
Postuar më parë nga
ARIANI_TB
Prishtinë, 16 shkurt – Kosova po bëhet rast sui-generis edhe për një gjë – ndonëse vend ku qeveriset në mënyrë demokratike, është pakica ajo që do ta mbajë pushtetin gjatë mandatit të ardhshëm.
Nëse subjektet që do ta përbëjnë koalicionin janë ato që i ka përmendur i nominuari i PDK-së për kryeministër, Hashim Thaçi, atëherë qeveria ka mbështetjen e vetëm 48 prej 100 deputetëve që zënë ulëse në Kuvend, falë votës së elektoratit. PDK-ja ka 34 deputetë, KKR-ja 8, lista “Dr. Ibrahim Rugova” 1 dhe minoritetet 5. Tri subjektet shqiptare në opozitë kanë 52 deputetët e tjerë – LDK-ja 27, lëvizja “Vetëvendosje” 14 dhe AAK-ja 11.
Kësisoj, PDK-ja, si parti e parë, do të mundë të qeverisë falë sigurimit të mbështetjes nga deputetë të subjekteve të komuniteteve pakicë, që kanë 20 vende të garantuara me Kushtetutë. 17 nga ta pritet ta mbështesin qeverinë e ndërtuar nga kjo parti, ndërsa 3 të tjerë, 2 serbë dhe 1 ashkali, duan të mbeten në opozitë.
Por, derisa Kosova ka të tillë rregullim kushtetues, për PDK-në nuk përbën problem se institucionet do të mbështeten nga deputetë që kanë ardhur me votë të drejtpërdrejtë, apo nga garantimi kushtetues i ulëseve të tyre.
“Ne jemi një vend demokratik dhe një republikë demokratike. Sistemi parlamentar që kemi është ky që është, prandaj edhe fuqia jonë në këto institucione, për mendimin tonë, është jashtëzakonisht e mirëfilltë”, ka thënë Enver Hoxhaj, anëtar i Kryesisë së PDK-së. “Mbështetja dhe legjitimiteti i qeverisë së ardhshme dhe përfaqësimi i saktë pasqyrohet mbi të gjitha në votat që i ka PDK-ja”.
Prej zgjedhjeve nacionale të 2007-s, PDK-ja është parti e parë në Kosovë. Ajo ka shumicën e komunave, ndërsa edhe në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vjetëm ka shënuar rritje të lehtë, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirëpo, nuk e ka shumicën e nevojshme për t’i krijuar institucionet vetë, ngaqë ka fituar vetëm diçka më shumë se 32 për qind të votave.
Kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi, gjatë tre vjetëve të fundit ka drejtuar qeverinë, e cila ka pasur mbështetje shumë më të gjerë në Kuvend, sesa kjo e tashmja që pritet ta ndërtojë. Koalicioni PDK-LDK kishte 62 prej 100 deputetëve që në Kuvend vijnë me votë të drejtpërdrejtë.
LDK-ja tash është përcaktuar të qëndrojë në opozitë. Lidershipi i ri i kësaj partie qysh në fushatën elektorale është përcaktuar të mos bashkëqeverisë më me PDK-në dhe ka premtuar se, në rast se mbetet në opozitë, më së largu në shtatorin e sivjetmë do ta rrëzojë çfarëdo qeverie që aplikon politika të dëmshme për shtetin.
Kujtim Shala, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se mund të ndodhë e kundërta nëse qeveria do të aplikojë politika të mira.
“Nëse do të kalojë në Kuvend dhe të votohet, atëherë do të jetë një qeveri e dobët. Më e dobëta që ka pasur Kosova në dekadën e fundit. Qëllimi i LDK-së është që Kosova të ketë institucione të qëndrueshme dhe legjitime”, ka thënë Shala. “LDK-ja do të kontestojë gjithçka që nuk është në interes të Kosovës, por do të përkrahë edhe çdo punë të mirë të qeverisë”.
Shala ka thënë se vendet e rezervuara në Kuvend burojnë nga dispozitat kushtetuese, ani se janë përcaktuar arbitrarisht. Por, ka konsideruar se mandatet që burojnë direkt nga vota përbëjnë treguesin se qeveria është shumë më e dobët se opozita.
Mirëpo, Enver Hoxhaj i PDK-së ka insistuar se fuqia politike e secilit deputet është e njëjtë dhe ajo nuk varet nga fakti nëse dikush ka të rezervuar vend në Kuvend, apo vjen aty falë votave që merr.
“Përderisa ne kemi në fuqi këtë sistem politik dhe këtë Kushtetutë, e cila e rregullon shpërndarjen e vendeve në parlament, që garanton të drejta të rezervuara për komunitetet, nuk mund të vihet në dyshim fuqia politike e këtij deputeti dhe pafuqia politike e një deputeti të caktuar”, ka thënë Hoxhaj. “Ne mendojmë që fuqia qeverisëse varet, jo vetëm nga numrat në Kuvendin e Kosovës, të cilët pa dyshim PDK-ja dhe partnerët e saj të koalicionit i kanë, por varet edhe nga mbështetja që kanë vetë njerëzit që do të jenë në qeveri, nga përvoja e tyre profesionale dhe në të njëjtën kohë nga kualifikimi që ofrojnë për pozita të caktuara”, ka shtuar ai.
I nominuari i PDK-së për kryeministër, Hashim Thaçi, ka deklaruar se qeveria që do të ndërtojë do të mbështetet së paku nga 65 deputetë. Midis tyre, ka përmendur 22 deputetë të subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet.
Krijoni Kontakt