KQZ zëvendëson komisionerët e PS
Me mungesën e tre anëtarëve të opozitës, katër anëtarët e maxhorancës në KQZ votuan projekt-vendimin për emërimin e 33 anëtarëve të KZAZ-ve me numër çift, si dhe emërimin e 33 sekretarëve të KZAZ-ve me numër tek. Emërimi i tyre bëhet vetëm për të pasur kuorumin e nevojshëm për të vijuar punën për përgatitjen e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha dje se ky vendim erdhi për të mos vënë në rrezik procesin zgjedhor. “Në këto kushte, nuk mund të vëmë më në rrezik procesin. Na duhet patjetër të përgatitemi për t’u ofruar zgjedhësve shqiptarë zgjedhjet”, tha Ristani. Edhe anëtarët e tjerë e mbështetën këtë vendim. Sipas tij, vendet vakante do të shpallen në 3 gazetat me tirazhin më të madh për 3 ditë rresht dhe kandidatët duhet të dërgojnë aplikimin e tyre para datës 27 shkurt. Anëtar dhe sekretar i KZAZ-së mund të emërohet çdo person që plotëson kushtet, si: të ketë arsim të lartë dhe në rastin e sekretarit të jetë jurist, të jetë me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse dhe nuk duhet të ketë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo ndaj tij të mos jetë marrë asnjë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme. Paga për kryetarin dhe nënkryetarin e KZAZ-së është 65 mijë lekë, kurse për anëtarët dhe sekretarin 60 mijë lekë. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e KQZ-së shpjeguan arsyet e marrjes së këtij vendimi. Sipas tyre, neni 29, pika 8 e Kodit Zgjedhor, përcakton që në rastet kur vendi i anëtarit apo sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant dhe partitë, të cilat kanë të drejtë të paraqesin propozime, nuk dërgojnë propozimet në KQZ, atëherë kjo e drejtë u kalon partive politike të të njëjtit grupim, që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në zgjedhjet pararendëse. Në rastin konkret, Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut janë të vetmet parti të opozitës parlamentare. Kjo dispozitë i jep të drejtë KQZ-së në këtë rast, që ditën e zgjedhjeve të plotësojë vendet vakante duke emëruar kryesisht anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve, në mënyrë që të krijohet kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje dhe për të mbajtur vulën dhe dokumentacionin tjetër të KZAZ-ve. Por sipas tyre, në këto kushte, emërimi i këtyre anëtarëve dhe sekretarëve është domosdoshmëri. “Në kushtet kur nuk ka asnjë propozim nga partitë politike, të cilat kanë detyrimin ligjor për të paraqitur propozime për anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve, edhe pse iu është kërkuar disa herë me shkresë që të zbatojnë detyrimet ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht se ndodhet në një situatë ekstra ligjore, për analogji me situatën e parashikuar në pikën 8 të nenit 29, paragrafi i fundit i tij, duhet të emërojë kryesisht anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve, në mënyrë që të krijohen kushtet ligjore për të ngritur KZAZ-në dhe të bëhet i mundur administrimi i procesit zgjedhor”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Vendimi i KQZ-së
Bazuar në nenin 21, pika 1, nenin 29, pika 1 dhe pika 8 të Ligjit Nr.10019, datë 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
VENDOSI:
1. Të shpallë vakant vendin e sekretarit/anëtarit të KZAZ-së nr__.
2. Personat e interesuar për këtë pozicion, të cilët plotësojnë kriteret e nenit 30 dhe 31 të Kodit Zgjedhor, të dorëzojnë dokumentacionin pranë KQZ-së, brenda datës 27.02.2011.
3. Shpallja e vendit vakant të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi të botohet në tri gazetat me tirazhin më të madh për tri ditë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.
OSBE: Mirëpresim vendimin e KQZ, u bë i nevojshëm pas refuzimit të PS
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, mbështeti dje vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e vendeve vakante në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Sipas njoftimit zyrtar të OSBE-së, ky vendim do të shërbejë për të çuar para përgatitjet për zgjedhjet vendore të datës 8 maj. “Shpallja publike e vendeve vakante në KZAZ, që duhen plotësuar së shpejti, është një hap i rëndësishëm dhe vendimtar në garantimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor ndaj qytetarëve”, tha ambasadori Wollfarth. “Unë e mirëpres këtë hap dhe dua të vë në dukje se ai u bë i nevojshëm vetëm pasi disa parti refuzuan të marrin pjesë në procedurat demokratike, në bazë të rregullave që i kishin bashkëhartuar dhe miratuar vetë”, shtoi Wollfarth. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të kishin paraqitur propozimet për komisionerë brenda 24 janarit dhe KZAZ-të duhet të ishin ngritur brenda datës 7 shkurt 2011. Sipas njoftimit të OSBE-së, ambasadori Wollfarth përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Prej disa javës prezenca e OSBE-së në Shqipëri u ka bërë thirrje partive politike, veçanërisht atyre të opozitës, për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore në përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Vetëm pak ditë më parë, ambasadori i OSBE-së, Wollfarth, deklaroi se situata aktuale tregon një shpërfillje të hapur ndaj aspiratave të qytetarëve shqiptarë për një demokraci funksionale. “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me problemet që po has aktualisht KQZ-ja. Nga 66 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, vetëm 12 prej tyre janë ngritur pjesërisht brenda afatit të 7 shkurtit 2011. Një situatë e tillë tregon një shpërfillje të hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike. Unë u bëj thirrje partive politike të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe për ta adresuar këtë çështje në mënyrë të menjëhershme, pasi dita e zgjedhjeve po afron”, reagoi ambasadori pak ditë më parë për të njëjtën situatë.
ERALD KAPRI - Panorama
Krijoni Kontakt