Srategji lobuese për njohjen e Kosovës
Publikuar: Sot, më 02 mars 2011
Prishtinë, 2 mars - Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje propozim-vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për fillimin e hartimit të një strategjie lobuese për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës dhe një strategjie për politikën e jashtme të Kosovës për periudhën 2011-2015.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se një nismë e tillë është marrë pas konsultave të ngushta me presidentin dhe kryeministrin e vendit.
Ai ka shtuar se duhet të ketë një agjendë konkrete operacionale për lobim, në mënyrë që të dihet më detajisht se cilat vende janë të gatshme të njohin Kosovën, raporton Kosovapress.
“Në konsultë të ngushtë me presidentin e vendit dhe kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, ne si Ministri e Punëve të Jashtme mendojmë që duhet të kemi një agjendë konkrete operacionale lobuese për të shtuar numrin e njohjeve të Republikës së Kosovës. Në MPJ ka një informatë të detajshme për atë se cilat vende janë të gatshme që ta rrisin numrin e njohjeve prandaj mendojmë që duhet të miratohet një propozim-vendim i tillë dhe ta kemi një grup punues, i cili në të ardhmen do të dalë me një qartësi të plotë për atë se si Republika e Kosovës të njihet edhe nga më shumë shtete të botës”, ka thënë Hoxhaj.
Edhe mjetet financiare në këtë drejtim nuk do të mungojnë, ngase ministri i Financave Bedri Hamza është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar në këtë drejtim, duke thënë se do të sigurohen mjetet e duhura për zbatimin e kësaj strategjie lobuese.
“Sigurisht se ky aktivitet kërkon edhe buxhet shtesë pasi që ne jemi në fazën finale të përgatitjes së buxhetit. Ne kemi takime me MPJ-në dhe sigurisht se prej MPJ-së kërkesa që vjen dhe fondet që kërkohen për këtë qëllim, ne si Ministri e Financave do t’i sigurojmë dhe do të jenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë Hamza.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që në strategjinë lobuese të përfshihen edhe personalitete që nuk janë të inkuadruara direkt në politikë, por që kanë ndikim tek shtetet e ndryshme.
Për këtë ajo ka marrë mbështetjen e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka ftuar të gjithë personalitetet me ndikim, por edhe opozitën në Kosovë që të ndihmojë në këtë proces.
“E kemi diskutuar edhe më herët edhe për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrim dhe ndryshimin e qasjes në procesin lobues për një angazhim sa më të shumanshëm, por edhe në të njëjtën kohë një qasje komplet shtetërore të Qeverisë së Kosovës, por procesi i lobimit të jetë një proces i mbështetur dhe i ftoj edhe sot gjithë njerëzit me ndikim, forcat politike të opozitës, personalitete të shoqërisë civile që kanë vullnetin dijen dhe mundësinë të ndihmojnë në këtë proces”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shprehur bindjen se tash e tutje mund të priten njohje të reja, përderisa ka theksuar se diplomacia e Kosovës do të jetë shumë më e hapur për gjithë njerëzit që dëshirojnë të kontribuojnë në procesin e njohjes.
Po ashtu, Qeveria ka mbështetur edhe strategjinë për politikë të jashtme, për të cilën ministri Hoxhaj ka thënë se si shtet i ri, Kosova duhet të ketë një dokument për politikën e jashtme, përkatësisht strategjinë për vitet 2011-2015 që do të definojë pozitën e saj në rajonin e Ballkanit, në Evropë dhe pozitën e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Krijoni Kontakt