Mbetet në paraburgim i arrestuari shqiptar nga Uglari
Vazhdon të mbahet në paraburgim i arrestuari shqiptar nga Uglari, i cili është ndalur të shtunën lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit, Leutrim Musliut. Burime brenda Stacionit policor të Kosovës në Gjilan, kanë thënë se i arrestuari do të mbahet në paraburgim, deri në marrjen e rezultateve të ekspertizës balistike nga arma e cila është gjetur në shtëpinë e tij. Merret vesh se atij i është gjetur një pushkë gjuetie, ndërsa për ekspertizë është dërguar në Kroaci. Gjithashtu, ekspertiza janë duke u bërë edhe armëve të konfiskuara nga shtëpitë e njërit prej serbëve të arrestuar më herët, që më pas ishte liruar në mungesë provash. Deri më tani, për vrasjen e 14 vjeçarit, Leutrim Musliu, Policia e Kosovës kishte arrestuar e liruar dy serb nga fshati Pasjan, ndërsa në kërkim është edhe një serb tjetër nga fshati Pasjan me inicialet M.K. Leutrim Musliu, u vra më 5 mars, deri sa kishte shkuar me babanë e tij të marrë dru në mal.
KOHA Ditore
Krijoni Kontakt