Rriten mosmarrëveshjet për sulmet e koalicionit në Libi
Rreth 12 orë bombardime mbi Misrata nga forcat e koalicionit kanë përzënë besnikët e Gedafit nga qyteti, ku ata po sulmonin përgjakshëm për të pestën ditë radhazi.Sulmi i fundit i forcave të Gedafit në qytetin e mbajtur prej rebelëve ka kushtuar 100 jetë, 60 prej të cilëve ishin civilë. Sulmet kishin nisur pak pas mesnatës dhe kishin shkatërruar tanket dhe artilerinë e Gedafit. Sulme ka pasur edhe në rrethinat e Benghazit, dhe në qytetin Ajdaybia. Ndërkohë, Liga e Vendeve Afrikanë është solidarizuar me Gedafin. Lidera të disa vendeve afrikane e kanë dënuar ndërhyrjen e koalicionit perëndimor në Libi, mes tyre Afrika e Jugut, Zimbabve dhe Uganda. Presidenti i Ugandës, Joueri Museveni, e akuzoi perëndimin për përdorimin e një standardi të dyfishtë në vlerësimin e krizave në botë. Ndërsa presidenti Zuma i Afrikës së Jugut, edhe pse votoi në favor të rezolutës së OKB-së, i kundërshtoi bombardimet, të cilat i konsideroi si mjet për të ndërruar regjimin dhe jo për të mbrojtur qytetarët libianë. Edhe Nigeria e Namibia kanë bërë thirrje për ndërprerjen e bombardimeve. Kritika ndaj sulmeve të koalicionit ka pasur edhe nga Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul. Ai ka paralajmëruar forcat e koalicionit që kanë ndërhyrë në Libi, se ndjekja e çdo axhende të mundshme të fshehtë do të ishte e rrezikshme. Gul deklaroi se dukej qartë se disa vende pjesëtare të koalicionit po e përdorin këtë konflikt “për të treguar muskujt e tyre”. Ai bëri thirrje për dorëheqjen e Gedafit, për t’i dhënë fund kësaj krize. Sa për koalicionin, shumë shpejt Komanda do të kalojë nga SHBA-ja te NATO. Britania, Franca dhe SHBA-ja kanë rënë dakord që komandën ushtarake të misionit për të respektuar vendosjen e plotë të zonës së ndalim-fluturimit në Libi do ta marrë NATO. Vendimi është një hap prapa për presidentin francez Nikolas Sarkozi, i cili shpresonte të kishte një rol më të madh në aleancë. Barak Obama ka rënë dakord në biseda të veçanta telefonike me Sarkozinë dhe David Kameron se mbikëqyrja politike do t’i dërgohet një organi të veçantë të përbërë nga anëtarë të koalicionit, përfshirë vende arabe si Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë jashtë NATO-s. Dje, anijet e NATO-s kanë nisur patrullimin në brigjet libiane. Avionët e Britanisë dje shënuan ditën e dytë të hyrjes në mision. Sipas oficerëve britanikë, tashmë duket se Libia nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje ajrore. Ndërkohë, të martën e ardhshme në Britani do të organizohet një konferencë ndërkombëtare për Libinë. Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, i ka kërkuar Gedafit të largohet nga Libia, dhe i ka bërë thirrje qarqeve afër tij që “të marrin vendimin e duhur”. Ndërsa kryeministri rus, Vladimir Putin, ka vazhduar të shprehë kritika mbi sulmet ajrore, duke u deklaruar i shqetësuar për vrasjen e civilëve. “Çfarë shohim ne sot? Bombardime në të gjithë territorin e vendit”, tha kryeministri rus gjatë vizitës në Beograd, ku Serbia po përgatitet të përkujtojë bombardimet e saj nga NATO.
