
Postuar më parë nga
Albo
Pafajësi për 21 janarin, tre argumentet e Gjykatës për gardistët
Leonard Bakillari
Tiranë Salla e mbushur me efektivë të Gardës shpërtheu në duartrokitje, kur gjyqtari shpalli të pafajshëm ish-komandantin Ndrea Prendi dhe downloadmajorin Agim Llupo. Pas 9 muajsh proces gjyqësor për tre vrasjet e 21 janarit, trupi gjykues i kryesuar nga Besnik Hoxha arriti në përfundimin se nuk provohet akuza e vrasjes me dashje, sikundër pretendonte Prokuroria. Për këtë arsye, dy zyrtarët e Gardës u shpallën të pafajshëm, duke u liruar nga çdo detyrim tjetër ligjor, sikundër ishin masat e sigurisë që gjykatat kishin caktuar më herët ndaj Prendit dhe Llupos. Tre gjykatësit u paraqitën me 30 minuta vonesë, në një nga sallat e Gjykatës së Tiranës, e tejmbushur nga gardistët dhe e braktisur nga familjarët e viktimave. Agim Llupo u shoqërua në kafazin e hekurt vetëm pak sekonda para se tre gjyqtarët: Besnik Hoxha, Ardiana Bere dhe Arjana Caco të futeshin në sallë. Pas urdhrit që të pranishmit të ngriheshin në këmbë, në sallën e gjyqit ra heshtja, ndërsa kryetari i trupit gjykues nisi të lexojë dispozitivin e vendimit, që pritet të zbardhet i plotë në ditët e ardhshme.
Vendimi i gjykatës
“Gjykata, gjatë hetimit gjyqësor dhe duke analizuar në mënyrë harmonike të gjitha provat dhe ligjin material dhe procedural, krijoi bindjen se akuza e prokurorisë ndaj të pandehurve për veprën penale të vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, nuk qëndron, për arsye se nuk u arrit të provoheshin të gjithë elementët e veprës penale, objekt akuze”- tha gjykatësi Besnik Hoxha. Ai vazhdoi leximin e vendimit të shkurtuar, duke u ndalur tek analiza ligjore e akuzës së prokurorisë. “Prokuroria pretendoi se të pandehurit kanë konsumuar veprën penale me dashje. Vepra penale e parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal, për të cilin janë akuzuar të pandehurit, kërkon domosdoshmërish elementin e dashjes direkte, pasi kjo vepër nuk mund të kryhet me dashje indirekte. Ky element i dashjes direkte, nga provat e paraqitura në gjykim, qartësisht nuk u provua se ekziston. Dhe në këto rrethana, nuk provohet akuza e prokurorisë në drejtim të të pandehurve për këtë vepër”-argumentoi më tej gjyqtari Hoxha. Më tej, ai iu referua disa vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara, pa cituar numrat apo datat, sipas të cilëve ky trup gjykues nuk mund të krijonte një akuzë të re ndaj të pandehurve, për sa kohë kjo akuzë e re nuk është hetuar nga prokuroria. “Në këto kushte, gjykata nëpërmjet këtij vendimi i përgjigjet akuzës së ngritur dhe faktit nëse provohet ose jo. Gjykata nuk mund të shprehet për fakte të pahetuara nga prokuroria ndaj këtyre dy të pandehurve”- tha gjykatësi Hoxha, duke e bërë tashmë gati të njohur atë që do të lexonte më pas. Në analizën e pafajësisë për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, gjykatësi tha se kishte marrë parasysh edhe vendimin e datës 28 gusht të vitit 2009 nga Gjykata e Strasburgut. “Gjykata sqaron se dhe jurisprundenca e Gjykatës së Strasburgut është bazë ligjore dhe e detyrueshme për gjykatat shqiptare në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”- tha kreu i trupit gjykues, duke vijuar më pas me elemente të tjera që pritet të jenë pjesë e vendimit të arsyetuar në momentin kur do të shpallet. “Akuza e ngritur nga prokuroria në ngarkim të dy të pandehurve nuk qëndron, duke patur parasysh dhe institutin e mbrojtjes së nevojshme, detyrimet ligjore të punonjësve të Gardës së Republikës për mbrojtjen e institucioneve dhe personaliteteve zyrtare që kanë në mbrojtje”- tha gjyqtari. Për këto arsye, sipas tij, gjykata vendosi: Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.
Gjyqi i 21 janarit
Vendimi i pafajësisë për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon u prit me ovacione në sallën e gjyqit, sidomos në momentin kur gjyqtari urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të majorit të akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Gjatë këtij momenti, Llupo është përqafuar me avokatin e tij mbrojtës, ndërsa trupi gjykues ka dalë nga salla, duke i lënë radhën zbardhjes së vendimit. Gjyqi për katër të vrarët e 21 janarit nisi 9 muaj më parë në Gjykatën e Tiranës, ku Prokuroria i qëndroi deri në fund akuzës për vrasje me dashje. Si prova u paraqitën pamjet filmike, ekspertiza e FBI-së dhe dëshmitë e personave të mbijetuar ndërsa në konkluzionet përfundimtare, prokuroria kërkoi 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet burg për Agim Llupon. Gjykata e Tiranës e rrëzoi këtë kërkesë, duke e lënë tashmë çështjen e 21 janarit në dorë të Apelit.
Argumentet
1-Vepra penale, e parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal, për të cilin janë akuzuar të pandehurit, kërkon domosdoshmërish elementin e dashjes direkte, pasi kjo vepër nuk mund të kryhet me dashje indirekte. Ky element i dashjes direkte, nga provat e paraqitura në gjykim, qartësisht nuk u provua se ekziston.
2-Duke u bazuar në disa vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara, gjykata nëpërmjet këtij vendimi i përgjigjet akuzës së ngritur dhe faktit nëse provohet ose jo. Gjykata nuk mund të shprehet për fakte të pahetuara nga prokuroria ndaj këtyre dy të pandehurve.
3-Gjykata ka marrë parasysh vendimin e datës 28 gusht të vitit 2009 të Gjykatës së Strasburgut dhe sqaron se jurisprundenca e Gjykatës së Strasburgut është bazë ligjore dhe e detyrueshme për gjykatat shqiptare.
Neni 375 – Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose i dëmtuari akuzues, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj.
_______________________________________________
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.51, datë 30.7.1999
Duke arsyetuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të nenit 375, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 51, datë 30.7.1999, ka vënë në dukje se e drejta që i njihet gjykatës për t’i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori nuk është veprim antikushtetues. “Në këtë rast, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, gjykata nuk merr kompetencat e prokurorit dhe as kthehet në organ akuzues, por vetëm zbaton ligjin, gjë që është detyrë funksionale e saj… gjykata nuk është organ akuzues, nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë, por mbi bazën e faktit të paraqitur, bën cilësimin e duhur ligjor të veprës, duke i dhënë faktit një përcaktim tjetër.” Më tej, Gjykata Kushtetuese arsyeton: “Gjykata, duke i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai i prokurorit, mund të bëjë që cilësimi i ri të jetë një vepër penale më e lehtë ose më e rëndë. Në rastin e fundit nuk do të thotë se rëndohet pozita e të pandehurit. Rëndimi i pozitës trajtohet në raport me shkallën më të lartë të gjykimit.”
Ndryshimin e cilësimit juridik të veprës, gjykata mund ta bëjë vetëm në qoftë se vepra penale është në kompetencën e saj. Përndryshe ajo duhet t’ia dërgojë çështjen gjykatës kompetente.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përfundon: “Neni 375 i Kodit të Procedurës Penale jo vetëm që nuk vjen në kundërshtim me nenin 148 të Kushtetutës, por është në përputhje edhe me parimet e tjera kushtetuese të zhvillimit të një gjykimi të drejtë nga një gjykatë e paanshme.”
Çështja në Strasburg dhe ngjashmëria me 21 janarin
Gjatë gjykimit të ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, dhe majorit Agim Llupo është përmendur shpesh një çështje e ngjashme në Itali, për të cilën ka edhe një vendim nga Gjykata e Strasburgut. Ky precedent është përmendur edhe nga gjyqtari Besnik Hoxha, gjatë leximit të vendimit. Por sa ngjashmëri ka mes çështjes “Giuliani Gaggio kundër Italisë” dhe 21 janarit? Në korrik të vitit 2001, në Genova të Italisë, një protestues u vra nga një karabinier gjatë protestave të dhunshme kundër takimit të G8. Tre karabinierë ishin bllokuar në një xhip, teksa po sulmoheshin me gurë, shkopinj dhe leva hekuri nga protestuesit. Një prej karabinierëve, sipas gjykatës i mbledhur kruspull në pjesën e pasme të xhipit, i plagosur, pre e panikut, duke u mbrojtur nga njëra anë me një mburojë dhe paralajmëronte protestuesit të largoheshin ose do t’i vriste. Karabinieri Mario Placanica nxori Berettën e tij 9mm, e drejtoi drejt xhamit të pasmë të mjetit dhe shtiu dy herë. Plumbi i parë kapi protestuesin Carlo Giuliani në fytyrë, poshtë syrit të majtë dhe e plagosi rëndë. Ai ra përtokë, ndërsa u shtyp më pas nga makina ku ndodheshin karabinierët. Sipas Gjykatës, karabinierët ishin efektivisht të ekspozuar ndaj një rreziku urgjent dhe serioz për humbjen e jetës, apo për marrjen e plagëve të rënda. Për këtë, Gjykata kujton se përdorimi i forcës nga ana e agjentëve të shtetit, për arritjen e njërit prej objektivave të shpallur në paragrafin 2 të nenit 2 të Konventës se te Drejtave të Njeriut , mund të justifikohet në raport me këtë dispozitë, nëse bazohet në një bindje të sinqertë, nisur nga motive të mira, e vlefshme në kohën e ngjarjes, por që më pas del e gabuar. “Të pohosh të kundërtën, do të thotë t’i ngarkosh shtetit dhe agjentëve të tij të ngarkuar me zbatimin e ligjit, një detyrë joreale, që do të rrezikonte të ushtrohej, duke i kushtuar jetën atyre dhe të tjerëve”,-thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Gjykata pohon se nuk është vërtetuar, që autoritetet italiane nuk i janë përmbajtur detyrimit për mbrojtjen e jetës së Carlo Giuliani-t. Për këtë arsye, në lidhje me këtë, nuk ka patur shkelje të elementit material të nenit 2 të Konventës. Me datë 25 gusht 2009, gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka rrëzuar kërkesën e familjarëve të viktimës ndaj Italisë.
MAPO
Krijoni Kontakt