“21 janari”, Prokuroria apelon vendimin e Gjykatës së Tiranës
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar sot apelimin për vendimin e Gjykatës së Tiranës të 7 shkurtit lidhur me shpalljen të pafajshëm të drejtuesve të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve gjatë protestës së dhunshme të opozitës më 21 janar të 2011. Sipas gjykatës, e cila pranonte se të paktën dy nga manifestuesit ishin qëlluar nga armët e përdorura nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe drejtuesi i njësisë speciale Agim Llupo, prokuroria nuk kishte paraqitur provat që të vërtetonin se ata kishin qëlluar me dashje, transmeton Zëri i Amerikës.
Por prokuoria vlerëson se Gjykata ka vepruar sipas saj “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente”. Sipas prokurorisë, “Gjykata në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo”. Prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit penal të Gjykatës së Tiranës, në ngarkim të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, duke i deklaruar fajtorë për veprat penale që ata akuzuhen.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt