Nga Express më 12 shkurt 2011 në ora 14:20
Drejtuesit e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe Visar Ymeri, janë takuar mbrëmë me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Thomas Countryman, si dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
“Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë, por edhe rreth Kosovës, me përqendrim të veçantë në negociatat e reja që po përgatiten të ndodhin mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i takimit ishte më shumë informues, ku secila palë i shfaqi pikëpamjet dhe bindjet e veta për problemet politike që i ka Kosova dhe zgjidhjet për to”, thuhet në një komunikatë shtypi të lëshuar nga “Vetëvendosja”.
Përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” u treguan zyrtarëve amerikanë për qëndrimet e programin e “Vetëvendosjes”, si dhe për arsyet pse i konsiderojmë negociatat me Serbinë të padrejta, asimetrike dhe të rrezikshme për Kosovën.
Ambasadori Dell, gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 dhjetorit, kishte deklaruar se lëvizja “Vetëvendosje” ende nuk e ka dëshmuar veten se është e denjë për vizitën e tij. Ndërkohë ai kishte vizituar Partinë Fryma e Re dhe disa subjekte të tjera politike.
Ambasadori amerikan në Kosovë e kishte kritikuar “Vetëvendosjen” se nuk po i përfillë rregullat e lojës, duke mos nënshkruar Kodin e Mirësjelljes për fushatën zgjedhore.
Këto deklarata i kishin shërbyer edhe liderit të PDK-së, Thaçi, që ta cilësojë “Vetëvendosjen”, subjekt me të cilin nuk bashkëpunon SHBA-ja.
Krijoni Kontakt