Duhani, shqiptarët shpenzojnë 1.4 mln $ në ditë për cigare
TIRANE- Shqiptarët janë ndër duhanpirësit më të mëdhenj në Europë. Dhe një pjesë të madhe të buxhetit familjar e shpenzojnë pikërisht për të blerë cigare. Sipas përllogaritjeve të INSTAT dhe të Institutit të Shëndetit Publik, shqiptarët shpenzojnë plot 1.4 milionë dollarë në ditë vetëm për cigare. Po sipas të dhënave zyrtare, çdo shqiptar, konsumun mestarisht 17.5 cigare, ndërsa numri i atyre që tymosin rregullisht një cigare shkon në 870 mijë persona, një numër ky mjaft i lartë në krahasim me popullsinë. Po sipas studimeve të ndryshme, në raport me popullsinë, shqiptarët kanë arritur nivelin e turqve, një ndër vendet me numrin më të lartë të duhanpirësve në Europë. Nga ana tjetër, studimet tregojnë se është rritur numri i duhanpirësve femra. Tendenca nuk është më risi, por shqetësim për specialistët e Shëndetit Publik mbetet cigarja e parë, pra koha kur një person fillon ta pijë cigaren, mosha e konsumit e së cilës në mjaft raste është ulur edhe nën 10 vjeç. Pavarësisht numrit të madh të duhanpirësve, vihet re një ndërgjegjesim i tyre për konsumimin e cigares. Ata kanë filluar të jenë gjithmonë e më të kujdeshëm dhe shumë prej tyre nuk e pinë cigaren në shtëpi, apo në makinë, veçanërisht kur në këto dy ambjente ka fëmijë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt