Zbardhet videoja 2, ku ndahen 70 mijë euro mbi tavolinë
MAPO
Habjon Hasani 17-02-2011 10:35
Tiranë- Videoja e dytë e Dritan Priftit, e zbuluar nga eksperti amerikan, ku ai shfaqet duke ndarë 70 mijë euro me ish-vartësin e tij, konsiderohet një provë e pakontestueshme mbi këtë aferë korruptive. Videoja e fshirë nga lap-topi i Priftit, e rikuperuar më pas nga eksperti amerikan Glen Bard, jep shumë detaje, të qarta në figurë dhe në zë, mbi gjithçka që ka ndodhur në banesën e ish-ministrit Dritan Prifti, pasditen e 11 marsit 2010. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se videoja prej rreth 30 minutash është mjaft e qartë nga pikëpamja teknike, ndaj edhe thirrja e Priftit për të dhënë shpjegime mbi të ka qenë e panevojshme në këtë fazë të hetimit. Të paktën në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor, pasi e ka parë e analizuar atë. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se dy elementë teknikë të rëndësishëm, audio dhe video, janë të një cilësie mjaft të mirë, shumë më të qarta se video Meta-Prifti, zërin e së cilës eksperti amerikan nuk ka arritur dot të pastrojë të gjithin.
Po përtej këtyre detajeve teknike, çfarë është biseduar mes Dritan Priftit dhe ish-zv. ministrit Leonard Beqiraj, në këtë video të zbuluar krejt papritur? Burime të rezervuara i thanë MAPO-s se fillimisht shfaqet ish-ministri Prifti, duke ndezur kameran regjistruese, e cila ka qenë e vendosur në të njëjtën orë me të cilën është bërë edhe regjistrimi i video-përgjimit Meta-Prifti. Ambienti këtë herë është dhoma e ndenjes në apartamentin e Dritan Priftit, ku shfaqet zv. ministri Leonard Beqiri. Biseda mes tyre, para se mbi tavolinë të “hidhej” një shumë e konsiderueshme parash, ka qenë e shkurtër.
Ç’është më e rëndësishme, gjithë shuma e parave, që sipas hetimit janë rreth 70 mijë euro, janë vendosur mbi tavolinë, ndërsa Leonard Beqiri i bënte me dije shefit të vet të asaj kohe se këto para janë për ta. Fillimisht, ish-ministri Dritan Prifti ka refuzuar marrjen e parave. Gjatë bisedës së përgjuar mes dy personazheve, Prifti ka përmendur edhe emrin e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Por përgjigjja e Leonard Beqirit e ka bindur më pas të pranojë pjesën e vet të parave. Burimet pohojnë se ish-zv.ministri Leonard Beqiri thotë se paratë janë për ta, duke nënkuptuar që Ilir Meta nuk duhej të ngatërrohej me këtë çështje. Gjatë gjithë kohës që është zhvilluar kjo bisedë, sipas pamjeve filmike, shuma prej 70 mijë eurosh ka qëndruar mbi tavolinë, derisa ish-ministri Prifti ka pranuar në heshtje të marrë pjesën e tij. Pas këtij momenti, biseda shef-vartës ka vijuar me të dhëna të tjera, përmbajtja e të cilave u paralajmërua dy ditë më parë nga vetë z. Prifti, i cili tha se kjo video është shembulli më i mirë për të vërtetuar bisedat në video-përgjimin mes tij dhe Ilir Metës.
Sipas Prokurorisë, gjithë pjesa tjetër e bisedës mes Beqirit dhe Priftit përmban idicie të rëndësishme për afera të tjera korruptive, që do të përdoren gjatë hetimit të çështjes dhe për këtë arsye ato janë mbajtur konfidenciale, të paktën momentalisht. Burime të rezervuara thanë se pjesa më kryesore e videos, është momenti i ndarjes së parave mes dy personave që shfaqen në video, provë kjo e mjaftueshme për të ngritur akuzë penale ndaj dy protagonistëve të videos, të cilët fillimisht do të thirren për të dhënë shpjegime rreth episodeve të shfaqura në filmimin e fshirë nga lap-topi i ish-ministrit Dritan Prifti.
Krijoni Kontakt