Më në fund, në Këshillin e Evropës u miratua raporti i Dick Martyt për tregti me organe njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri. Rezoluta e miratuar, në mjediset shqiptare u vlerësua si faktor, që do ta përkeqësojë imazhin e shqiptarëve në botë. Mendoj se ky vlerësim nuk është i saktë. Rezoluta nuk do ta përkeqësojë imazhin e shqiptarëve, por imazhi i përkeqësuar i shqiptarëve e prodhoi një rezolutë kaq absurde. Për këtë një pjesë të fajit e kemi vetë ne, ndërkaq pjesa tjetër u takon atyre që nuk kanë frikë, as kujdes që me propagandën e tyre të shfrenuar, zi e më zi, me imputimet e tyre e lëndojnë integritetin moral të shqiptarëve. Me veprimtarinë e tyre antishqiptare ata vazhdimisht e mbajnë në sipërfaqe tendencën armiqësore, ata, ç'është e vërteta çdo ditë na shpallin luftë. Kundër kësaj fushate të egër ne kryesisht kemi qëndruar duarkryq duke menduar se e gjithë bota di se ata gënjejnë dhe se ne jemi të pafajshëm. Por, edhe pa këtë rezolutë ka qenë e qartë se e gjithë bota nuk është një, disa shohin dhe vlerësojnë ndryshe.
Ky ligjërim antishqiptar, kjo gjuhë e tyre plot urrejtje, do të ndërpritet vetëm atëherë kur do të faktorizohemi ne dhe do të perceptohemi si rrezik për ta. Këto relacione janë të njohura si në politikologji ashtu edhe antropologji, sociologji dhe psikologji. Popujt e vetëdijshëm formojnë shtete funksionale, armatosen apo me devotshmëri i shërbejnë atdheut për t'i ikur syrit të keq të armikut, perceptimit të tij poshtërues, trajtimit të tij si viktimë.
Ne kemi faj për shkak se shpesh nuk ia varim veshin këshillave dashamirëse të atyre që ne i quajmë si aleatë tanë. Ndërtimi i shtetit nuk është një filozofi aq komplekse. Në fillim kërkon pak ideal, vullnet të fortë, veprim misionar dhe pastaj duhet vetëm të respektohet koncepti i veprimit mbi baza të ligjit. Natyrisht se pjesa dërmuese e popullatës i ka këto veti, por ekzistojnë edhe segmente të caktuara të popullatës që nuk i respektojnë këto standarde elementare në ndërtimin e shtetit. Ata janë pakicë, por të organizuar mirë dhe të gatshëm që me forma të ndryshme të kërcënimit të frikësojnë pjesën tjetër të popullatës që përballet me vështirësi ekonomike dhe të tjera që i takojnë pakos së mbijetesës.
Shpesh herë sillemi me komoditet ndaj pjesëtarëve të kombin tonë që sillen në mënyrë të shfrenuar si jashtë ashtu edhe brenda Kosovës, duke pritur se faktori ndërkombëtar do t'i anulojë të gjitha gabimet tona. Ato shpesh herë kanë qenë të pafalshme duke nisur nga vrasja e pakuptimtë, mizore e humanistes norvegjeze, ndër të parat që filloi të alarmojë botën për pozitën e shqiptarëve, Berit Bakerit, para derës së saj, para syve të nënës së saj, e deri te prononcimi i pakuptimtë lidhur me meritat e Nënës Terezë. Asaj ia caktuam vendin në qendër të ferrit! Flas në veten e parë shumës ngaqë pasojat nga këto akte i bartim të gjithë. Ne kemi faj që stoicizmin e shtresave të gjera të popullsisë që barti në supet e veta barrën e kryengritjes e zëvendësuam me hedonizmin e elitës... Po të fillonim pak a shumë t'i numëronim gabimet tona do të kuptonim shumë lehtë se prej nga buron tendenca që e përkeqëson vetvetiu ose me qëllim të paracaktuar imazhin tonë në botë. Vitet e 80-ta në bisedat tona përhapej këshilla se çdo shqiptar që del jashtë duhet të ketë parasysh të sillet si ambasador i çështjes sonë kombëtare. Ç'është e vërteta edhe sot ka të tillë, por askush nuk ua var veshin.
Faji jonë kryesor ishte dhe mbetet mosrespektimi i kërkesave të faktorit ndërkombëtar që të dëshmojmë se jemi të aftë që të ndërtojmë shtet, se me angazhim serioz do t'i eliminojmë dobësitë tipike për shoqëritë në tranzicion, siç është funksionimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastaj respektimi i standardeve demokratike etj. Krejtësisht harruam se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte dhe do të mbetet fenomen i papërsëritshëm. Vazhdojmë të sillemi sikur çdo gjë në këtë relacion ka qenë normale dhe ordinere. Harrojmë se kauzat e ngjashme me atë të Kosovës ekzistojnë kudo në botë dhe zgjasin me dekada saqë degjenerohet çdo ideal.
Pas vitit 1999 ne kemi treguar gatishmëri që të organizojmë kryesisht manifestime që kushtimisht do t'i quaja hedoniste. Natyrisht edhe ato janë nevojë për çdo shoqëri veçmas për ato që sapo janë çliruar nga ankthi i një okupimi djallëzor. Por, problemi qëndron te fakti se në veprimtarinë tonë shoqërore energjitë shpenzoheshin kryesisht për organizime të kësaj natyre. Falë kësaj dhe shpifjeve të vazhdueshme të shërbimeve informative të huaja që i satanizojnë shqiptarët, u krijua një lloj atmosfere e përbuzjes së mënyrës së jetesës dhe të vetë çështjes shqiptare, sidomos në Evropë të cilët falë traditës së tyre të introspektimit të përgjegjësisë, pra traditës së vetëfajësimit filluan që t'i perceptojnë edhe serbët si viktima. Prandaj, propaganda serbe, pas miratimit të rezolutës filloi ta përhapë bindjen se ndërgjegjja e Evropës paska filluar të zgjohet. Pra, sipas kësaj fjalie kuptohet se Jugosllavia u shpërbë dhe tragjeditë paskan ndodhur për shkak të ndërgjegjes së fjetur evropiane, perëndimore në përgjithësia dhe jo papjekurisë qytetëruese serbe. Në këtë pikë sërish shfaqet puqja në mes të retorikës së Millosheviçit dhe e këtyre përfaqësuesve aktual të Serbisë. Propaganda e Milosheviqit, mitingjet komplotiste i quante tubime të së vërtetës, ndërkaq këta të sodit rezolutat e kësaj natyre i quajnë zgjim të ndërgjegjes, pra fillim të mirëkuptimit të së “vërtetës” serbe.
Kapacitetet propaganduese serbe duke filluar nga ato të shërbimeve informative e deri te ato të profilit kulturor vazhdimisht e përhapin tezën e relativizmit të fajit dhe të barazimit të përgjegjësisë. Kur serbët kuptuan se më nuk mund të fshihen krimet ata e pranuan fajin se kanë bërë abuzime, madje krime makabre dhe kërkuan përgjegjësi individuale për ta. Së fundi gjetën kohë që të kërkojnë ndjesë, por me kusht që edhe të tjerët të silleshin si ata. Me burgosjen e 20-30 politikanëve të skaduar ata sot bëjnë përpjekje që t'i ruajnë rezultatet e politikës së atyre që i shkelnin normat ndërkombëtare. Këto shkelje janë të dokumentuara dhe kanë qenë të palejueshme për një shtet që i ka nënshkruar konventat ndërkombëtare.
Në Serbi, sidomos pas vitit 1999, thonë se u bë një ndarje ndërmjet politikës anakronike, tradicionale, konservative dhe klerikale që sytë i kishte të orientuar ka Moska dhe të asaj të moderuar, të udhëhequr nga presidenti aktual serb, Boris Tadiq. Kjo rrymë e re nga konservativët quhet “Serbi e dytë”. Kjo dihotomi është artificiale meqë opsionet e para, apo ato të dyta nuk janë përcaktime imanente politike, por janë epifenomene të interesit momental koniuktural, ngaqë pjesa dërmuese e popullatës serbe, kudo qofshin ata vazhdojnë të mendojnë se NATO-ja, pra Evropa dhe SHBA-të kanë bërë gabim trashanik duke i mbështetur shqiptarët, sipas tyre me profil të dyshimtë qytetërues dhe jo serbët që mund të jenë liderë në këtë pjesë të Evropës. Përfaqësuesit e të dy serbive, të parës dhe të dytës njëzëri vazhdojnë të mendojnë se bombardimi i NATO-s ishte i padrejtë ashtu si është e padrejtë përkrahja e idesë për pavarësim të Kosovës, të cilën ata kurrë nuk do ta pranuakan. Në këtë frymë ata e pritën edhe miratimin e raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Sërish hodhi shtat euforia tipike agjituese që përhap bindjen se të gjithë në botë paskan qenë gabim dhe se e ardhmja do të dëshmojë se serbët paskan qenë të pafajshëm kështu që sajesa e NATO-s, shteti i Kosovës duhet të anulohet. Me këtë rast si edhe në raste tjera ata fare nuk japin rëndësi çfarë pasoja do të ketë anulimi i pavarësisë së Kosovës. Veçoria politike e serbëve në fakt është verbëria morale, pamundësia për t’i anticipuar pasojat e veprimeve të tyre politike. Megjithatë Evropa, që paska filluar të zgjohet megjithatë prerazi kumtoi se miratimi i rezolutës së Dick Martyt nuk do të ketë pasoja për pavarësinë e Kosovës.
Në këtë gjendje eksaltuese, përfaqësuesit e "Serbisë së dytë" të personifikuar në figurën e presidentit Tadiq, ishin edhe atëherë kur kërkuan nga GJND-ja që të prononcohet lidhur me legjitimitetin e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Siç dihet këtë kërkesë ata e paraqitën edhe në seancën plenare të OKB-së të bindur se kanë të drejtë, ose aktronin si shpesh herë në historinë e tyre. Siç dihet, GJND-ja e solli vendimin, shokant për ta që do të duhej të paktën t'i çlironte mendjet e tyre nga paragjykimet ataviste. Mirëpo,,siç u tha më lartë, ata nuk u korrigjuan dhe vazhduan të bindin veten prapë se e gjithë bota është gabim, prandaj e bartnin ballafaqimin me çështjen e Kosovës në të ardhmen kur të gjithë do të kuptojnë gabimin që paskan bërë.
Miratimi i kësaj rezolute në vete ngërthen shumë elemente: imazhin e përkeqësuar të shqiptarëve, brejtjen e ndërgjegjes së evropianëve lidhur me ndëshkimin e Serbisë, antiamerikanizmin, efekte e propagandës intensive serbe dhe aleatëve të saj kryesisht Rusisë, por edhe dinakëritë diplomatike evropiane. Propagandat e natyrës së shfrenuar si kjo e serbëve ata e luftojnë brenda institucioneve evropiane. Serbët vazhdimisht përhapin lajme alarmante. Në vend që të merren me to, ore çast, evropianët e bartin problemin te institucionet e tyre. E angazhuan Dick Martyn që të përgatiste një raport. Ai e bëri atë sa dhe si diti. Tani pohimet, përkatësisht pretendimet duhet të verifikohen nga organet profesionale gjyqësore. Provat nuk ekzistojnë, as që mund të ekzistonin. Këtë fakt shkencor e di porositësi i raportit, raportuesi vetë, dhe një pjesë e intelektualëve serbë. Ata dinë se asnjë gjyq nuk mund të sjellë vendime pa argumente, prandaj që tani manifestojnë rezerva për vërtetim të akuzave. Nxjerrja e rezolutës tjetër për mbrojtje të dëshmitarëve paralajmëron bindjen se dëshmitarë nuk do të ketë. Vazhdimi i këtij procesi do të zhvillohet në dy rrafshe. Serbët dhe përkrahësit e tyre do të insistojnë në interpretimin se struktura fisnore e shqiptarëve nuk do të lejojë që të gjenden dëshmitarët për këto pohime, ndërkaq shqiptarët dhe të tjerët që disi i mbështesin ata do të insistojnë se e gjithë kjo tymnajë ka qenë në funksion të propagandës ngaqë argumente për pohime të këtilla as që kanë mundur të ekzistojnë. Prandaj, duhet të fillojë procesi i pajtimit të ndërsjellë dhe të hiqet dorë nga kjo gjuhë propaganduese të urrejtjes. Në funksion të kësaj u miratua edhe rezoluta e tretë që sugjeron pajtimin dhe ndërprerjen e retorikës luftënxitëse.
Ne nuk mund t'i ndryshojmë të tjerët ne kemi mundësi absolute që ta ndryshojmë vetveten dhe të fillojmë të ndërtojmë shtetin ligjor. Këto konstatime tingëllojnë si udhëzime banale pedagogjike, por rrugë tjetër nuk ekziston.
Njeriu mund t'ia falë gabimet tjetrit, por të vetes kurrë.
Krijoni Kontakt