Close
Faqja 7 prej 10 FillimFillim ... 56789 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 61 deri 70 prej 97
  1. #61
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    15-12-2010
    Vendndodhja
    ....Europe...
    Postime
    1,155

    Thumbs up

    Citim Postuar më parë nga Llapi Lexo Postimin
    Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës

    Prishtinë, 12 maj 2011

    Qeveria e Republikës së Kosovës i dënon fuqimisht manifestimin e dhunës ndaj Institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, me rastin e vizitës së sotme të shefit të delegacionit të Serbisë për dialogun teknik, Borislav Stefanovic. Kjo vizitë ka ndodhur me leje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Shprehja paqësore e pakënaqësisë dhe protestës është e drejtë demokratike dhe kushtetuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ushtrimi i dhunës ndaj organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës, në që rast pati të lënduar, dhe vandalizmi ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm. Aktet e tilla tregojnë që ky grupim politik, ashtu si në të kaluarën, nuk heq dorë nga dhuna për realizimin e qëllimeve të ngushta politike.

    Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët e Kosovës për maturi dhe siguron ata, që procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dyja shteteve dhe integrimin e tyre në BE dhe NATO.
    .........Like

  2. #62
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979



    OKB “njeh” Republikën e Kosovës?

    Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), si pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga shumica e shteteve anëtare të kësaj organizate, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Rezoluta 1244 ende mbetet në fuqi dhe merret si bazë e kësaj organizate në raport me Kosovën.

    Megjithatë, siç shkruajnë mediet, pas prezantimit të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në Këshillin e Sigurimit të datës 12 maj, zyra për media e OKB-së u kujdes ta prezantoj Hoxhajn, si Ministër të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

    Në konferencën pas mbledhjes, Hoxhaj u paraqit para gazetarëve në këndin e OKB-së ndërsa video u postua në webcast të OKB-së, ku Hoxhajt i shkruhet, Republika e Kosovës.

    Për dallim nga paraqitjet e mëparshme të Skender Hysenit, që prezantohej vetëm me emër dhe mbiemrin e tij, pasardhësi i tij, Hoxhaj merr edhe shtesat, Republika e Kosovës.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  3. #63
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Këshilli i Sigurimit të KB shqyrtoi mbrëmë raportin tremujor për Kosovën.


    Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj para anëtarëve të tij paraqiti vlerësimin zyrtar për zhvillimet në vend. Po e japim në tërësi.


    Enver Hoxhaj

    New York, 13 maj – Këshilli i Sigurimit të KB shqyrtoi mbrëmë raportin tremujor për Kosovën. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj para anëtarëve të tij paraqiti vlerësimin zyrtar për zhvillimet në vend. Po e japim në tërësi.

    I nderuari Z. President,
    Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

    Fillimisht, më lejoni që në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të shpreh mirënjohje të thellë për vëmendjen tuaj ndaj zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës, që nga periudha e fundit e raportimit.

    I nderuari z. President,
    Jemi mbledhur përsëri këtu për të diskutuar çështjet të ndërlidhura me situatën në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Disa nga ju mbani në mend që shumë herë në të kaluarën, raportet nga Kosova kanë treguar më shumë probleme në vend, se sa për zgjedhjen e tyre apo zhvillimet pozitive.

    Sot, unë jam këtu për të ju ofruar llogari të dorës së parë për zhvillimet pozitive të fundit në Kosovë, por gjithashtu, më lejoni të falënderoj anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, si dhe përfaqësuesin e tij të posaçëm, z. Lamberto Zannier, për rolin e tyre të fuqishëm në demokracinë tonë të re.

    Prezenca e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka qenë ndër përpjekjet më të mëdha në historinë moderne të bashkësisë ndërkombëtare për shtet-ndërtim dhe këto përpjekje kanë sjellë rezultate. Në tre vjetët e fundit, pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe, stabilitet dhe siguri në rajon, dhe sot, Kosova po e zë vendin e saj të merituar në bashkësinë e shteteve të lira.

    1. Zhvillimet politike

    I nderuari z. President,
    Gjatë tre muajve të fundit, Kosova sikurse dëgjuat edhe nga z. Zannier, ka kaluar nëpër një periudhë dinamike. Shteti ynë i ri ka konsoliduar institucionet e saj në përpjekje për qeverisje të mirë dhe stabilitet politik.

    Kriza kushtetuese është paraqitur me dorëheqjen e ish Presidentit Fatmir Sejdiu, me ç’rast ne patëm zgjedhjet parlamentare, të cilat kaluan përmes një testi rigoroz dhe sfidues në gjykata dhe Komisionin Qendror Zgjedhor. Pas certifikimit të rezultateve, që nuk u kundërshtuan nga asnjë parti, ne krijuam Qeverinë e re nën udhëheqjen e liderit të mëhershëm dhe të tanishëm, kryeministrit Hashim Thaçi.

    Partia Demokratike e Kosovës, e cila njëherësh ka fituar numrin më të madh të votave, ka hyrë në bisedime për koalicion me udhëheqësit e ndryshëm politikë. Në fund, u arrit një marrëveshje e përbashkët me Aleancën për Kosovën e Re, Partinë Liberale të Pavarur Serbe, si dhe partitë Turke, Boshnjake dhe disa parti tjera më të vogla. Ky koalicion krijoi një qeveri dinamike dhe multi-etnike, e cila është e përgatitur të udhëheq Kosovën drejt fuqizimit të mëtejshëm dhe integrimit në bashkësinë e demokracive të konsoliduar.

    Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, anëtarët e kuvendit zgjodhën President të vendit z. Behgjet Pacollin. Opozita parashtroi ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar procedurën e zgjedhjes së z. Pacolli. Brenda më pak se një muaji, Gjykata vendosi që Presidenti i ri ishte zgjedhur në kundërshtim të kuorumit të duhur kushtetues dhe kushteve për kandidim.

    Ky vendim i papritur krijoi një moment sfidues politik që testoi edhe njëherë dhe forcoi koalicionin qeverisës. Sidoqoftë, është me rëndësi të theksohet që në asnjë moment, asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk ka kundërshtuar rolin e Gjykatës Kushtetuese, apo vendimet e saj. Qeveria dhe populli i Kosovës respekton institucionet e veta dhe njeh rolin e rëndësishëm të pavarësisë së Gjykatës si mbrojtës të Kushtetutës së Kosovës. Ky është një shembull i shkëlqyeshëm për përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit.

