Historianët: Skenare për shlyerjen e elementeve iliro-dardane 15/02/2011 13:56:38
Shoqata e Historianëve Shqiptar në Maqedoni ka shprehur shqetësimet lidhur me ngjarjet e fundit dhe incidentet në Kalanë e Shkupit dhe tentimet për zhbërjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Shoqata jonë ruan kontinuitetin e reagimeve të veta rreth kësaj çështjeje që nga viti 2007 kur deklaruam se gërmimet në Kalanë e Shkupit kanë prapavijë politike dhe kryesynimi i këtyre gërmimeve është fshirja e elementeve iliro-dardane nga historia shumëshekullore e Kalasë. Ndërtimi tinëzar i kishës, natën dhe në dimër duke sjellë punëtorë ndërtimor nga Manastiri, edhe përskaj premtimeve se ndalohen punët rreth ndërtimit, tregon se ky projekt është prodhim i njerëzve me agjendë të rrezikshme për ardhmërinë e vendit dhe duan përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike”, thekson SHHSHM.
Shoqata e historianëve, bashkë me shoqatat tjera joqeveritare shqiptare në vend, do të vazhdojë qëndrimin e vet parimor në zbardhjen e të vërtetave historike pa kurrfarë kompromisi.
“ Do të vazhdojmë të mbështesim nismat e secilit që kanë për qëllim mbrojtjen e dinjitetit të historisë sonë të lavdishme shumëshekullore, Kalasë, Shkupit dhe kulturës iliro-shqiptare. I porosisim ata të cilët tentojnë të vjedhin historinë tonë siç ishte rasti me Skënderbeun, Nënën Terezë, enciklopedinë, Kalanë, etj., se nuk do të ju lejojmë hapësirë për ti realizuar projektet dhe planet e tyre djallëzore”, thuhet në fund të reagimit të SHHSHM-së. (INA)
Krijoni Kontakt