A mund të jetë Bamir Topi pasardhës i Berishës?
Scritto da Gazeta Sot
Domenica 30 Gennaio 2011 00:00
Nga Agim SINEMATI
(Mendimet e një demokrati pas 21 janarit)
Nuk dëshiroj të komentoj se ç’ndodhi në 21 janar me protestën e dhunshme të organizuar nga Partia Socialiste. Tashmë i kemi parë dhe riparë pamjet që na dhanë Live kanalet e shumta, pavarësisht nga pozicionimet dhe preferencat e tyre politike
(për fat të keq e tillë është media jonë). Të gjithë e kishim të qartë se atë ditë do të ndodhte diçka, ndryshe nga herët e tjera, sepse na e kishin thënë e përsëritur gati dhjetë ditë me rradhë, Edi Rama vetë,drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e partive pa antarë, që mban nën sqetull zoti Rama, Kreu i qeverisë, Ambasada amerikane dhe organizmat ndërkombëtare, prezente në Tiranë. Por ne që ishim afër politikës dinim edhe më shumë: se deputetë të PS kishin shkuar në rrethet e tyre dhe po mblidhnin përkrahës dhe “të fortë” me pagesë. Për këta të dytët po ndihmonin edhe ish struktura të policisë, në qeverisjen e PS (madje edhe të PPSH). Shqetësimi që shprehej i thënë hapur apo jo, e kishte burimin tek këto përgatitje, jo si herët e tjera, por edhe tek qëndrimi publik të dyfishtë që mbanin drejtuesit e Partisë Socialiste: nga njëra anë ftonin përkrahësit në demonstratë të dhunshme, nga ana tjetër deklaronin se nuk mbanin asnjë përgjegjësi se ç’mund të bënte... “populli i inatosur me qeverinë”. Sigurisht ata do të ishin të gatshëm të korrnin frytet e asaj katrahure që po përgatisnin. Por i errësuar nga etja për pushtet, Edi Rama po përgatiste një karrige kryeministri, që do të ishte peng i krimit të organizuar, që në ditën e parë të qeverisjes së tij dhe të krijimit të precedentit të marrjes të pushtetit me dhunë në shekullin e 21, në një vend të NATO dhe aspirant për në BE. Ata do ta justifikonin se rrëzuan një diktaturë, por Shqipëria nuk u pranua në NATO si vend me diktaturë dhe vizat nuk u hoqën për shqiptarët, se në Shqipëri nuk ka liri dhe të drejta. Marrja e pushtetit sipas modelit që po përgatitej dhe u orvat të realizohej është thjesht ajo ç’ka na ka mësuar marksizmi i shekullit të kaluar dhe tashmë i dalë boje si një filozofi e dështuar. Është pikërisht ajo formë që aplikuan baballarët e drejtuesve të sotëm të PS dhe që Edi Rama, në Refleksionet e vitit 1991, e quajti paraardhësen e PS, PPSH një bandë kriminale dhe komunitet, ku fuste dhe të atin (atë kohë ishte shumë i zëmëruar me të atin), kriminelë dhe terroristë.
Institucionet “e pavarura” kushtetuese, nuk dëgjuan dhe nuk dinin gjë se ç’po gatuhej. Mesa marr me mend, në ligjet tona penale duhet të ketë nene, që dënojnë thirrjet për dhunë dhe për organizime demonstratash të dhunshme kundër rendit e qetësisë publike. Por a mundet që këto institucione të pavarura dhe kushtetuese të bënin gjë për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të qeverisë legjitime? Sigurisht që jo, se Berisha i kishte akuzuar me kohë si mbështetës dhe mbrojtës të krimit dhe kishte kërkuar zëvendësimin e tyre.Me 21 janar, në orën e njoftuar, Live ne pamë atë që pamë. Një grup i dhunshëm iu sul me mjete dhune që tregonte se ishin të përgatitur, policisë të shtetit që, në mbrojtje të asaj që ishte detyrë kushtetuese e saj, përballej me jetë a vdekje dhe asnjë institucion “i pavarur kushtetues” nuk po thoshte asnjë fjalë dhe nuk po bënte asnjë thirrje. Presidenti u dëgjua kur gjithçka kishte mbaruar në shesh të betejës ishin tre viktima (fatmirësisht që nuk ishin 13 mijë) dhe dhjetra të plagosur punonjës në detyrë që mbronin shtetin dhe rendin kushtetues dhe “protestues të inatosur me qeverinë”. Të nesërmen doli edhe Prokurorja e Përgjithshme, që kërkoi arrestimin e oficerëve drejtues të Gardës të Republikës se... kishin mbrojtur atë për të cilin ishin betuar. Se të nesërmen asnjë nuk e dinte se kush kishte shtënë mbi viktimat, me përjashtim të një video që u interpretua nga ai kanal televiziv që interpretoi edhe “vjedhjen” e orës të Presidentit Bush në takimin me qytetarët e Fushë Krujës. Pra të nesërmen ajo që dihej ishte bilanci i viktimave dhe fakti që kasaphanën e përgatitur dhe të lajmëruar e shmangën Garda dhe Policia e Shtetit. Ashtu do të kishin bërë këta punonjës të shtetit edhe po të ishte sulmuar Presidenca apo Prokuroria e Përgjithshme.
E them edhe njëherë që jam demokrat, por para së gjithash jam shqiptar dhe para partisë dua më shumë vendin tim dhe popullin tim.