    Kosova kaloi nëpër këto sfida kur koalicioni qeverisës dhe partia më e madhe opozitare treguan që janë të gatshëm të ngrenë interesin kombëtar për qeverisje të qëndrueshme përtej interesave të tyre politike. Qeveria dhe opozita arritën një kompromis që përkrahi zgjedhjen e Atifete Jahjaga për Presidente të Republikës së Kosovës.

    Presidentja Jahjaga është gruaja e parë e zgjedhur si udhëheqëse e shtetit në gjithë Ballkanin. Në këtë post, ajo sjell përkushtimin e saj jetësor për shërbim të popullit, pasi me vite ka punuar në Policinë e Kosovës, i cili shërbim është trajnuar nga Kombet e Bashkuara. Ajo është udhëheqëse pa përkatësi politike që përfaqëson tërë Kosovën. Ky zhvillim është i mirë për Kosovën, për rajonin dhe për botën.

    2. Integrimi i pakicave

    Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
    Koalicioni qeverisës tani udhëheqë një ambient të qëndrueshëm politik dhe gëzon pjesëmarrjen e pakicave etnike të komunitetit serb, turk, boshnjak, rom dhe të tjerë që kanë 25 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.

    Për herë të parë në historinë e Kosovës, Qeveria gjithashtu përfshin një zëvendëskryeministër dhe tre ministra nga komuniteti serb. Serbët e Kosovës janë të përfshirë në të gjitha nivelet e qeverisë dhe shërbimit civil. Ky zhvillim do të reflektojë statusin e Kosovës si një demokraci shumetnike funksionale që lartësohet dhe fuqizohet nga shumëllojshmëria saj.

    Komunitetet pakicë të Kosovës kanë refuzuar politikën e ndarjes së Republikës së Serbisë. Pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës - në qeverinë qendrore dhe lokale, tregon se Kosova është bashkuar rreth premtimit të demokracisë si përfaqësuese që i jep zë të gjithë anëtarëve të saj.

    Ne jemi të kënaqur të ju raportojmë, të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit, se më shumë serbë kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës sesa në zgjedhjet ilegale të organizuara nga qeveria e Serbisë në të kaluarën në disa pjesë të Kosovës.

    Është me rëndësi për të theksuar se institucionet paralele të Qeverisë së Serbisë që vazhdojnë aktivitetet e tyre të korruptuara në disa pjesë të Kosovës janë ilegale sipas vendimeve të vet Këshillit të Sigurimit.

    3. Dialogu teknik me Serbinë

    Presidentja Jahjaga nuk është e vetmja femër kosovare që merr vëmendjen ndërkombëtare këto ditë. Qeveria e Kosovës gjithashtu ka emëruar znj. Edita Tahiri si zëvendëskryeministre dhe si përfaqësuese speciale e vendit për të udhëhequr delegacionin e Kosovës në dialogun me Qeverinë e Serbisë. Kosova e njeh rëndësinë e këtij dialogu me Serbinë dhe po merr pjesë në diskutime në nivelet më të larta.

    Ne menjëherë kemi pranuar ftesën e BE-së për t'u angazhuar në dialogun me Serbinë, që është mirëpritur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kur e pranoi mendimin këshillëdhënës të GJND-së. Nëse mund t'ua rikujtoj, GJND-ja konfirmoi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës është angazhuar plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është një mundësi e mirë për Kosovën dhe Serbinë për ta lënë prapa të kaluarën. Fokusi ynë është në një të ardhme që do t'i mundësonte Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të hyjnë në Bashkimin Evropian, si shtete të barabarta dhe të pavarura.

    Me lehtësimin e z. Robert Cooper si përfaqësues i BE-së, zëvendëskryeministrja Tahiri është takuar tre herë me përfaqësuesin e Serbisë në Dialog, z. Borislav Stefanoviq. Ne kemi hapur disa tema për diskutim në këtë Dialog, dhe në fakt ka shumë çështje të pazgjidhura ndërmjet dy palëve.

    I nderuar z. president, të nderuar anëtar të Këshillit,
    Ju siguroj se Kosova është gati dhe e përcaktuar për të gjetur mënyra të reja dhe kreative për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve dhe t'i ndihmojë Serbisë për t'u pajtuar me pavarësinë tonë. Kjo duhet të sjellë një paketë zgjidhjesh në fushat me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve të të dyja vendeve. Duhet t'i tregohet botës se populli i Ballkanit dëshiron paqe dhe prosperitet. Ne nuk dëshirojmë të fuqizojmë ndarjet etnike apo të rihapim plagët e vjetra.

    Qeveria e Kosovës pret dy gjëra nga dialogu:
    Së pari, ne dëshirojmë zgjidhje kreative që respektojnë rendin tonë kushtetues vendosur sipas Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Presidentit Ahtisaari. Ne dëshirojmë të zgjidhim çështjet praktike: njohjen reciproke të dokumenteve, tabelave të automjeteve, hapësirës ajrore, diplomave të shkollave dhe universiteteve, komunikimit me telefon etj.

    Ne dëshirojmë të zgjerojmë përtej Ballkanit lirinë e lëvizjes për popullin e Kosovës. Sot populli i Kosovës mund të udhëtojë në shumicën e vendeve të rajonit dhe botës me pasaportat e tyre të Kosovës, përfshirë shumë vende që ende duhet të na njohin si shtet i pavarur.

    Serbia, në anën tjetër, ende refuzon të njohë dokumentet e lëshuara në Kosovë, ashtu siç refuzoi për të pranuar dokumentet e lëshuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ky kufizim artificial dhe plotësisht politik në lirinë e lëvizjes në rajon nuk ka ndihmuar dialogun apo ripajtimin ndërmjet dy popujve dhe shteteve të tyre.

    Përderisa Serbia mund të vë në dyshim të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet, nuk ka asnjë dyshim sidoqoftë se vetë Serbia nuk ka asnjë të drejtë për të ushtruar çfarëdo lloj autoriteti përbrenda kufijve të Kosovës.

    Qëllimi ynë i dytë për dialogun lidhet me të parën: Qeveria dhe Populli i Kosovës janë të lodhur nga konflikti dhe propaganda. Ne dëshirojmë të shikojmë përpara dhe të angazhohemi në procesin e ripajtimit me Serbinë.

    Ka pasur shumë raste në historinë tonë të përbashkët në Ballkan kur popujt e rajonit kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin. Tani është koha, kur të dy vendet po lëvizin drejt anëtarësimit në BE, të shtrëngojnë duart edhe njëherë dhe të shikojnë njëri tjetrin si partnerë të barabartë. Ne jemi të gatshëm të flasim për zgjidhjet që përmirësojnë sundimin e ligjit dhe mbrojnë Kosovën si një hapësirë të unifikuar ligjore sipas kushtetutës së Kosovës.

