Prishtinë, 28 mars - Veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët kishin ardhur nga Shqipëria për t’i kontribuuar kësaj lufte ankohen se në Kosovë nuk kanë gjetur mirënjohje të duhur institucionale. Shumë pak prej tyre kanë mundur të gjejnë punë këtu. Disa janë të papunë e të tjerë janë kthyer në Shqipëri.
Për herë të parë kishte ardhur në Kosovë me pushkë në dorë.
Meçan Balaj, i cili është nga Mallakastra e Republikës së Shqipërisë, jeton në Lipjan qysh nga paslufta.
Ai nuk mundi të ndahej nga Kosova prej kur veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende pa i bërë 18 vjet, kur erdhi bashkë me 150 vetë nga Tirana prej vendeve të ndryshme të botës ku kishte shqiptarë.
Por, sot jeton i papunë në shtëpinë, të cilën i kanë ndihmuar biznesmenë nga Kosova ta ndërtojë para një viti.
Ai thotë se luftëtarët nga Shqipëria, të cilët kanë dashur të jetojnë në Kosovë paslufte nuk janë pranuar lehtë në punë.
Shumicës, sipas tij, i është dashur të kthehen.
Vetë Balaj nuk është pranuar në FSK.
I plagosur dy herë gjatë luftës, deri në vitin 2005 nuk kishte marrë pension invalidor për shkak se parashihej vetëm për invalidët e luftës qytetarë të Kosovës.
Kritika për moskujdes ndaj rreth 200 kontribuuesve ka edhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Ai tregon edhe për kontributin e Shqipërisë përveç armatimit dhe logjistikës.
Sipas shifrave, janë më shumë se 150 pjesëmarrës nga Republika e Shqipërisë që mbanin të veshur uniformën e UÇK-së, e prej tyre 35 kanë rënë dëshmorë.
Të gjithë janë varrosur në Kosovë në zonat ku edhe kanë rënë.
Veteranët e UÇK-së nga Shqipëria nuk kanë ndonjë shoqatë të veçantë.
http://www.koha.net/index.php?cid=1,7,53695
Krijoni Kontakt