Avokati i Kasajt: Sistemi i kartave në Kryeministri s’punon nga ‘08
Punonjësi i informatikës: U largova në orën 23:30 nga godina e qeverisë, s‘kam fshirë asnjë regjistrim
Avokati i Armando Kasajt: Sistemi i kartave s‘punon që nga 2008
Mbrojtja ligjore e ekspertit të IT-së pranë Kryeministrisë, Armando Kasaj, mohon akuzat që i janë bërë këtij personi nga Prokuroria në kuadër të dosjes së 21 janarit. Referuar një artikulli të publikuar dje në gazetën “Panorama”, mbrojtja ligjore e Armando Kasajt ka theksuar se argumenti i Prokurorisë për qëndrimin e të pandehurit në punë pas orës 23:30, në datën 21 janar 2011, nuk qëndron. Atë natë, sipas Prokurorisë, Kasaj dyshohet se ka fshirë pamjet filmike të 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë, por avokatët e ekspertit të informatikës kanë thënë se nuk ka prova. Sipas tyre, sistemi i hyrje-daljeve me karta të brendshme në Kryeministri ka qenë jashtë funksionit që nga viti 2008 e, për rrjedhojë, nuk mund të përdoret si argument për ngjarjen e ndodhur në janar të vitit 2011. Prania e ekspertit të Kryeministrisë brenda institucionit pas orës 23:30, paraqet rëndësi për Prokurorinë, pasi nga ekspertiza ka dalë se videot e regjistruara nga 11 kamera vëzhgimi rreth Kryeministrisë, më 21 janar, janë zhdukur pas një riformatimi që i është bërë kompjuterit qendror në orën 00:51 pas mesnatës së 21 janarit. Sipas Prokurorisë, dyshohet se në këtë orë Armando Kasaj ka qenë i pranishëm në Kryeministri dhe i ka kryer veprimet në kompjuterin që grumbullonte pamjet e kamerave dhe i arkivonte ato. Për shkak të dyshimeve “të bazuara” të Prokurorisë se Kasaj i ka fshirë pamjet, ndaj tij është vendosur masa e arrestit në shtëpi.
Dëshmia në Gjykatë
Më 25 janar 2012, Armando Kasaj doli para Gjykatës së Tiranës për konfirmimin e masës së sigurisë, ndërkohë që mohoi çdo akuzë të ngritur ndaj tij. Avokati i Kasajt, Ilir Murati, pasi kërkoi lirimin e klientit të tij nga masa shtrënguese e sigurisë, deklaroi se detyra e tij në Kryeministri është mbikëqyrja e sistemit kompjuterik, mirëmbajtja e faqes elektronikë e të tjera. Sipas ligjit, i dyshuari nuk ka pasur për detyrë të regjistrojë dhe kopjojë filmime”, ka thënë avokati në Gjykatë. Ai ka theksuar se Kasaj kishte kopjuar vetëm pamjet e një kamere. “Ai thotë se ka bërë kopjimin e një kamere dhe është larguar në orën 23:30 të darkës. Kasaj nuk ka bërë ndërhyrje dhe nuk ka bërë fshirje”, deklaroi avokati i tij para gjykatës. Sipas tij, Kasaj “nuk mund të akuzohet për fshirjen. Prokuroria e provon fshirjen, por jo se kush e ka bërë atë. Nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për të provuar se i ka fshirë ai. Fshirjet janë bërë në mëngjes, kur Kasaj nuk ka qenë në institucion”, është shprehur avokati i ekspertit të IT-së të Kryeministrisë para gjykatës së Tiranës. Prokuroria kishte kërkuar më herët, në datën 22 janar 2012, masën e sigurisë “arrest me burg” për ekspertin e Kryeministrisë, ndërkohë që gjykata vendosi masën e “arrestit të shtëpisë”. Pas kësaj mase, mësohet se avokatët e Kasajt do të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie. Edhe Prokuroria e Tiranës ka thënë se do të kërkojë një masë sigurie “arrest me burg” për Kasajn me anë të një ankimi në Gjykatën e Apelit, në atakim të vendimit të Shkallës së Parë.
Provat e Prokurorisë
Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, Armando Kasaj ka qëndruar në punë në Kryeministri pas orës 23:30 më 21 janar 2011. Grupi i hetimit pretendon se eksperti i IT-së ka qëndruar në Kryeministri, duke u bazuar në dëshmitë e katër efektivave të Gardës së Republikës. Ata më 21 janar kanë qenë në shërbim me orar të zgjatur në Kryeministri, dhe kanë pohuar se Armando Kasaj ka qenë në punë pas orës 23:30, kur ai pretendon se ka ikur nga godina e qeverisë. Po kështu, sipas hetuesve, Kasaj ka lënë gjurmë në sistemin e kontrollit të Kryeministrisë, pasi ka kaluar në check-in kartën e hyrjes në institucion, e cila mbahet vetëm nga personeli.
Kopjimi dhe fshirja e videove në server
Prokuroria, e cila ka sekuestruar serverin e kamerave nga Kryeministria, e ka dërguar pajisjen për ekspertizë në Policinë shkencore në Tiranë e më pas në SHBA. Ekspertiza realizoi gjetjen e veprimeve që ishin kryer me kompjuterin në datën 21 janar 2011. Sipas ekspertizës së kryer në Tiranë, më datë 21 janar 2011, ora 19:24:00 deri në orën 19:36:31 është realizuar kopjimi i të dhënave të regjistruara, duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme (hard disk, USB, DVD, CD-R). Sipas ekspertizës, pajisja ka qenë në punë deri në datën 4 mars 2011, pra rreth deri tre muaj pas ngjarjeve pranë Kryeministrisë. Nga ekspertiza ka dalë se pajisja ishte konfiguruar që të fshinte automatikisht regjistrimet më të vjetra se shtatë ditë, pra regjistrimet e datës 21 janar 2011 fshiheshin automatikisht në datën 28 janar 2011. Edhe ekspertiza që i është bërë serverit në SHBA, ka gjetur se në server janë kryer ndërhyrje më datë 21 janar 2011, ora 12:14, datë 22 janar 2011, ora 00:51:52 (pas mesnatës së 21 janarit), datë 28 janar 2011, ora 12:10. Prokuroria e Përgjithshme, pasi gjeti të dhënat për këto veprime dhe ndërhyrje në pajisjen kompjuterike, e dërgoi atë në SHBA, ku veç ekspertizës për të zbardhur atë që kishte ndodhur me materialet në kompjuter, ekspertëve iu kërkua rikuperimi i tyre.
Komandanti
Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është vendosur nën akuzë për vrasje, pasi ekspertiza e kryer në SHBA nga zyra e FBI ka gjetur se arma e tij ka vrarë demonstruesin Faik Myrtaj. Sipas ekspertizës, predha 9 mm e armës së Ndrea Prendit ka vrarë protestuesin Faik Myrtaj. Ky i fundit kishte ardhur nga Fieri për të marrë pjesë në protestë, ndërsa, ndodhej mes Kullave Binjake dhe Gjykatës Kushtetuese kur u qëllua me armë dhe mori një plumb në kraharor, duke gjetur më pas edhe vdekjen. Organi i akuzës dërgoi në SHBA predhën e gjetur në trupin e Myrtajt dhe ekspertiza provoi se qitja ishte kryer nga arma e Prendit, ndonëse tyta e pistoletës së tij ishte ndërruar duke u vendosur tek arma e shoferit të kreut të Gardës.
Panorama
TRAZHGIM SOKOLAJ
Krijoni Kontakt