    Qeveria e Kosovës dëshiron të vërtetojë përtej dyshimit vullnetin për t'u takuar, diskutuar dhe pajtuar me fqinjët e saj, si një kusht thelbësor për integrim evropian. Është në interesin strategjik të Kosovës dhe Evropës për të mundësuar lëvizjen e lirë të popujve dhe të mallrave përbrenda kornizës së integrimeve evropiane. Për këtë qëllim qeveria ka themeluar një ministri të veçantë për Integrim në BE për të siguruar që ne i arrijmë standardet e BE-së. Kjo do të vendosë kushtet për kosovarët që t'i bashkohen shteteve tjera të Ballkanit në zonën pa viza në Evropë.

    Sytë e botës janë të fokusuar në Kosovën dhe Serbinë gjatë këtij dialogu. I siguroj anëtarët e këshillit sot se Kosova dëshiron marrëdhënie miqësore me të gjithë fqinjët, dhe këtë e njohim si parakusht për stabilitet dhe paqe në Ballkan.

    4. Gjendja në Kosovën Veriore dhe zbatimi i Marrëveshjes Ahtisaari

    Të Nderuar Anëtarë të Këshillit,
    Iu premtoj se nuk do të lejojmë elementet ekstremiste të na pengojnë në arritjen e objektivave tonë. Ftojmë Qeverinë e Serbisë të na bashkohet në kundërshtimin e atyre organizatave radikale, të cilat kanë përdorur gjuhë nacionaliste dhe dhunë kundër atyre anëtarëve të komunitetit serb, të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

    Serbët në gjithë Kosovën marrin pjesë në institucionet demokratike të vendit. Përfshirja e tyre në jetën politike, ka siguruar udhëheqje të përgjegjshme lokale, e cila përfaqëson prioritetet e tyre.

    Në Kosovën Veriore gjendja është më pak pozitive dhe vazhdon të jetë prezent atmosfera e frikës. Qeveria e Kosovës ka zbatuar propozimin e Ahtisaarit dhe është në kontakt të përhershëm me komunitetin ndërkombëtar, me synim që përmes partneritetit me ta, ta zbatojë sundimin e ligjit dhe sistemin unik ligjor të vendit.

    Megjithatë, organizimi i zgjedhjeve nacionale është penguar nga radikalët të cilët refuzojnë demokracinë dhe theksojnë se përfaqësojnë Qeverinë e Serbisë. Ata kanë përdorur frikësimin dhe dhunën për të penguar komunitetet lokale dhe qytetarët t’iu bashkohen institucioneve të Kosovës.

    Radikalët e tillë i kanë kundërshtuar përpjekjet e EULEX-it dhe KFOR-it për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovën Veriore; ata e kanë penguar rihapjen e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës; si dhe kanë penguar përpjekjet e liderëve politik të Kosovës për t’u takuar me qytetarët përmes vizitave personale komuniteteve.

    Pengesat e vazhdueshme të cilat e kanë zvarritur arritjen e objektivit kyç të EULEX-it, vendosjen e sundimit të ligjit në mënyrë të barabartë dhe unike në tërë Kosovën, ka rezultuar në shprehjen e disa pakënaqësive nga ana e shoqërisë civile, mediet dhe disa liderë politikë.

    Kosova është përkrahëse e madhe e EULEX-it dhe Qeveria e Kosovës e konsideron këtë mision të sundimit të ligjit si partner të saj.

    Ne presim nga EULEX-i përkrahje që radikalëve të cilët nuk e pranojnë paqen dhe përparimin në Kosovë, t’ua dëshmojmë se ata nuk mund ta kthejnë prapa valën e demokracisë dhe sundimit të ligjit. EULEX-i ka kapacitetet e nevojshme për të bërë ndryshime në Kosovë. Ai ka mundësi ta lartësojë sundimin e ligjit, forcojë luftën kundër korrupsionit, si dhe të hetojë akuzat e ish senatorit zviceran, Dick Marty për krimet e luftës gjatë konfliktit.

    Qeveria e Kosovës e pranon EULEX-in si një arbitër të pavarur të së drejtës i cili është në gjendje ta përcaktojë legjitimitetin e akuzave të z. Marty. Ne apelojmë tek të gjitha palët të dorëzojnë tek prokurorët e EULEX-it informatat dhe provat të cilat mund t’i kenë.

    5. Ekonomia

    I nderuari President,
    mbeten edhe disa çështje të cilat duhet të raportohen nga Kosova.
    Kosova e ka miratuar buxhetin e saj i cili përfshin ngritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publikë, duke filluar nga mësimdhënësit e deri tek policët, mjekët dhe shërbyesit civilë.

    FMN-ja ka shprehur brengosje lidhur me këtë ngritje. Qeveria është në kontakt të ngushtë me partnerët tanë me qëllim të dëshmimit të domosdoshmërisë dhe urtësisë së kësaj ngritjeje. Kosova ka arritur ta mbyllë hendekun në mbledhjen e tatimeve, duke e përmirësuar mbledhjen e të hyrave në mbi 30% krahasuar me vitin e kaluar. Bazuar në parashikimet e FMN-së për vitin 2011, Kosova del të ketë ekonominë me rritjen më të shpejtë në kontinentin evropian. Ne kemi filluar nga një nivel i ultë, por jemi duke u ngritur në mënyrë rapide.

    Kosova është e treta në Evropë në aspekt të lidhjeve të internetit-ëireless. Qeveria e Kosovës veç sa ka filluar me realizimin e planit të ri i cili do ta përkrahë edhe më shumë ngritjen ekonomike. Derisa pjesa tjetër e vendeve ballkanike veç e kanë përfunduar privatizimin e resurseve publike, ne presim të fillojmë me një proces të tillë gjatë këtij viti. Vlera e përgjithshme e investimeve në telekom, energji, bujqësi, turizëm, ski dhe në infrastrukturë gjatë 3 vjetëve të ardhme, pritet ta ngritë edhe më tej rritjen e BPSH-së.

    Kjo do të sigurojë një shtytje të madhe për ekonominë dhe do t’i mundësojë qeverisë që t’ia bartë stafetën e zhvillimit aktorëve privatë që janë të orientuar kah tregu i lirë. Të gjitha bankat e mëdha evropiane, si dhe kompanitë e sigurimit dhe kompanitë e transportit ajror, i kanë hapur zyrat e tyre në Prishtinë. Kryeqyteti ka njërën nga shkallët më të ulëta të krimit nga të gjitha kryeqytetet evropiane.

    Ne jemi të vetëdijshëm se disa ende e lidhin Kosovën me luftën, refugjatët dhe krizat, mirëpo sikurse secili vizitor i Kosovës së pavarur do t’iu thoshte: shteti i ri është dinamik, i ri, duke u rritur dhe i hapur për biznes.

    Që Kosova t’i gëzojë të njëjtat përfitime si shtetet e tjera të Ballkanit, ne duhet që Serbia t’i ndërpresë pengesat ndaj pjesëmarrjes sonë në marrëveshjet e CEFTA-s. Si BE-ja, ashtu edhe Kosova, kanë propozuar kompromise të ndryshme lidhur me çështjen e vulave kufitare që vihen nga ana e Kosovës në pikat kufitare. Na vjen keq që Serbia vazhdon t’i bllokojë prodhuesit tanë në transportimin e mallrave të tyre nëpër Serbi. Veprimet e Serbisë paraqesin mungesë të reciprocitetit kur dihet se Qeveria e Kosovës ua ka hapur dyert të gjitha shteteve të BE-së si dhe kandidatëve potencialë.

    Në fakt, Kosova është partner i rëndësishëm tregtar për Serbinë. Ne shpresojmë se fqinjët tanë së shpejti do të heqin dorë nga bllokimi dhe sanksionimi i prodhuesve tanë.

    6. Regjistrimi i popullsisë

    Të nderuar anëtarë të Këshillit,
    Me lejoni t’ua paraqes edhe një zhvillim pozitiv. Kam kënaqësinë të ju njoftoj se kemi arritur ta përmbyllim me sukses regjistrimin e popullsisë në pothuajse gjithë Kosovën.

    Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 u organizua me ndihmën e Agjencisë Evropiane EUROSTAT dhe të agjencive donatore të cilat e monitoruan procesin kompleks. Në qershor të këtij viti, për herë të parë në tri dekada, ndër informata të tjera, qeveria qendrore do të ketë të dhëna të sakta mbi popullsinë, papunësinë, arsimin, moshën dhe gjininë.

    I kemi bërë lutje Serbisë që t’i ftojë serbët në Komunat e Veriut të Kosovës të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në përputhshmëri me zbatimin e marrëveshjes se UNOPS-it. Jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar që përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë kanë bërë ftesë për bojkotim të këtij regjistrimi të popullsisë të njohur ndërkombëtarisht.

    Regjistrimi i popullsisë tashmë e ka konfirmuar atë që kemi dyshuar tash shumë kohë se mbi një e treta e të gjithë kosovarëve tash jetojnë jashtë vendit, gjë që e bën Kosovën një nga popullatat më të llojllojshme në kontinentin evropian.

    Kosovarët jetojnë dhe punojnë nga Zelanda e Re gjer në Gjermani dhe nga Norvegjia gjer në Afrikë të Jugut. Jemi krenarë që shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit tashmë po kontribuojnë në vendin e tyre përmes transferimit të të hollave dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

    7. Vëzhgime personale

    I nderuar z. President,
    Më lejoni që fare në fund t’i shtoj ca vëzhgime personale mbi rrugëtimin që shtrihet para nesh. Që kur jam zgjedhur në ketë post, kam udhëtuar shumë që ta vlerësoj pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

    Është e qartë se Kosova më nuk është përqendrimi kryesor i diplomacisë ndërkombëtare. Ky është lajm i mirë dhe do të thotë se ka më pak arsye që Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO dhe qarqe të tjera t’i dedikojnë po aq burime Ballkanit sa dikur. NATO e ka zvogëluar numrin e forcave të veta në më pak se 5,000 ushtarë. Është e qartë se Kosova do të ketë gjithnjë e më pak nevojë për mbështetje ushtarake dhe më shumë për investime, shkëmbime kulturore dhe akademike dhe reforma politike e ekonomike.

    Kur dëgjoj se si z. Jeremiq e përshkruan Kosovën, më duhet patjetër ta pyes veten se cilat janë arsyet për versionin e tij të shtrembëruar të Kosovës sot. Ai nuk i njeh faktet në terren. Ne kemi punuar që t’i përmbushim nevojat e komuniteteve minoritare dhe në vitet e fundit kemi investuar mbi 200 milionë euro në zbatimin e Planit te Ahtisaarit. Kosova sot është shtet i ri, i qëndrueshëm, dinamik, i cili ofron mundësi për të gjithë shtetasit e vet.

    I falënderoj Kombet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare që e kanë ndihmuar këtë transformim të Kosovës.

    Këtu dhe në këtë moment, ne e ripërsërisim premtimin se Kosova i përkushtohet paqes dhe stabilitetit në Ballkan, dhe ne e mirëpresim partneritetin e KB-së në përmbushjen e këtij synimi të përbashkët.

    Z. President dhe të nderuar anëtarë të këshillit, ju faleminderit edhe njëherë për vëmendjen.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  4. #64
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Kosova me Ministri për Diasporën
    Kryeministri Thaçi: Ministria e Diasporës do të jetë adresë e vërtetë për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e bashkatdhetarëve tanë dhe forcimi i lidhjes së tyre me vendlindjen

    Në vazhdim Qeveria ka aprovuar Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë e cila ka qëllim përcaktimin e detyrave strategjike në fushën e sigurisë dhe për të mbrojtur vlerat themelore dhe interesat e Republikës së Kosovës, mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.

    Qeveria ka miratuar Projektligjin për Persona të Zhdukur i cili rregullon të drejtën e familjarëve për të ditur fatin e personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Po ashtu me këtë projektligj përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka thënë se ende ekziston një numër i madh i personave të zhdukur, si dhe duke u nisur nga fakti që ende nuk kemi infrastrukturë adekuate ligjore që rregullon këtë çështje, është paraqitur nevoja për nxjerrjen e këtij ligji me qëllim të mënjanimit të zbrazëtirave ligjore. Po sot është miratuar edhe Projektligjit për Ndihmën Shtetërore, me të cilin përcaktohen parimet dhe procedurat, në përputhje me të cilat lejohet dhe kontrollohet ndihma shtetërore, me qëllim që të mbështetet zhvillimi ekonomik dhe social, të zbatohen parimet e funksionimit të ekonomisë së tregut, të mbrohet konkurrenca, si dhe të përmbushen detyrimet e dala nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës.