Gedafi në ekran, thirrje për bashkim në luftë
Gedafi ka mbajtur një tjetër fjalim përpara mbështetësve të tij, ku i ka siguruar ata se “Ne nuk do të dorëzohemi”. “Ne do t’i mundim ata me çdo mjet. Ne jemi gati për të luftuar, qoftë kjo një luftë e shkurtër apo e gjatë. Në fund ne do të triumfojmë”, tha ai në një transmetim të drejtpërdrejtë, paraqitja e tij e parë publike prej një jave. “Ky sulm, po bëhet nga një tufë fashistësh dhe do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë”, kështu u shpreh Gedafi në fjalimin e pasuar nga fishekzjarrët, ndërsa truma në kryeqytetin libian brohoriste emrin e tij dhe qëllonte me armë në ajër. “Unë qëndroj këtu me legjitimitet dhe nuk u druhem avionëve që mbjellin vdekje. Le të manifestojmë të gjithë kundër kolonizimit. Po përballemi me një agresion të padrejtë. Amerikanët dhe europianët janë nazistët e kohëve moderne”, tha ai. Dalja publike e Gedafit u bë pas rritjes së zërave se mbi vendndodhjen e tij, pas dy bombardimeve në kompleksin e tij rezidencial, Bab al-Aziziya, ku një nga burimet e opozitës kishte raportuar se ai ishte fshehur në një vend thellë në Sahara. “Unë jam këtu, në tendën time modeste”, tha Gedafi. “Unë jam këtu”.
Mesazhet
Banorëve të Tripolit po u dërgohen mesazhe, të cilat thuhet se janë prej rebelëve në Benghazi, por në fakt janë dërguar nga regjimi i Gedafit. Tekstet e mesazheve thonë se vendi do të ndahet më dysh dhe se rebelët nga Benghazi janë drejtuar në perëndim të vendit për të përdhunuar dhe masakruar në Tripoli, me ndihmën e fuqive perëndimore. Ndërkohë, televizioni në Tripoli po tregon pamje të njerëzve të vdekur, për të cilët reporterët thonë se janë vrarë nga bombardimet e koalicionit. Megjithatë, disa nga të vdekurit janë njohur nga shikuesit si të afërm që janë zhdukur gjatë grusht-shtetit të Gedafit në Tripoli.
1,6 mld dollarë
Suedia ka ngrirë rreth 10 miliardë kronor (1.6 miliardë dollarë) të aseteve që i përkasin regjimit të Muamar Gedafit në Libi. Sipas AP. Jonatan Holst, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Suedi, thuhet “se nuk është e pamundur” që të ketë pasuri të tjera të fshehura në vendin skandinav. Ai tha se nuk do të japë detaje mbi asetet publike, por tha se informacioni është marrë nga institucionet financiare në Suedi. Mbikëqyrësi me bazë në Stokholm i ka urdhëruar kompanitë suedeze të nisin raportimin mbi lidhjet financiare të regjimit libian. Holst tha se vlera rritet, ndërsa më shumë njerëz që kanë lidhje me regjimin janë shtuar në listën e kërkimit.
Kryeministri i qeverisë rebele
Këshilli i rebelëve në Benghazi ka krijuar një trup qeverisës. Mahmoud Jibril, një ekspert i shkolluar në SHBA, i cili ka dezertuar nga qeveria e Gedafit me nisjen e protestave, është emëruar kreu i kësaj qeverie. Byroja e Informacionit për Libinë demokratike ka publikuar një CV të kreut të qeverisë së përkohshme të rebelëve. I edukuar në Universitetin e Pitsburgut në SHBA, ai drejtoi skuadrën që formoi manualin e trajnimit për Arabinë e bashkuar. Ai ka bërë programe trajnimi për menaxhimin e lartë në vende arabe si Egjipti, Arabia Saudite, Libia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Jordania, Bahreini, Maroku, Tunizia, Turqia dhe Britania. Qeveria e përkohshme e rebelëve do të ngrejë edhe një televizion të sajin të pavarur, sipas “Guardian”. Baza e tij do të jetë në Katar dhe do të transmetohet në Libi pa pagesë.
PanoramA
Krijoni Kontakt