Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell
Dell: Veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës
Publikuar: Sot, më 07 shkurt 2011
Sa i përket veriut, ne e kemi thënë shumë qartë. Së pari, veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës
Prishtinë, 7 shkurt - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, ka deklaruar të hënën në një intervistë për Radio Zëri i Amerikës se sfidat kryesore të qeverisë së re kosovare do të jenë forcimi i shtetit ligjor dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike. Ai ka thënë se një koalicion i qëndrueshëm nuk varet thjesht nga numrat, por nga synimi për një qeverisje të mirë.
“Në parlament janë zgjedhur 120 anëtarë, dhe mbi 61 syresh do të jenë pjesë e shumicës që do të formojë qeverinë e re. Me siguri që ka hapësirë mes këtyre individëve të gjenden njerëz, që jo vetëm janë të papërlyer, por janë gjithashtu edhe të zotë dhe të përkushtuar për një qeveri efektive. Thjesht se je zgjedhur në parlament nuk do të thotë që duhet të kesh post të lartë në qeveri...”, ka thënë ambasadori Dell në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ambasadori Dell ka përsëritur se nuk do të mungojë mbështetja amerikane për EULEX-in për sa i takon hetimeve për raportin e Dick Martyt. “Ne besojmë se EULEX-i është institucioni i duhur për kryerjen e këtij hetimi... Sado fyese që t’u duken njerëzve këto akuza për vendin e tyre, e vetmja mënyrë për t’i sqaruar gjërat është me anë të hetimit për të gjetur të vërtetën. Kjo, ose do t’i hidhte poshtë akuzat një herë e përgjithmonë, ose, nëse gjenden prova, personat përgjegjës do të nxirreshin para drejtësisë. Por, mungesa e një hetimi bën që këto akuza të mbeten. Mendoj se ky është një rast që kësaj çështjeje t’i shkohet deri në fund një herë e mirë”.
Ambasadori amerikan gjithashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol konstruktiv dhe të dobishëm në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë... “Sa i përket veriut, ne e kemi thënë shumë qartë. Së pari, veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës. Në të njëjtën kohë ne e kuptojmë se kjo pjesë është e ndryshme në disa aspekte nga pjesa tjetër e Kosovës, pasi ajo ka një shumicë serbe”.
“Shpresoj se dialogu do të çojë në zgjidhje krijuese, të tilla që, duke e mbajtur veriun si pjesë të Kosovës, të krijohen kushte që t’i lejojnë qytetarët serbë të Kosovës që banojnë atje, të bëjnë jetën që dëshirojnë, të flasin gjuhën e tyre, të praktikojnë fenë e tyre, pra të gjejmë një barazpeshë mes ruajtjes së strukturës së shtetit të Kosovës e në të njëjtën kohë t’u japim atyre njerëzve hapësirën e duhur për të jetuar mbi bazën e asaj që zgjedhin vetë. Mendoj se dialogu mund të ndihmojë që kjo të arrihet, duke parashtruar problemet dhe duke gjetur zgjidhje për disa nga këto çështje praktike që ju përmendët, pra që të respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe njëkohësisht të mbahet parasysh fakti që qytetarët e atjeshëm janë shumicë serbe e jo shqiptare”.
Krijoni Kontakt