Berisha si Ahmet Zogu
1 Shkurt, 2012 | Kategoria: Opinion | U postua nga: T.O
Nga Aleksandër Ndoja
(Llesh Topollaj dhe Ndrea Prendi, besnikë dhe viktima)
Kohë më parë, teksa rendisja fakte të rënda të sjelljes së pushtetit të sotëm me trevën e mirënjohur të Mirditës, përveç të tjerash spikaste edhe fakti se me të ardhur në pushtet në vitin 2005, demokratët u kujdesën që në të gjitha zyrat e pushtetit, sidomos atij qendrorë, mirditasit të ishin fshirë si me fshesë. Si rrallë herë në historinë e shtetit shqiptar që nga koha kur dom. Nikoll Kaçorri ishte nënkryetar i qeverisë së Ismail Qemalit, gjatë gjithë viteve pas 2005, nuk ka asnjë ministër mirditas, as zv/ministër, as drejtor drejtorie e as drejtor policie. Edhe në nivele të tjera më të ulta, në drejtori të ndryshme nëpër ministri, të gjithë mirditasit u përcollën në shtëpitë e tyre. Madje edhe në Mirditë u reduktua në maksimum mundësia e emrave në administratë, teksa institucione të rëndësishme si komisariati, prokuroria dhe gjykata, por edhe të gjitha drejtoritë e tjera i larguan prej këtu, duke lënë pas vetëm zyra boshe teksa rrënohen.
Dikush nga lexuesit e atij shkrimi si për të dashur të më kundërshtonte, më thotë se nuk është plotësisht ashtu. Ja- tha bashkëbiseduesi, Berisha ka zgjedhur si më të besuarin një mirditas, Ndrea Prendi i cili kryeson drejtimin e gardës së Republikës, pra ka në dorë ruajtjen e personaliteteve, madje të vetë Berishës, por edhe të rendit kushtetues.
Edhe pse nuk ishte kohë tensionesh e nuk kishte plasur 21 janari i parë, e për pasojë edhe ky i dyti, ndjeva një keqardhje, pse jo edhe një parandjenjë të keqe, teksa mendja më shkoi te mbreti Ahmet Zogu, dhe sjellja e tij me mirditasit.
Edhe Mbreti çuditërisht kishte prezantuar të njëjtën sjellje ndaj mirditasve, teksa gjithë pushtetin e tij ja kishte deleguar një farë Lal Krosi, dhe në axhendën e tij qeverisëse nuk kishte as edhe një mirditas, madje më të shquarit e tyre i pat përndjekur tej kufijve të vendit, pse jo edhe ekzekutuar. A nuk i ndodhi kështu dyshes së mirënjohur Marka Gjoni – Zef Ndoci që pas vitit 1922 e për tre vite me radhë, u detyruan të qëndrojnë të arratisur në ish-Jugosllavi. Por edhe pse me një dekret të tij, Zogu i fali të dy, Zef Ndoci e pagoi me jetën e tij mospranimin e propozimit të Mbretit, për tu shkëputur nga miqësia me Marka Gjonin.
Por edhe pse mbreti Zog prezantonte një vijë të tillë sjellje me mirditasit, një tjetër mirditas, Llesh Topollaj ishte kryegardisti i tij, madje besnik deri në vetëmohim për ruajtjen fizike të mbretit. Tashmë të gjithë e dinë se falë këtij vetmohimi dhe besës së dhënë, kryegardisti Llesh Topollaj nuk e vuri në diskutim hilenë e mbretit, teksa i propozoi që kryegardisti Topollaj të vishej me kostumin e mbretit, dhe mbreti të vishej me rrobat e kryegardistit. Ngjarja e rëndë ndodhi në fillimin e vitit 1931 në Vjenë të Austrisë, teksa mbreti ndodhej për kurim mjekësor në këtë vend. Po edhe pse Llesh Topollaj dha jetën, duke ja dalë mbanë të shpëtonte mbretin nga një vrasje e sigurtë e ideuar nga Hasan Prishtina, vija e sjelljes mbeti si ndaj çdo mirditasi tjetër, ku servilët e mbretit e përjetësuan në këngë këtë ngjarje, duke ironizuar indirekt me vargjet: “bajm shyqyr që na shpëtoi mbreti, se majora ka sa deti”.
Ja pse shume kohë më parë, kur mësova se pas spastrimit kudo të mirditasve nga nivelet e qeverisjes, një tjetër gjendej në krye të gardës pata një parandjenjë jo të mirë. Është e vërtetë se në ndryshim me mbretin, Berisha nuk e veshi me kostumin e tij Prendin, por siç po dalin fakte të cilët ende askush nuk i ka përgënjeshtruar, kanë qenë bodygardë që e kanë detyruar deri edhe me dhune fizike (atë shenjën në sy askush nuk e ka sqaruar) të dalë jashtë natyrës së ligjit, jashtë natyrës së tij dhe të vetë origjinës.
Pra, as më pak e as më shumë janë dy mirditas në kohë të ndryshme që janë viktima të sjelljes së pushtetit, pushtet i cili i ka përdorur sa dhe si ka dashur, dhe më pas..
gazeta tirana observer
Krijoni Kontakt