    Qeveria sot ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 541.000 euro për mbulimin e shpenzimeve të delegacionit të Kosovës për bisedime teknike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë

    Qeveria sot ka aprovuar Planin Hapësinor të Kosovës për vitin 2010-2020 dhe Propozimin për shpalljen e Zonës Ekonomike në Komunën e Lipjanit, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 73 të Ligjit për Miniera dhe Minerale .
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  5. #65
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Thaçi: Të paudhët do të dështojnë, autostrada do të vazhdojë

    Derisa Qeveria mos ta publikojë kontratën me kompaninë “Bechtel&Enka”, Lëvizja Vetëvendosje e konsideron kontratën e zbuluar ditë më parë si origjinale. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë të enjten në seancën e Kuvendit, se kjo kontratë është tepër e pafavorshme, për faktin se është e bërë mbi dëshirat dhe interesat e kompanisë “Bechtel&Enka”, e jo mbi interesat e Kosovës. Por kësaj i është përgjigjur kryeministri Hashim Thaçi, duke thënë se kontrata e zbuluar nga Vetëvendosja nuk është dokumenti final dhe se ky projekt është më madhori në historinë e Kosovës.

    Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se Qeveria e Kosovës e respekton plotësisht kontratën me konsorciumin “Bechtel&Enka”, përfshirë edhe nenet përkatëse që përfshinë konfidencialitetin.

    Sipas tij, Qeveria ka arritur të finalizojë një kontratë shumë të favorshme në interes të vendit dhe qytetarëve, që është bërë me kapacitetet financiare të vendit, pa hyrë në obligime kreditore, siç ndodhë rëndom në rajon, andaj ai ka thënë se është naive dhe joprofesionale të krahasohet kontrata e standardeve ndërkombëtare me kontrata lokale.

    “Nga ata që kundërshtuan marrëveshjen e lirisë së Kosovës në Rambuje, nga ata që refuzonin dokumentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që thonin se nuk do të vijë pavarësia, por erdhi në këtë Kuvend, nga ata që e sollën gjuhën e ulët të dhunës në Kuvend dhe gjuhën e rrugës e instaluan në Kuvend, nga ata që ushtrojnë dhunë në institucione, nuk mund të pritet diçka tjetër. Autostrada do të vazhdojë, individët e paudhë do të dështojnë, por do të kenë kënaqësinë të udhëtojnë në mënyrë shumë komode si në gjithë autostradat e botës”, ka thënë Thaçi.

    Ai ka thënë se projekti për autostradën paraqet projektin më madhor në historinë e Kosovës, është një projekt integrues që Kosovës dhe qytetarëve të saj t’u ofrojë mundësi për qarkullim të lirë, ndërkaq procesi, sipas Thaçit ka qenë më transparent i mundshëm, për të cilin ka pasur një konkurrencë të hapur dhe lojale ndërkombëtare, ku kanë konkurruar 7 kompani, por ka rezultuar më përzgjedhjen e “Bechtel&Enkas”, si ofertuesi më i mirë, më i lirë dhe më i favorshëm për Kosovën.

    Edhe krahasimet e çmimeve të njësive nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Thaçi i ka quajtur qesharake, duke thënë se kjo është sikur të krahasohet çmimi i mollës me çmimin e dardhës, ndërkohë ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë krejtësisht transparente, duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe ligjore.

    Reagimi i kryeministrit Thaçi ka ardhur pas deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes Visar Ymeri, i cili ka thënë se me këtë kontratë shihet se njëra palë i merr të gjitha obligimet, kurse pala tjetër i merr të gjitha përfitimet.

    Ai ka krahasuar deklaratat e dy ministrave të Qeverisë, atij të Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe deklaratën e ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, rreth kësaj kontrate, duke thënë se nuk di se cilit t’i besohet, Mujotës që thotë se ky është një dokument anonim, apo Krasniqit që është thotë se është një nga draftet e kontratës.

    Sidoqoftë, Ymeri ka thënë se edhe kur ministri Krasniqi foli për kontratën, nuk tha se çmimet në kontratën e publikuar nga Vetëvendosja nuk janë të sakta, por tha se këto çmime janë të arsyeshme.

    “Ne shpresojmë të mos jetë kjo kontrata origjinale. Por për sa kohë që kjo qeveri nuk e publikon kurrfarë dokumenti, atëherë kjo mbetet kontrata e vetme publike, me të cilën ka hyrë qeveria me kompaninë “Bechtel&Enka”. Publikimin e kontratës qeveria e ka obligim kushtetues dhe moral”, ka thënë Ymeri.

    Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosja ka ngritur edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, me ç’rast Glauk Konjufca tha se Qeveria e Kosovës po tregon dyfytyrësi me qëndrime kontradiktore, ndërkaq ka kundërshtuar përfshirjen e personave të pagjetur në këtë dialog, duke thënë se të pagjeturit nuk janë kompromis, por janë krimi i Serbisë për të cilin duhet të jap llogari dhe duhet të kushtëzohet.

    Ligjvënësit kanë ngritur edhe çështje të tjera në fillim të seancës së sotme, sikur që ishte kërkesa e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj për kryeministrin dhe ministrinë e Shëndetësisë, por edhe për organet hetimore dhe Agjencionin Kundër Korrupsionit që të merren me tenderin për furnizimin me barna esenciale, duke thënë se me këtë tender po keqpërdoret paraja publike.

    Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni ka propozuar që Ministrisë së Diasporës, për të cilën Qeveria dje ka marrë vendim që ta themelojë, t’i shtohet edhe Migracioni.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka dy kërkesa për debat, kërkesën e deputetit Nait Hasani në lidhje me masakrën në Burgun e Dubravës dhe kërkesën e deputetit Ramiz Lladrovci për debat lidhur me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Interpolin dhe Europolin.

    Në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010 dhe disa raporte të agjencioneve që i raportojnë Kuvendit të Kosovës.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  6. #66
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi emëron z.Ibrahim Makolli, Ministër të Diasporës


    Prishtinë, 23 maj 2011


    Në mbështetje të nenit 94 paragrafi 1 dhe 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 6 të Rregullores nr.02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive, dhe me qëllim të rritjes së performancës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, nxjerr:


    VENDIM


    1. Z. Ibrahim Makolli, emërohet Ministër i Diasporës.
    2. Z. Ibrahim Makolli, kryen detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
    3. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.


    Hashim Thaçi,
    Kryeministër i Republikës së Kosovës
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  7. #67
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979




    Intervistë me ministrin e Arsimit, Ramë Buja


    RKL: Zotri, ministër, cilat janë angazhimet tuaja me përparësi për detyrën e ministrisë së Arsimit, të cilën tashmë e keni filluar?



    Ramë Buja: E kam thënë edhe në mediet e tjera po do ta përsërisë edhe në këtë medie, që e kam shumë për zemër dhe shumë të respektuar, sepse është sinonim i një diçkaje, që është sinonim i një fitoreje të madhe, që nuk e kemi pasur gjatë tërë historisë.

    Dhe po u them se ajo që unë e kam thënë për kusht të veprimit tim, të angazhimit të këtij mandati qeverisës është çështja e cilësisë në arsim, sepse siç e dimë bashkë, përmirësimi nuk është mes ministrive që kanë qenë dështakë, ose që nuk ka pasur rezultate. Ka pasur rezultate të dukshme dhe këto rezultate janë: kuptimi i asaj nismës për të bërë diçka, që është infrastrukturore dhe teknike, për të bërë në shkolla dhe për bërjen e asaj infrastrukture të domosdoshme dhe të realizuar në shumësinë e saj. Tani kemi edhe një pjesë tjetër për ta vazhduar. Por qëllimi im dhe i stafit tim do të jetë realizimi i asaj që e kemi gjithë për zemër, cilësia mësimore, që ajo na çalon dhe nëse mund ta them, se ku jemi me rajon, krahasuar me vendet e tjera nuk qëndrojmë edhe aq mirë, po ne nuk e kemi synim të bëjmë para obligim me rajonin, po kemi pretendime edhe më të mëdha që të barazohemi me para obligimet me Evropën dhe pastaj të ecim në etapat tjera.



    RKL Në cilët sektorë mendoni se mund të arrihet më shumë?



    Ramë Buja: Po synimi im është që të fillohet nga A –ja , që të niset me parashkollorët, filloren, të mesmen e ulët, të mesmen e lartë dhe pastaj të shkojmë në nivelet tjera, po gjithsesi do t’i prekin njerëzit, që dinë të japin më shumë vlerë arsimore edukative në këto nivele.

    Dhe në këtë kuadër, projektet që janë filluar për kualifikimet plus, për arsimtarët e ndryshëm, për t’i aftësuar ata qoftë në Teknologji informative, qoftë në mësimdhënie edhe në forma të tjera që po bëhen. Tani, aktualisht janë 1100 arsimtarë, që po kualifikohen, si thuhet kanë qenë me shkolla të larta, janë tani më duke mbaruar fakultetin, për të qenë më të përgatitur për nivelet mësimore, ato që janë aty dhe pastaj kemi projekte që këtë 1100 posedojnë kaq po 7000 do të vazhdojnë për tu trajnuar pastaj, pastaj trajnimet që i para përmendëm e që vazhduam te Teknologjia informative që të gjithë arsimtarët të certifikohen të marrin certifikata të caktuara për këtë nivel që mos të jenë as ata me moshën që kanë inferiorë ndaj nxënësit dhe nxënësi ta dijë që ka një arsimtar që di se që është teknologjia informative dhe di ta përdorë këtë lëndë dhe format tjera për ti aftësuar ose për të përplotësuar aftësitë e arsimtarëve që i kemi për nivel caktuar.



    RKL Në një takim me përfaqësues të Këshillit Evropian për çështje të arsimit, Ju keni deklaruar se sa i përket teksteve shkollore, në veçanti për tekstet e historisë, do të angazhoheni që të kemi një qasje moderne dhe të pranueshme duke mos lejuar deformimin e historisë, mund të na thoni më shumë për këtë?



    Ramë Buja: Po ne tani kemi një projekt plan dhe një strategji për vitin 2011 – 2016 ku janë përfshirë edhe këto gjëra që i para thatë dhe synimi im është që historia të jetë ajo që është, gjithnjë e vërtetë dhe të mos bëjmë modifikime të saj, që gabojmë rëndë duke i gënjyer gjeneratat që do vijnë dhe që janë, andaj mendimi ynë është që të bisedohet me struktura të tilla, që janë bartës të këtyre teksteve në mënyrë që historia të jetë ajo që është, po gjithsesi yshtës kuptimin negativ ose provokues diçka që është negative.

    Jemi insistues që historia të jetë ajo që është dhe reagimet tona të jenë në këtë qëllim që historia të jetë histori e lakuriqësisë të vërtetuar.



    RKL Pra mendoni që brenda kësaj periudhe, do të arrihet të dalin tekste të reja shkollore me këto përmirësime?



    Ramë Buja: Në vitin 2011- 2016 e kemi edhe planin e veprimit të tërësishëm edhe të këtyre gjërave që i para përmendëm dhe ne do të jemi insistues që këtë strategji dhe këtë plan veprimi ta realizojmë në ato përmasa që të kemi kohësisht dhe cilësisht.



    RKL Cili është bashkëpunimi i ministrisë që ju drejtoni me institucionet e kulturës?



    Ramë Buja: Ne tash e kemi marrë këtë detyrë dhe ju e dini që koha nuk premton shumë mundësi për të pasur edhe shumë sqarime edhe ato nivelet e shfletimit të letrave se ku janë këto nivele. Unë e di që është lënë një nivel jo i pakët i komunikimit dhe marrëveshjes, unë do të jem edhe vazhdues po edhe insistues për ta dendësuar edhe më shumë këtë bashkëpunim .

    Unë besoj që kjo nuk do të pësojë degradim përkundër do të pësojë avancim.



    RKL: Në bazë të rezultateve dhe hulumtimeve që janë bërë, rezulton se arsimi fillor dhe ai i mesëm në të gjitha shkollat e Kosovës, është në një nivel jo edhe aq të kënaqshëm. Çka do të ndërmerrni për të arritur suksese në këtë drejtim?



    R.Buja: Po them, insistimi është që të gjitha nivelet të godasin në kuptimin pozitiv për t’i avancuar njohuritë, dijet dhe pasurinë me këto gjëra. Unë besoj se do të arrihet sepse potencialet janë, mundësitë janë, jo më të mirat, por janë mundësitë optimale për t’i realizuar edhe unë besoj që ato të realizohen. Përkushtimi i njerëzve nuk mungon, mbase do të duhej një angazhim më i madh në menaxhimin e këtyre resurseve , ndryshe nuk besoj se do të jemi të dëshpëruar në këtë drejtim.



    RKL: Për të bërë një krahasim, në mandatin që shkoi është një investim i mjaftueshëm i kënaqshëm në objektet shkollore. Tani gjatë intervistës thoni se do të investohet në cilësi.



    R Buja: Ka mbetur, ta them kushtimisht, edhe pak për të bërë në infrastrukturën shkollore, sepse me ato statistika që i kam për bazë dhe që kam arritur t’i shoh, sepse janë vizita të shumta që janë bërë dhe takime të shumta që kam realizuar, thuhet se 90% e asaj infrastrukture është e mbaruar, e për këtë 10 % që do të vazhdoj unë. Do të mbarojmë sa më shpejt, por gjithsesi cilësia do të jetë vështrimi jonë i veçantë. Unë besoj që kjo gjë mund të realizohet edhe pse kemi një krasitje buxhetore në këtë vit dhe mundësitë i kemi bukur shumë të kufizuara por jam insistues që menaxhimi të jetë edhe më i mirë, në mënyrë që të realizohen ato që kemi si objektiva, sepse mund të kemi ndonjë defekt, por krejtësisht është fjala për defektin financiar dhe buxhetor.



    RKL: Po nëse keni pasur takime me donator të ndryshëm a mendoni se do të keni mundësi të vilni donacione prej tyre?



    R.Buja: Kjo na e shton shpresën dhe mundësinë dhe iu thashë në një takim edhe donatorëve, kur i prita njëherësh të gjithë që ishin dhe erdhën, jo më pakë se 210 pjesëmarrës në atë takim nga mekanizma të ndryshëm, nga Këshilli i Evropës, UNICEF-i, Banka Botërore, Qeveria zvicerane, norvegjeze dhe qeveri të tjera. Unë ju thashë se ndjehem tepër mirë se me këtë ndihmesë që ju keni gatishmëri të më ofroni, ndjehem shumë komod se objektivat e mia do t’i realizoj. Besoj se kjo do të më ndihmojë shumë, që këto objektiva që kemi do t’i realizoj. Sepse ata njerëz, ata mekanizma ndërkombëtarë që janë miq shumë të mëdhenj të arsimit të Kosovës kanë bërë dhe po bëjnë punë shumë serioze.

    Unë u bëra një vizitë dy shkollave të premten, në Skënderaj dhe në Malishevë, dy shkollave që i ka ndërtuar qeveria norvegjeze dhe u fascinova për të mirën që pash. Është investim 14 milionë euro në të dy shkollat. Janë shkolla profesionale, por ishin diçka që unë nuk kam parë në asnjë vend në botë ku kam shkuar me atë infrastrukturë të realizuar. Kjo më gëzoi sepse kjo shkon me atë insistimit tim që cilësia të rritet. Aty punëtorët arsimorë ishin të nivelit të kënaqshëm dhe të mos flasë për anën teknike. Ta zëmë, shkolla e Skenderajt ishte 9 mijë metra katrorë hapësirë, aktualisht kishte 250 nxënës por do të shkojë në 900 e mbase maksimalisht në 1 mijë, sikur ishte shkolla e Malishevës. Kështu që ne insistojmë edhe për objekte të tjera por edhe mundësi trajnimi të stafit pedagogjik, sepse kështu ishte realizuar në këto dy shkolla. Norvegjia kishte realizuar jo njëherë, por trajnime të shumta të këtij stafi, në mënyrë që të jenë në nivel të detyrës, që kanë marrë dhe me sa më thanë ata, janë në nivel të detyrës. Kjo na bënë që të kemi më shumë kurajë, që do të ecim seriozisht përpara.



    RKL: Faleminderit për kohën, suksese dhe të arritura



    R.Buja: Faleminderit dhe sukseset i paçim bashkë.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  8. #68
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979

    Kosova do të ketë Pallatin e Drejtësisë

    Publikuar: Sot, më 24 maj 2011
    Prishtinë, 24 maj - Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar të martën marrëveshjen për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, i cili do të jetë në lagjen Prishtina e Re.
    Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Administratës Publike Mahir Jagxhillar dhe shef i Operacioneve në Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornsson.
    Pallati i Drejtësisë do të ofrojë hapësira adekuate për sistemin gjyqësor dhe do të ndihmojë në përmasimin e shërbimeve. Gjithashtu do të rrisë mirëbesimin në sektorin e drejtësisë, duke përmirësuar efiçencën, pavarësinë, besimin dhe transparencën e sistemit gjyqësor.
    Kjartan Bjornsson, shef i Operacioneve i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, tha Komisioni Evropian ka premtuar mbi 25 milionë euro për realizimin e këtij projekti.
    Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, tha se ligji dhe rendi janë prioritet e vendit tonë dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet ligjeve të mira, gjykatësve profesionalë, të pavarur dhe efikase, dhe në ambiente ku puna dhe qasja e tyre janë një garanci për drejtësi.
    Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar tha Ministria e Administratës Publike, në pajtim me përgjegjësitë e saj, do të jetë një partner serioz përgjatë rrugëtimit të përbashkët për krijimin, ndërtimin e premisave moderne dhe funksionale për të gjitha institucionet në Kosovë, posaçërisht në sektorin e drejtësisë.
    Pallati i Drejtësisë do të jetë katër kilometra larg qendrës së Prishtinës. Përveç pjesëve rezidenciale, komerciale dhe sportive, kjo zonë është shënjuar si zona e ardhme për zhvendosjen e Kuvendit, ministrive kryesore si dhe të departamenteve qeveritare. Do të ketë përfitime nga qasja e afërt në unazën e dytë të brendshme të Prishtinës, e cila do të jetë 200 metra në veri të kompleksit të drejtësisë dhe prej saj është planifikuar qasja në kompleks.
    Kompleksi i propozuar, siç raporton Kosovapress, përbëhet nga pesë ndërtesa periferike, si A – Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme, Gjykatat Komerciale, Gjykata e Lartë për Kundërvajtje dhe Gjykata e Qarkut e Prishtinës; B – Gjykata Komunale dhe Gjykata Komunale për Kundërvajtje; C – Prokurori i Shtetit, Prokurori Special dhe Zyra e Prokurorit Publik Komunal dhe të Qarkut; D – Blloku i sallave për gjykim; E – Gjykata Kushtetuese).
    E tërë zona e kompleksit të Pallatit të Drejtësisë do të ketë 27,000 m2, me parking nëntokësor për rreth 200 vetura.
    Projektimi i Pallatit të Drejtësisë është realizuar në mënyrë të tillë që të sigurohet fleksibilitet, që hapësira fizike të mund të rregullohet për nevoja të ndryshme që do të dalin në të ardhmen. Për më tepër, projektimi merr në konsideratë praktikat e mira të BE-së dhe nivelin teknologjik, përfshirë këtu materiale të përshtatshme për mjedisin dhe energjitë alternative, si energjinë diellore dhe gjeotermale.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  9. #69
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Kandidatët për zëvendësministra

    Nga Express më 24 maj 2011 në ora 19:42

    Kryeministri Hashim Thaçi ka filluar të merret me kompletimin e kabinetit qeveritar.

