Deri përpara botimit të romanit, “Kodi i Da Vinçit”, të Dan Braunit, askush nuk kishte dëgjuar në Shqipëri për urdhrin e kishës Katolike Opus Dei. Ndoshta i panjohur për të gjithë, por një pjesë e shqiptarëve, pa e ditur, ishin bërë pjesë e aktiviteteve që urdhri i shenjtë ushtronte prej vitesh në vend. Ata qenë përfshirë në shumë programe që organizata e famshme katolike kryente në vendet e varfra, ku përfshihej dhe Shqipëria. E ndërsa të pyetur direkt, autoritetet e Kishës e mohojnë praninë e Opus Dei-t në Shqipëri, vetë organizata në fjalë është ajo që tregon se jo vetëm ka vepruar në Shqipëri, por madje ka patur edhe mjaft sukses. Në një botim të vetë organizatës, të quajtur buletini “Romana”, zbulohet se Opus Dei, i konsideruar si krahu më radikal i Kishës Katolike, prej 1995-ës ka kryer dhe vazhdon të kryejë operacione periodike në Shqipëri. Të tjera botime rreth aktiviteteve ndërkombëtare të Opus Dei, vërtetojnë se urdhri katolik ka qenë aktiv në Shqipëri me ardhjen e sistemit pluralist. Sikurse thuhet edhe në këtë shkrim, tregohet qartazi se Opus Dei ka marrë pjesë në programe të ndihmave emergjente nga Peruja në Shqipëri prej vitit 1993, dhe se ka pasur shtrirje gati në gjithë Europën Lindore. Por, po t’i referohemi periodikut “Romana”, në buletinin e 21-të, korrik-dhjetor 1995, në të njëjtin shkrim të sipërpërmendur thuhet se, Opus Dei ka vepruar në Shqipëri si një organizatë, që veç misionit fetar ka funksionuar me kontribute humanitare duke ngritur rishtaz kampe pune në fshatin Blinisht të Lezhës. Në terren, kjo konfirmohet edhe nga banorët.

Të dhëna për organizatën
Të gjithë atje, kanë dijeni për një mision fetar të mbërritur në fillim vitet e demokracisë, por askush nuk e ka idenë për çfarë urdhri katolik bëhet fjalë dhe a është ai i lakuar si i përfshirë në përndjekje me natyrë mistike. Me mirënjohje të thellë për kontributin kishtar në zonë, por edhe shumë aktivitete bamirëse, njerëzit e këtij fshati vazhdojnë t’i bëjnë jehonë edhe sot misionit që veç së tjerash ka ngritur edhe mbi 7 kisha në fshatra të ndryshme të Lezhës. Duket qartë se seksionet e punës për Opus Dei-n nuk kanë qenë kaq të kufizuara në veprimtari. Pas vitit 1995 kur Opus Dei u shfaq për herë të parë në Shqipëri, nga vetë botimet e buletinit “Romana”, thuhet se anëtarët e urdhrit të shenjtë janë shtrirë në një numër më të madh fshatrash të Lezhës, si Gjadër, Baçël dhe Krajan. Sipas banorëve, qendra e misionit për të cilin ata flasin, u vendos në Blinisht, prej nga drejton veprimtarinë edhe për në fshatra të tjerë të zonës përreth si Piraj, Kodhel e më gjerë. “Lëvizim drejt fshatit Gjadër, ku nga banorët e tij mësojmë se misioni fetar nga kisha e Romës ka ardhur në fillim-vitet e ’90-ës dhe është drejtuar nga një prift me emrin Don Antonio”. Metoda e përdorur nga misioni për të afruar vendasit kanë qenë kurset profesionale kryesisht për të rinjtë. “Unë kam pasur vajzat në kurset e gjuhës së huaj”, shprehet Angjelin Kola. Opus Dei njihet për jetën vetëmohuese që bëjnë anëtarët e tij, deri në aplikimin e vetëndëshkimeve fizike. Por as Angjelin Kola, banor i fshatit Gjadër, e askush tjetër këtyre anëve nuk kanë arritur të zhbirojë në jetën e brendshme të misionarëve, që për ta janë veçse shenjtorë e njerëz bamirës. “Prifti jonë përveç veladonit nuk mban gjë tjetër nga këto që thoni ju. Marrëdhëniet e priftit me ne janë shumë të mira dhe përveç meshës japin edhe shumë ndihma ekonomike”, shton ajo.

Veprimtaria e Opus Dei
Por sipas shkrimeve të buletinit “Romana”, thuhet se Opus Dei ka shtrirë veprimtarinë këtyre anëve edhe në vitin 1997, 1999. E nëse të dhënat e organit të urdhrit të shenjtë na çojnë në gjurmët e misionit për të cilin flasim, atë e gjejmë aktiv edhe sot. Megjithatë, prifti i cili aktualisht drejton misionin fetar këtyre anëve nuk pranon të ketë asnjë lidhje me Opus Dei, ndërkohë përpiqet të tregojë një lloj distancimi të hapur ndaj këtij urdhri. Por, nga ana tjetër përfaqësuesi i kishës katolike në Blinisht, Don Enzo, nuk e mohon aktivitetin e Opus Dei në Shqipëri, për të cilin duket se ka dijeni. “Kam dëgjuar por më shumë në Itali se sa në Shqipëri. Çdo njeri ka rrugën e vet, por ne kemi zgjedhur tonën”, deklaron ai. Të gjitha të dhënat dhe kjo dëshmi e fundit, janë një pikëmbështetje e fortë e argumentit se Opus Dei, krahu më i ashpër dhe radikal i Kishës Katolike, vepron edhe në Shqipëri. Në strategjinë e saj ajo funksionon si një organizatë tërësisht vullnetare, duke tërhequr kështu rreth vetes kategoritë më vulnerabël. Në dukje një organizatë tërësisht bamirëse, por që në thelb të saj gëzon një status tërësisht të ndryshëm nga çdo urdhër katolik. Ajo është organizata e vetme që varet direkt nga Papa dhe që ka një autoritet të pakufizuar. Duke e shndërruar shpesh, për këtë arsye edhe në subjekt dyshimesh dhe romanesh policeskë si ai i Dan Braun.
( “Pasdite në Top-Channel”)