Kongresi i Myslimanëve të Zvicrës
Për të sqaruar gjithë opinionin publik po bëj me dije se mora pjesë në Kongresin e Myslimanëve të Zvicrës, me ç'rast i përfaqësova shqiptarët. Ani pse pati spekulime në disa medie të caktuara, se autoritetet zvicerane nuk do të më lejonin të hyja në Zvicër, një gjë e tillë nuk ndodhi. Ndodhi e kundërta. Më pritën shumë mirë më respektuan shumë. Sa ishin të vërteta ato spekulime u pa. Pse gjithëherë bëhën spekulime rreth Islamit dhe personaliteteve islame në Kosovë? Në dobi të kujt shkon tërë kjo fushatë antiislame dhe antikombëtare?!
S'jam duke kërkuar të më mbrojë askush sepse asgjë nuk kam gabuar, por kërkoj mos të spekulojnë, mos të shpifin, mos të bëjnë dizinformata. Këto nuk i shkojnë në dobi askujt, pos armiqve të kombit dhe të fesë. Përpjekjet e tyre tërësisht janë kundër fesë, kundër kombit dhe kundër proceseve në të cilat po kalojmë. Ata me sjelljet e tyre tregojnë qartë se sa e duan këtë shtet dhe këtë popull, tregojnë armiqësinë që kanë ndaj islamit, duke harruar se vetë janë bijtë e myslimanëve. Ju kujtojmë se islami nuk është i së sotmes, por është fe e cila është futur thellë në gjakun e shqiptarëve dhe se për çdo ditë ai po forcohet e po shtohet.
(Sqarim për opinion)
Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi
Në javën e kaluar në Zvicër më saktësisht në qytetin Biel Bienne, në kantonin e Bernit u mbajt një kongres gjithëpërfshirës i myslimanëve të Zvicrës, i cili u cilësua më i madhi i mbajtur ndonjëherë në Zvicër. Ky kongres u organizua nga vetë myslimanët e zviceranë të konvertuar në islam, e që numri i tyre për çdo ditë vjen duke u rritur. Mysafirë kishte nga vende të ndryshme të botës, në mesin e tyre isha edhe unë si përfaqësues i shqiptarëve, pasi shumica dërrmuese e shikuesve pritej të ishin nga komuniteti shqiptar, për faktin se shqiptarët për nga numri janë komuniteti më i madh i të huajve që jetojnë në Zvicër. Tema rreth së cilës debatohej ishte "Identiteti dhe modernizimi". Me përhapjen e lajmit për organizimin e këtij kongresi dhe konfirmimin e pjesëmarrjes sime, disa individë që janë kundër integrimit të huajve në Evropë, në veçanti kundër myslimanëve kanë çuar pluhur duke shënuar nëpër disa gazeta atje në Zvicër kundër meje "kinse po na vjen një radikal, një njeri i cili e ka fyer Terezën, një njeri i cili nuk njihet për tolerancë etj." Bile ka pasur zëra që kanë kërkuar ndalimin e hyrjes sime në Zvicër nga organet qeveritare. E njëjta gjë është përsëritur dy ditë para se të mbahej kongresi, ku sërish disa medie zvicerane kanë qenë kundër mbajtjes së atij kongresi në përgjithësi dhe kundër prezentimit tim në veçanti. Me të dëgjuar mediet tona këtë lajm, mezi nuk kanë pritur të ngritën kundër meje dhe në faqet e para të shkruajnë se "Shefqet Krasniqit i ndalohet hyrja në Zvicër". Në anën tjetër unë as që kisha ide se çfarë ishte duke ndodhur dhe isha i bindur se ato janë të gjitha spekulime dhe kanë për qëllim njellosjen e islamit dhe të hoxhollarëve, sepse shumë kujt ketu te ne i pengojnë islami dhe përparimi i tij, ashtu siç i pengojnë dikujt në Evropë. Ashtu siç isha i bindur se shteti zviceran merret me spekulime të tilla të djathtistëve apo të majtistëve dhe nuk do të ma ndalojnë hyrjen në Zvicër, ngase ai është i ndërtuar mbi bazat e respektimit të drejtave të njeriut, i mbështetur në Allahun e Madhëruar u nisa për në Zvicër dhe, elhamdulilah, pa asnjë problem shkova dhe erdha. Mora pjesë në atë kongres, në të cilin pritej të marrin pjesë rreth një mijë veta, e aty erdhën rreth tre mijë veta. Me të dëgjuar shqiptarët për pjesëmarrjen time kishin ardhur thuajse nga e tërë Evropa, Suedia, Gjermania, Austria, Anglia dhe vende të tjera. Gjatë ligjerimit fola për identitetin dhe modernizimin, duke u munduar ta sqaroj secilën veç e veç, më pas bashkimin e tyre, apo moskundërshtimin mes njërës dhe tjetrës. Falënderova shtetin zviceran për mikpritjen që na ka bërë, për mirësjelljen që ka ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve të tjerë, pastaj i këshillova myslimanët ta ruajnë shtetin në të cilin jetojnë dhe punojnë, ngase e kanë obligim fetar. Të jenë shembull i një kulture dhe civilizimi siç e meritojnë. Të mundohen ta gërshetojnë identitetin e tyre fetar me të arriturat e asaj bote perendimore, duke u dhënë atyre diç dhe duke marrë nga ta diç, në mënyrë që të ngritën sa më shumë, të jenë sa më të plotësuar, sa më të dobishëm për veten e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi.
Këtu me këtë rast dua t'a përmend një çështje: Gjithkund njerëzit i mbrojnë të vetit, qoftë nga përkatësia fetare, ajo kombëtare apo ajo partiake etj. E ne nuk po kërkojmë të na mbrojë askush, sepse asgjë nuk kemi gabuar, por kërkojmë që mos të spekulojnë, mos të shpifin, mos të bëjnë dizinformata sepse një gjë e tillë nuk i shkon në dobi askujt, pos armiqve të kombit dhe të fesë, pos atyre të cilët janë të interesuar ta destabilizojnë gjendjen shumë të mirë fetare në Kosovë, ta pezullojnë këtë tolerancë fetare në të cilën gjithë kemi thirrur dhe e kemi ruajtur. Edhe këtë herë, sikur edhe më herët, disa medie, në veçanti ato të shkruara, u munduan të më dëmtojnë, a në realitet qëllimi i tyre është ta paraqesin islamin të dëmshëm dhe të papërshtatshëm për këtë shoqëri. T'i paraqesin hoxhollarët si njerëz të cilët nxisin ekstremizmin, më vonë edhe urrejtjen fetare, njerëz të cilët nuk e kanë vendin në Evropë. Përpjekjet e tyre tërësisht janë kundër fesë dhe kundër kombit, kundër proceseve të cilat po i kalojmë. Ata me sjelljet e tyre tregojnë qartë se sa e duan këtë shtet dhe këtë popull. Ata tregojnë armiqësinë që kanë ndaj islamit, duke harruar se vetë janë bijtë e myslimanëve. Ju kujtojmë se islami nuk është i së sotmes, por është fe e cila është futur thellë në gjakun e shqiptarëve dhe se për çdo ditë ai po forcohet e po shtohet. Ata harrojnë se islami tashmë është fe e pranuar në botën demokratike dhe të civilizuar, është pjesë e kulturës dhe qytetërimit të tyre, duke filluar nga Amerika e Anglia, që janë shembuj të shkëlqyeshëm të tolerancës fetare deri të shtetet skandinave dhe gati se në tërë Evropën. Me këto sjellje antikombëtare dhe antifetare ato medie na kujtojnë kohën komuniste se vetëm ata duhet të flasin, ndërsa ne të tjerët të heshtim. Ato medie i kanë tejkaluar të gjitha liritë gazetareske duke shpifur dhe spekuluar jo vetëm kundër meje, por kundër islamit në përgjithësi. Andaj lë t'i bien vetes pas e le t'i paraqesin gjërat ashtu siç i ka hije një gazetari dhe gazete, duke mos i shtuar e as pakuar gjërat, por duke qenë real ndaj çdo shkrimi që e shkruajnë apo botojnë. Shpresoj shumë që nëse jo ato gazeta, bile qytetarët mos të bien viktimë e atyre spekulimeve boshe dhe të pabaza, ngase qytetarët e dubë fort mirë, në veçanti ata që më dëgjojnë apo i përcjellin ligjeratat e mia, se kush jam unë dhe për çfarë unë thërras, sa ia duam të mirën qytetarëve të Kosovës dhe të Evropës, sa u jemi falënderues të tjerëve për ndihmën që na kanë dhënë dhe po na japin etj.
Allahu marrtë hak dhe na ruajt nga intrigat e njerëzve keqdashës dhe antifetarë e antikombëtarë! Amin! Deri javën e ardhshme selam alejkum!
Epoka e Re - e Premte, 25 Shkut 2011
Krijoni Kontakt