    Burime të Express kanë bërë të ditur të martën se kreu i ekzekutivit ka marrë disa vendime për emërimin e disa zëvendësministrave, por zyrtarisht Qeveria nuk ka njoftuar për këto vendime.

    “Të martën Kryeministri ka emëruar disa zëvendësministra, por ende nuk ka përfunduar ky proces”, ka thënë në kushte anonime një zyrtar i lartë në Qeveri.

    Emrat që të martën kanë qarkulluar në tavolinën e Kryeministrit Thaçi, për të cilët nuk konfirmohet zyrtarisht se janë të emëruar si zëvendësministra janë:
    Ministria e Administratës Publike: Hajredin Hyseni (PDK), Serbolub Gjokik (SLS).

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal: Basri Musmurati (PDK), Rifat Krasniq (KDTP). Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë: Nehat Mustafa (PDK), Usmen Daldzi (VAKAT). Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: Xhabir Morina (PDK), Jashar Qukici (PREBK). Ministria e Drejtësisë: Daut Xhemjli (PDK). Ministria e Zhvillimit Ekonomik: Gani Koci (PDK), Ramadan Hasani (KKR). Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës: Nuredin Lushtaku (PDK), Slavisha Filipoviq (SLS) Bejtush Gashi (KKR). Ministria për Komunitete dhe Kthim: Emin Krasniqi(PDK), Husnije Beskoviq (VAKAT). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit: Hajdin Abazi (PDK), Gani Elshani (PDAK). Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Shpëtim Rudi (KKR). Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale: Fatmir Shurdha (PDK). Ministria e Punëve të Brendshme: Sasha Rashiq (SLS), Ismet Ibishi (KKR). Ministria e Punëve të Jashtme: Ibrahim Gashi (KKR). Ministria e Shëndetësisë: Naim Fetahu (PDK), Kadir Husein (KDTP). Ministria e Infrastrukturës: Ilhami Gashi (PDK), Banush Pacolli (KKR).
    Ministria e Tregtisë dhe Industrisë: Cuneyd Ustaibo (KDTP). Ministria e Diasporës: Berat Luzha (PDK), Qerim Bajrami (VAKAT).
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  10. #70
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Thaçi: Vazhdojmë të punojmë fuqishëm

    Nga Express më 25 maj 2011 në ora 17:43

    Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar si të suksesshme vizitën e para disa ditëve të presidentit të Komisionit Evropian, Jose Barroso dhe komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle, duke e cilësuar këtë si një mesazh të qartë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Ai komente i bëri të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, me ç’rast falënderoi Barroson dhe Fylen për vizitën e tyre, ndërkaq po ashtu ka falënderuar edhe shefen e diplomacisë evropiane, baroneshën Catherine Ashton për vizitën që do ta zhvillojë të premten në Prishtinë.

    “Siç e dini javën e kaluar Kosovën e vizituan presidenti Barroso dhe zoti Fyle. Ka qenë një fokusim i Brukselit për Kosovën dhe rajonin për të përcjell nga afër me vizitat e tyre shtetin e ri të Kosovës me perspektivë evropiane. Ka qenë vizitë shumë e suksesshme, me mesazhe të qarta për të ardhmen e sigurt të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe strukturat tjera euroatlantike, që të hapet sa më shpejt procesi për dialogun për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënie tregtare me BE-në. Ne do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm për realizimin apo implementimin e të gjitha kritereve demokratike, të domosdoshme për këto procese të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Thaçi, siç transmeton Kosovapress.

    Ai ka thënë se në kuadër të agjendës evropiane për Kosovën dhe rajonin, dhe në kuadër të koordinimit të politikave Prishtinë-Bruksel, do të jetë edhe vizita e baroneshës Ashton të premten.

    Në këtë vizitë, sipas Thaçit, do të fuqizohet angazhimi i Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës për të ardhmen më të shpejtë evropiane të Kosovës.

    Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se edhe në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova do të jetë e përgjegjshme dhe e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve teknike.

    “Në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës është duke përcjellë nga afër pjesëmarrjen e saj të përgjegjshme me dialogun për normalizimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin institucional mes Kosovës dhe Serbisë, që si parakusht për të ardhmen evropiane të dy vendeve dhe rajonit është normalizimi i marrëdhënieve, por edhe fqinjësia e mirë. Pra, në këtë drejtim në këtë proces të dialogut për çështje teknike Kosova do të jetë e përgjegjshme dhe natyrisht gjithmonë e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve teknike sipas propozimeve dhe modeleve evropiane, që forcojnë shtetin dhe sovranitetin tonë gjithashtu”, është shprehur Thaçi.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për nismat legjislative, e cila përcakton rregullat dhe procedurat për nismat legjislative nga autoritetet relevante, duke përfshirë presidenten, deputetët, qeverinë dhe më së paku 10 mijë qytetarë me të drejtë vote.

    Po ashtu, Qeveria ka shtuar në Strategjinë legjislative për vitin 2011, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mërgatën e Kosovës, por ndërkohë ka hequr nga kjo strategji, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftimet.

    Kabineti qeveritar ka miratuar edhe propozim-vendimin për fillimin e procedurës për zgjedhjen e një anëtari në Bordin e Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale, propozim-vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat ndodhen në zonën kadastrale të Hajvalisë për qëllime të ndërtimit të Universitetit Amerikan në Kosovë dhe propozim-vendimi për emërimin e kryeinspektorit të punës në trupën Ekzekutive të Inspektoratit të Punës në Kosovë.

    Po ashtu, anëtarët e kabinetit qeveritar kanë miratuar edhe propozim-vendimin për dhënien e opinionit për Kuvendin e Kosovës lidhur me emërimin e anëtarit dhe kryesuesit në Bordin e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke propozuar dy kandidatë, Ejup Qerimin dhe Ymer Havollin për këtë post.

    Ndërkohë, me propozim të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kabineti qeveritar ka ndarë një shumë prej 20 mijë eurosh si ndihmë shtetit të Santa Luçias, i cili është goditur nga një katastrofë natyrore.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

Faqja 7 prej 10 FillimFillim ... 56789 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •