Sabri Hamiti fiton çmimin e madh të letërsisë 2010

TIRANË- Shkrimtari dhe studjuesi Sabri Hamiti u shpall fitues i “Çmimit të Madh të Letërsisë 2010”, me veprën “Poetika Shqipe” sot paradite në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë.

Pas marrjes së çmimit nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj, vetë Hamiti tha se “këtë libër, që kolegët e mi e dallojnë, është në të vërtetë vetëm një titull në trajtën e shquar të një nëntitulli prej 40 vitesh të studimeve të mia letrare”, tha Hamiti.

Nëntë çmime të tjera u ndanë në MTKRS nga emra të njohur të letrave shqipe të përzgjedhur nga juria me kryetar studjuesin Agron Tufa dhe antarë: Bardhyl Londo, Persida Asllani, Virgjil Muçi dhe Balil Gjini.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mes shkrimtarëve, përkthyesve e personaliteteve të kulturës i pranishëm ishte edhe Ministri i MTKRS-së Ferdinand Xhaferaj, që çmoi se “çmimet Kombëtare të Letërsisë orjentohen drejt një përqasjeje të dyfishtë, nga njëra anë përpiqemi të vlersojmë traditën kombëtare dhe nga ana tjetër përpiqemi të promovojmë prirjet e reja që përshkojnë rrjedhën e letërsisë shqipe".

Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë kthyer në një traditë nga MTKRS, juria e të cilave vlerëson veprat më të mira të gjinive të ndryshme, risitë dhe dukuritë letrare të tyre, gjatë një një viti.

(m.a/ata/BalkanWeb)