerë....
Postuar: 01:14:57 / 06.01.2011
Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e pagave. Duke filluar nga 1 janari mësimdhënësit parauniversitar dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do të marrin pagë në ngritje prej 50 për qind, Policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civil 30 për qind, zyrtarët doganorë 30 për qind, punëtorët shëndetësorë 30 për qind dhe zjarrfikësit 30 për qind. Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi tha se edhe minatorët do të kanë ngritje pagash në bazë të një memorandumi të nënshkruar më herët në mes tyre.
Kryeministri në detyrë Thaçi po ashtu ka premtuar se do të ketë rritje pagash edhe për sektorin e drejtësisë dhe rritje pensionesh menjëherë pasi të miratohet ligji për këtë sektor. Kreu i qeverisë Thaçi tha se këto asnjëherë nuk kishin qenë premtime elektorale.
Kryeministri Thaçi gjithashtu në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit tha se gjatë mandatit të tij të ardhshëm katërvjeçar do të ketë angazhim për një jetë më të mirë për të gjithë por edhe angazhimi për një Kosovë evropiane.
(Shaip Mustafa)
Krijoni Kontakt