
Postuar më parë nga
ardita04
Pashallarët blu” më në krye Sali Berishën, na kanë hequr edhe bukën e gojës
Nga Rita Haxhiu
Kjo qeverisje e ka humbur funksionin e saj, mbasi e ka përqendruar vëmendjen dhe aktivitetin në shfrytëzimin e pushtetit për pasurim të familjeve ministrore, të deputetëve dhe grupeve të tyre shoqërore. Sipas fakteve të konfirmuara, kryeministri Sali Berisha është angazhuar edhe familjarisht në korrupsion, duke pranuar e drejtuar aferat e pista të ministrave e deputetëve të koalicionit PD-LSI, që i shërbejnë si “kokrra” për të qëndruar në pushtet. Ky pushtet rezulton me zë e me figurë kasetash dhe blloqesh korruptive të krerëve të lartë qeverisës, të kapur e të mbajtur peng prej krimit ekonomik, me ryshfete, tendera dhe koncensione. Unë, si qytetare e këtij vendi dhe të gjithë shqiptarët, që nuk kemi mundësi të sigurojë as mbijetesën ekonomike të familjes, duke parë indiferencën braktisjen e plotë prej qeverisë të halleve që ka populli e vendi, kërkojmë zgjidhjet që na duhen për të jetuar normalisht e jo në varfëri ekstreme, tamam si në popujt e botës së…14-të, mbasi në këtë gjendje na keni katandisur me qeverisjen tuaj të dështuar e hajdute.
Ju zoti kryeministër Sali Berisha, së bashku me pashallarët e qeverisë që drejton, ju që mbani në dorë çelësat e zgjidhjeve të premtuara e të detyruara legjislativisht, zyrtarisht e shtetërisht, ka ardhur koha të mendoni për bukën e gojës të mëse gjysmës së shqiptarëve. Dil nga zyra e hajde shiko se si qajnë fëmijë për bukë, shiko se si jetojë njerëzit realisht e jo duke i parë nga dokumentarët e TVSH e TV-Klanit. Mos lexo statistikat mashtruese që të sjellin në zyrë e që ty të pëlqejnë t’i propagandosh si arritje madhështore rekord botërore por hapi sytë e veshët dhe shiko varfërinë, dëgjo zërin e atyre mijëra familjeve që gdhihen e ngrysen pa kafshatën e bukës. Për shkakun e qeverisjes tuaj të dështuar e të korruptuar plotësisht zoti kryeministër, shqiptarët po përballen prej 6 vitesh nën pushtetin tuaj varfërues e mizor me mungesa jetike rënduese. Politikat tuaja të mbrapshta dhe të grabitjes së pasurive kombëtare prej klanit tuaj hajdut, po shkatërrojnë jetën e mijëra familjeve. Politikat tuaja regresive me pasojë të rëndë cenimin e të sotmes e të ardhmes së Shqipërisë, po e detyrojnë brezin e ri të shoqërisë e të inteligjencës shqiptare të marrë arratinë në emigracion. Na keni detyruar të ikim nga ky vend, sepse nuk keni krijuar e nuk po lini asgjë, po e shkatërroni Shqipërinë.
Zoti kryeministër! Edhe pse varfëria ka pllakosur gjithë vendin, ju vazhdoni me demagogji duke mashtruar shqiptarët me “parajsën fantazmë” që e gjejmë vetëm në fjalimet që ju mbani në qeveri e në parlament. Zoti kryeministër! Në datën 21 janar, shqiptarët nuk të zunë kot me gurë. Ata protestuan aq ashpër, sepse u ka vajtur thika në zemër nga varfëria që u ke krijuar ti dhe qeveria jote e dështuar dhe e korruptuar. Në vend që të dilje nga zyra e t’u kërkoje falje shqiptarëve për mjerimin e shkaktuar, vërsule kundër tyre gjithë policinë dhe vrave tre fukarenjtë që të lypnin bukë dhe punë.
Shqiptarët gjenden në krizën e plotë të mbijetesës. Papunësia ka arritur në shifra tepër të larta, sa 30% e popullsisë, ku dominues janë të rinjtë. Pagat janë tepër të ulëta, çmimet po rriten përditë, frontet e punës në biznese po mbyllen prej falimentimeve. Ndërsa ju zoti kryeministër deklaronin rritje të mirëqenies edhe mbi nivelin e vendeve të përparuara të BE! Ti kujton se gënjeshtrat që beson vet, i besojnë dhe shqiptarët. Ne shqiptarët, zoti kryeministër, besojmë vetëm një të vërtetë: Që ti, fëmijët e tu dhe familjet e ministrave e të deputetëve të oborrit të pushtetit tënd jetojnë në luks dhe kanë siguruar në mënyrë të paligjshme pasuri të shumta nga pasuritë kombëtare dhe pronat që u kanë vjedhur shqiptarëve.
Zotërinj pashallarë! Shqiptarët e kanë provuar politikën e mashtrimit. Ndaj kërkojnë punë dhe bukë, strehim dhe shërbim shëndetësor aktiv e cilësor, sepse për këto vuajnë prej shumë vitesh. Dilni zoti kryeministër një moment, jo në periferi, por në qendër të Tiranës dhe do të konstatoni mjerimin e atyre njerëzve që kanë nisur më së fundi, të dalin në shesh për të larguar qeverinë tuaj të varfërimit e të hajdutërisë.
Shperndaje:
Add '“Pashallarët blu” më në krye Sali Berishën, na kanë hequr edhe bukën e gojës' to TwitterAdd '“Pashallarët blu” më në krye Sali Berishën, na kanë hequr edhe bukën e gojës' to FaceBook
Krijoni Kontakt