
Postuar më parë nga
ARIANI_TB
Beson në pajtimin historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë08-03-2011 14:07 CET Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, beson në pajtimin historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet për çështje praktike, sipas saj, janë parakusht për integrimin e të dyja vendeve në BE.
E pyetur se çfarë përfiton Kosova nga këto bisedime, Tahiri në një intervistë për radion Deutsche Welle ka thënë se Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura që janë fqinje dhe që kanë pasur një konflikt, kanë nevojë të adresojnë çështjet që kanë mbetur pa zgjidhje.
“Kjo nuk ndodh vetëm në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Në botë ka shumë praktika të tilla. Interes ka për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat mbase mund ta bindin Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës”, vlerëson ajo.
Interes tjetër, sipas saj, është që për dialogun ka bërë thirrje faktori ndërkombëtar dhe ne me përgjigjen pozitive, “po përmbushim obligimet ndërkombëtare”.
“Po ashtu është me interes të theksohet, se Kosova si një shtet i ri, ka aspirata për integrimet evropiane dhe euroatlantike dhe në kuadër të standardeve për integrime është edhe standardi i fqinjësisë së mirë. Në kuadër të obligimeve për t’u integruar në BE, është edhe ky angazhim. Përfitimet e Kosovës do të jenë këto dhe unë shpresoj se dialogu do të jetë me rezultate”, ka thënë Tahiri.
E pyetur nëse si kryesuese e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, beson personalisht në pajtimin historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Tahiri ka thënë: “Gjithnjë kur mendoj për këtë temë që duket komplekse, mendoj se çfarë kanë bërë shtetet tjera, që kanë qenë në raporte armiqësore. Duke parë që në raste të tilla kanë përfunduar edhe me njohje të ndërsjella, kalim në fazën e fqinjësisë së mirë, siç është rasti i Gjermanisë dhe Francës, unë i besoj procesit”.
Megjithatë, sipas saj, kjo nuk vjen vetvetiu. “Duhet pasur vullnet nga pala e Serbisë, që të pranojë realitetin, se Kosova tashmë është një shtet i pavarur. Fundja është një proces që duhet kaluar sepse rigjeneron edhe familjen botërore. Pra kjo duhet parë pozitivisht edhe nga pala serbe si një proces i domosdoshëm dhe i pakthyeshëm”, ka thënë ajo.
Krijoni Kontakt