Evakuohet nga Libia për në Turqi studenti shqiptar shkodran
Studenti shkodran që ndiqte shkollën në Libi është evakuar nga ky vend për në Turqi dhe pritet kthimi i tij në atdhe. Këtë e konfirmojnë të afërm të tij, që shprehen se ndonëse nuk kanë komunikuar me të, lajmin e kanë mësuar nga përfaqësuesi i Kosovës në vendin tonë, Gani Veseli.
Mësohet se Durim Kasemi, nga fshati Kuç i Shkodrës, së bashku me disa studentë nga Kosova, janë larguar nga Libia drejt Turqisë me avion dhe më pas do kalojnë në vendet e tyre. Familjarët e Durim Kasemit presin ardhjen e tij pranë familjes, pasi prej disa ditësh kishin humbur çdo kontakt me të. Durim Kasemi 23 vjeç, që nga viti i kaluar kishte nisur studimet në Libi.
********
"I bëjmë apel shtetit shqiptar që të kujdeset për djalin tonë student në Libi pasi prej katër ditësh janë humbur gjithë kontaktet me të". Familjarë e të afërm të Durim Kasemit, 23 vjeç nga fshati Kuç i komunës Guri i Zi në Shkodër, kërkojnë ndihmën e shtetit shqiptar permes ambasadës sonë në Libi, për të mësuar për fatin e njeriut të tyre.
Taip Kasemi. xhaxhai i studentit nga Shkodra, Durim Kasemi, tregon se prej katër ditësh kanë humbur kontaktet me të si permes internetit ashtu dhe në telefon.
"Ai ka marrë vazhdimisht në telefon por prej katër ditësh telefoni i tij del i fikur dhe me internet nuk komunikohet. Jemi të shqetësuar mjaft pasi nuk dimë asgjë për fatin e tij, ndërsa dëgjojmë se atje ka mjaft viktima nga trazirat që po ndodhin. Durimi ka një vit që studion në Libi për literaturë islamike"
Xhaxhai I tij, u shprehet se "kërkojmë nga shteti që përmes institucioneve të tij të marrë në mbrojtje shtetasit e vet atje.Ne nuk dimë ku ta kërkojmë pasi nuk njohim ndonjë shqiptar tjetër që studion me Durimin në Libi"- shprehet Taip Kasemi.
``SHEKULLI``
Krijoni Kontakt