AAK-ja do të mbështesë kundërkandidatin eventual të Pacollit
Publikuar: Sot, më 20 shkurt 2011
http://www.kohaditore.com/repository...dauthajra4.jpg
Prishtinë 20 shkurt - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhjen e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe AKR-së e quan koalicion të interesave të dy njerëzve, Thaçit e Pacollit, e jo koalicion të koncepteve e programeve. Kështu tha anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, në një intervistë për “Zëri”.
Ky koalicion, sipas Haradinajt, është bërë në vija të ngushta dhe nuk pritet që t’i hapë perspektivë vendit, por përkundrazi, siç thotë ai, “vetëm sa do ta dëmtojë edhe më shumë Kosovën”.
Hyrjen e Listës Dr. Ibrahim Rugova në qeveri me PDK-në e Hashim Thaçit, ndonëse ishte në koalicion parazgjedhor me AAK-në, Haradinaj nuk e quan tradhti.
“Pas zgjedhjeve, secili i ka drejtimet e veta. Nuk e mendoj këtë si tradhti nga ana e Ukë Rugovës dhe Listës”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse Pacolli do ta ketë një kundërkandidat, si Jakup Krasniqin apo Adem Demaçin, AAK-ja do ta mbështesë kundërkandidatin fuqishëm.
Daut Haradinaj është shprehur i bindur se kjo qeveri nuk do të arrijë në asnjë formë ta përfundojë mandatin katërvjeçar. Ai thotë se partia e tij do të bëjë çmos që “sa më shpejt ta çojë te shpija këtë qeveri”.
Sipas anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Kosova nuk ka nevojë që me Serbinë të bisedojë për çështjet që i takojnë asaj. Me Serbinë “duhet të bisedohet vetëm për çështje teknike”, tha Haradinaj, derisa e konsideron të paprekshme Pakon e Ahtisaarit.
“Mendoj se ato shtete që e kanë njohur Kosovën nuk do të lejojnë që të ketë një ndryshim të Pakos së Ahtisaarit, për shkak se një ndryshim i tillë do të hapë telashe të reja”, ka thënë ai.
Sipas Daut Haradinajt, Kosova tre vjet pas pavarësisë është shumë më keq se para shpalljes së pavarësisë.
Krijoni Kontakt