-
Në kërkim të një fajtori për keqadministrimin e pushtetit lokal
Shkruar nga Mark Marku
Edi Rama, kryetari i opozitës shqiptare, e ka nisur fushatën e PS-së për zgjedhjet vendore me sloganin “Fajin e ka Saliu”. Nuk është e vështirë të kuptohet se ky slogan sintetizon strategjinë që kjo parti ka zgjedhur për fushatën e 8 Majit. Siç ishte parashikuar edhe para daljes së këtij slogani nga vëzhgues të ambientit politik shqiptar, kjo strategji synon që zgjedhjet për pushtetin vendor të marrin karakterin e zgjedhjeve të parakohshme politike, duke u shndërruar kështu në njëfarë referendumi që do të përcaktojë rrjedhën politike të pas zgjedhjeve.
Një strategji e tillë mund të kishte shanse për sukses, nëse vetë Edi Rama, kryetari PS-së, nuk do të ishte njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por ja që Edi Rama është njëherësh edhe i tillë dhe ka shumë mundësi të rikandidojë edhe për një mandat të katërt. Pasi të ketë bërë turin e Shqipërisë me sloganin “Fajin e ka Saliu”, atij do t’i duhet të kthehet në Tiranë dhe bëjë, mes të tjerash, edhe fushatën e vet. Kushdo që e njeh sadopak komunikimin e parashikon fare mirë se në këtë rast do të ndeshemi me një situatë tipike komunikimi paradoksal: kryebashkiaku që ka konsumuar tre mandate në krye të Bashkisë së Tiranës, të shfaqet para zgjedhësve të tij dhe në vend që të japë llogari për mënyrën sesi e ka administruar dhe sesi do ta administrojë pushtetin për të cilin është votuar dhe kërkohet të votohet nga qytetarët, t’u deklarojë këtyre qytetarëve “Fajin e ka Saliu”. “Fajin e ka Saliu” do të jetë e vetmja përgjigje për të gjitha shqetësimet dhe problemet që pushteti i stërzgjatur i Ramës u ka sjellë qytetarëve të Tiranës, që nga qarkullimi terrorizues e deri te betonizimi mbytës. Natyrisht Saliu do ta ketë fajin edhe për abuzimet dhe keqadministrimin e pushtetit lokal në Durrës, edhe në Elbasan, edhe në Korçë, edhe në Pogradec, Fier, apo qytete dhe komuna të tjera anembanë vendit, që administrohen nga socialistët.
Përveçse paradoksal, slogani i zgjedhur nga socialistët për fushatën e tyre është edhe paralajmërues. Qytetarët shqiptarë dhe sidomos qytetarët e Tiranës e kanë provuar mirë gjatë këtij mandati të pushtetit vendor në përfundim e sipër mungesën e plotë të përgjegjësisë për administrimin e kryeqytetit. Ata e kanë parë sesi bashkimi i mandatit të kryetarit të opozitës me atë të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit e kanë lënë qytetin kryesor të vendit pa një administrator të domosdoshëm si kryebashkiaku dhe kjo ka sjellë akumulimin e problemeve jashtëzakonisht të rënda për qytetarët. Një mandat tjetër katërvjeçar pa kryebashkiak do t’i përkeqësonte këto probleme dhe do t’i bënte ato gjithnjë e më shpërthyese. Nëse kryebashkiaku aktual Edi Rama fiton edhe një mandat të katërt, është e sigurt se ai të paktën deri në vitin 2013, vit kur do të mbahen zgjedhjet lokale, nuk do të ketë kohë të merret me administrimin e bashkisë, provë që tashmë e ka dhënë.
Një sindromë e tillë po përsëritet edhe në qytete të tjera të mëdha të vendit. Prej gati një muaj, drejtuesit e pushtetit lokal të Korçës po mundohen të “zgjidhin” një konflikt diplomatik që ka lindur prej deklaratave të papërgjegjshme të konsullit të shtetit grek në Korçë. Natyrisht marrja e një qëndrimi në këtë rast është normal, por me këtë ata nuk mund të mos japin llogari për faktin që nëpërmjet planeve urbanistike shkatërruese t’i heqin këtij qyteti pjesën e vet më tradicionale, pikërisht atë pjesë që e bën atë krejt karakteristik krahasuar me qytetet e tjera.
Slogani “Fajin e ka Saliu” shpreh pikërisht mungesën e përgjegjësisë në administrimin e pushtetit lokal. Mungesë përgjegjësie, pasi dihet shumë mirë që, me autonominë e madhe që ka fituar në vite ky pushtet, është shumë e vështirë që mosqeverisjen lokale nga ana e socialistëve t’ua shesësh qytetarëve si vepër të kryeministrit Berisha. Do të duhej që, në vend të kësaj papërgjegjësie, socialistët ta kishin një alternativë për qytetarët. Një alternativë politike lokale, një filozofi qeverisjeje lokale dhe natyrisht lider lokalë që do t’i bënin të realizueshme ato para qytetarëve, që herën tjetër fajin të mos e ketë sërish Saliu.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt