Dokumenti që fsheh Ina
Denoncimi i Policisë Gjyqësore, ja si mashtron kryeprokurorja
Mban datën 7 shkurt 2011, një nga raportet e Policisë Gjyqësore që i është dorëzuar Kryeprokurores për organizatorët dhe skemën e dhunës së përdorur në tentativën e dështuar të Grushtit të Shtetit me 21 janar. Paturpësisht, në prani edhe të Ambasadorit amerikan, Ina deklaroi se nuk ka asnjë raport nga Policia Gjyqësore mbi organizatorët e dhunës. E kundërta provohet nga dokumenti që është në zyrën e institucionit të Akuzës, të cilit po i referohemi.
21 janari 2011 sipas një raporti të detajuar në Policisë Gjyqësore përmban elementët e thyerjes së rendit kushtetues dhe përmbysjes me dhunë të pushtetit. Raporti, përmban fakte e prova të pakundërshtueshme mbi sulmin e dhunshëm kundër Kryeministrisë, me organizatorë e sponsorizues drejtues të lartë të Partisë Socialiste. Por, megjithëse ky raport zyrtar i Policisë Gjyqësore prej një viti qëndron në zyrën e Kryeprokurores, kjo e fundit mohon që të ketë një raport të tillë. Dy ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama mohoi e mashtroi publikisht, që nga organet e Policisë Gjyqësore të ketë patur informacion të detajuar mbi ngjarjet e 21 janarit, fakte apo prova që zbardhin se kush kanë qenë organizatorët dhe sponsorizuesit e demonstratës. Por, raporti zyrtar i Policisë Gjyqësore nxjerr zbuluar kryeprokuroren Ina Rama, pasi në të, jo vetëm që dokumentohet me detaje të gjitha orët e zgjatjes së protestës, por jepen të dhëna të sakta mbi të gjithë skenarin e nisjes dhe shndërrimit të saj në një sulm të dhunshëm, të cilësuar si "kryengritje". Pasi parashtron, të dokumentuara të gjitha deklaratat nxitëse të drejtuesve më të lartë të Partisë Socialiste para protestës së 21 janarit, ku bëhet thirrje për demonstratë popullore të dhunshme. Raporti, detajon po ashtu nisjen e protestës, ku përshkruan se menjëherë, pasi protestuesit kanë mbërritur përpara selisë së Kryeministrisë, kanë filluar të godasin me shkopinj, sende të forta, gurë ndaj punonjësve të policisë. Nga pjesë të zbardhura të raportit, citohet se, më pas sulmi kundër forcave të rendit nuk ishte vetëm me gurë dhe me hunj, por u hodhën edhe bomba molotov, si dhe me mjete të tjera që shkaktonin zjarr. Policia Gjyqësore ka arritur të dokumentojë se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që u vendosën në pjesën Veriore dhe Lindore të Kryeministrisë, u përballën me një sulm shumë të dhunshëm të grupit të demonstruesve, me mjete të forta, gurë, pllaka trotuari, shishe me lëndë djegëse. "Sulmi me këto mjete bëhej edhe në drejtim të Kryeministrisë, duke thyer xhamat e dritareve, goditur derën dhe xhamat e derës së jashtme, duke përfituar nga flakët e zjarrit, shtëllungat e tymit, të makinave, pemëve që po digjeshin, (të cilat ishin brenda rrethimit të Kryeministrisë), bombat molotov, duke goditur me mjete të forta gurë, pllaka trotuari personelin e Gardës së Republikës", citohet në një nga pjesët e raportit. Madje nga informacioni i Policisë Gjyqësore dërguar Prokurorisë së Përgjithshme konstatohet dhe faktohet përmes fotove se në drejtim të godinës së Kryeministrisë është gjuajtur me armë zjarri. Pas renditjes së të gjitha të dhënave, rezulton se ndryshe nga sa pretendon organi i akuzës, Policia Gjyqësore i ka dërguar informacion të hollësishëm për veprën penale të organizimit të sulmit të dhunshëm, që faktojnë implikimin e disa deputetëve të PS në ngjarjet e dhunshme të 21 janarit.
Kryeprokurorja: S'ka raport për organizatorët dhe nxitësit e dhunës
"Në kuadër të këtij procedimi penal, nisur nga pasojat tepër të rënda të verifikuara në vendngjarje, organi i akuzës ka kryer veprime hetimore për të zbardhur, nëse personat që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit, kanë qenë të organizuara dhe, nëse po, identifikimi i tyre. Për këtë pistë hetimore, hetimi i është ngarkuar shërbimeve të Policisë Gjyqësore, Policisë të Shtetit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Këta të fundit, në përfundim të hetimeve të kryera për këtë vepër penale, kanë përpiluar relacionin përfundimtar për rezultatet e hetimit, duke u sugjeruar prokurorëve pezullimin e hetimeve për veprën penale të "Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme", parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal, pasi sipas tyre, janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore, por nuk kanë mundur të zbulojnë organizatorë apo nxitës të dhunës të ushtruar gjatë protestës së datës 21.01.2011" është shprehur kryeprokurorja Ina Rama. (rd)
Krijoni Kontakt