Shumë turq janë të prirur për birrë e verë në vend të rakisë tradicionale, thonë analistët. [Reuters]
Qeveria konservatore turke me rrënjë islamike futi një tjetër 30% rritje takse mbi alkoholin në fund të tetorit duke tërhequr protesta nga pirësit, pronarët e kafeneve dhe prodhuesit e pijeve.
Çmimi i pijeve alkoholike është rritur me 129% qëkur Partia për Drejtësi e Zhvillim (AKP) erdhi në fuqi tetë vjet më parë. Në ndryshim, Indeksi i Çmimit të Konsumit u rrit me 79% gjatë të njëjtës periudhë.
Një shishe njëlitërshe raki kushton tani rreth 35$. Kjo është shumë në një vend ku paga minimale vjetore është rreth 400$ dhe të ardhurat mesatare mujore janë rreth 1000 $. Gjithnjë e më tepër turqit po priren ndaj birrës e verës që janë më të lira se rakia tradicionale.
"Ka një rënie 34% në konsumin e alkoholit nga 2003 në 2008," raporton një studim nga qendra e kërkimit BETAM në Universitetin Bahçesehir. "Paralelisht me rritjet e taksave çmimet e shitjes janë rritur dhe konsumi është pakësuar."
Studimi i BETAM tregon se qeveria rriti me sukses të ardhurat e saj me pothuajse 50% në shtatë vitet e fundit duke vënë dhe rritur vazhdimisht Taksën e Posaçme të Konsumit mbi pijet alkoholike.
Kritikët aqkuzojnë se është një axhendë e fshehur prapa rritjeve. AKP, thonë ata, po përpiqet të ushtrojë presion ndaj mënyrës së jetesës që nuk është në përputhje me pikëpamjen e partisë islamike.
"Qeveria e AKP po përpiqet të shtypë restaurantet që shërbejnë alkohol dhe dyqanet që shesin këto pije, nëpërmjet taksave të larta, ndalimeve de facto dhe presionit social," shkruan ekonomisti Mustafa Sonmez në blogun e tij.
Qeveria mohon se ka një motivim fetar pas politikës së saj mbi taksat e alkoholit. Partia nuk e mbron publikisht një ndalim të alkoholit dhe ka shprehur në mënyrë të përsëritur vendosmërinë e vet për të mos ndërhyrë në jetët private të individëve.
Megjithatë, një numër komunash të drejtuara nga AKP kanë ndaluar pijet alkoholike nga restaurantet e kafenetë e operuara nga komunat dhe licensat e alkoholit nga sa thuhet po bëhen më vështirë për t'u marrë në disa zona.
Një studim i 2009 mbështetur nga Instituti i Shoqërisë së Hapur tregoi një prirje konservatore në rritje në shoqëri. Studimi, i titulluar "Të jesh ndryshe në Turqi" zbuloi raste të shumtë të ndërhyrjes në mënyrën e jetesës dhe rritje të presionit social kundër konsumimit të alkoholit, veçanërisht nëpër Anatoli.
Sonmez paralajmëron se politika e ngritjes së taksave e qeverisë kundër alkoholit jo vetëm kërcënon mënyra të veçanta jetese por gjithashtu ekonominë dhe shëndetin publik.
"Ka raporte që të rinjtë që nuk mund të përballojnë alkoholin priren për droga; këto pretendime duhen të hetohen me kujdes," paralajmëron ai. "Prodhimi ilegal dhe konsumi i tij është një tjetër kërcënim i rrezikshëm."
Në 2003, 8% e familjeve në Turqi konsumonin alkohol. Ky numër ra në 6% në 2008. Rreth 300,000 familje, për një arsye apo një tjetër, ndaluan tërësisht konsumin e alkoholit për shkak të presionit social.
Krijoni Kontakt