Çfarë mendoj pas kësaj?
[B]U bë mirë që ambasadori amerikan mori në konsideratë kërkesën e kryeministrit për të sjellë hetues nga SHBA. Këtë e kërkoi edhe Prokurorja e Përgjithshme, po unë nuk e kuptoj se çfarë hetimi kërkoi të bëjë, kur ajo i ka shpallur fajtorët “e ngjarjes të bulevardit”. [/B]Me kërkesën e saj për hetues të pavarur ajo e identifikoi veten se është e varur dhe ka humbur besimin. Në një vend normal, ajo duhet të jepte dorëheqje. Dhe kur nuk e kupton këtë nuk e besoj, se e ka një rol, që duhet ta çojë deri në fund si shpërblim për karrigen), Presidenti i Republikës që e ka zgjedhur, duhet t’ja kërkojë. Po a mund ta bëjë këtë gjë zoti Topi?Tani do të arsyetoj si anëtar i PD-së.
Zoti Bamir Topi ishte një nga drejtuesit kryesorë të PDSH, nënkryetar i saj dhe Kryetar i grupit parlamentar. Ka qenë i zgjedhuri dhe i caktuari i Berishës. Asnjëherë nuk ka konkurruar brenda partisë për të fituar një post, por gjithnjë i emëruar nga Berisha. Edhe për postin e Presidentit, kur Edi Rama refuzoi çdo kandidaturë nga ana e Partisë Socialiste, ai mbeti kandidati i vetëm, se kështu donte Berisha. Këtë të gjithë tashmë e dimë. Por ne kemi menduar se Presidenti Topi, do të shfrytëzonte të gjitha hapsirat kushtetuese, për të krijuar një klimë ligjore të bashkëpunimit të forcave politike, duke qëndruar jashtë tyre dhe mbi to. Zoti Topi nuk ia arriti kësaj, sepse mbajti një pozicion të caktuar personal. Ai është i zëmëruar me kryeministrin Berisha, sepse ai pranoi të ndryshonte nenet e Kushtetutës, që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit, duke i hequr të drejtën e rizgjedhjes për një mandat të dytë. Por ne e dimë se këtë ndryshim Berisha e bëri nën presionin e Edi Ramës, si kusht për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Edhe Presidenti Topi e di që sa herë afrohen zgjedhjet Edi Rama do të verë kushte ose do të bëjë rrëmuja, siç bëri në 21 janar të këtij viti. Zoti Topi u zëmërua me Berishën edhe pse pas ndryshimit të Kushtetutës, një deputete e PD propozoi një tjetër ndryshim për kundërfirmosje të Dekreteve nga ana e Kryeministrit, pas firmës të Presidentit. Ishte Berisha ai që e kundërshtoi këtë absurd ligjor dhe ai u hodh poshtë që në komisionin e ligjeve. Siç kam dëgjuar zoti Topi është i zëmëruar me Berishën edhe për shkrimet kundër tij që bën Fari Balliu në “Gazetën 55”, se mendon që i bën me porosi të Berishës. Si kundër veprim, zoti Topi dekoron gazetën antishqiptare GSH dhe stafin e saj, nuk konsultohet me mazhorancën për kandidaturat për të cilën mazhoranca ka përgjegjësi politike në votimet në Parlament, në lidhje me persona që kanë të lyer duart me gjak shqiptari gjatë diktaturës komuniste, etj.
Pas kësaj u duk qartë që pozicioni i zotit Topi ndaj mazhorancës ishte e lidhur ngushtë me luftën për pushtet brenda PDSH, pas Berishës. Dhe rivaliteti është aktual midis Topit dhe kryetares të Parlamentit, zonjës Topalli. Në këtë rivalitet për pushtet në PD, zoti Topi tashmë ka mbështetësit e tij të deklaruar dhe të njohur, por sigurisht dhe të padeklaruar. Ashtu siç ka edhe zonja Topalli, por në ndryshim nga Presidenti, kryetarja e parlamentit është shumë luajale karshi Berishës dhe qëndron shumë afër strukturave të PD.
Zoti Topi e ka të qartë që me kryetar Berishën dhe me një mandat tjetër të PD në zgjedhjet e 2013, ai jo vetëm nuk do të ketë mandat të dytë në verë të vitit 2012, por do të jetë jashtë edhe PD. Prandaj ai është në një lojë jo të ndershme me PD por edhe me perspektivën e vendit. Qëndrimi i tij shumë i qartë për 21 janarin dhe instrumentalizimi i Prokurores të Përgjithshme “për viktimat në ngjarjen e bulevardit”, kërkon të penalizojë mazhorancën dhe sigurisht Berishën, largimin e tij nga qeveria dhe sigurisht nga PD-ja dhe, ose një rikandidim të tij nga Edi Rama (që dihet se është usta për pazare të tilla), ose marrjen e kreut të PD-së, “si njeriu që do të reformojë PDSH, pas largimit të Berishës”.Ne demokratët e kemi të qartë se Berisha një ditë do të largohet, si një themelues dhe drejtues historik i PDSH dhe si një shtetar i shquar i shtetit tonë, që ka merita të jashtëzakonshme në ndërtimin e Shqipërisë demokratike post komuniste dhe në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si një atdhetar që shqiptarët do i përulen me nderim dhe vendin e tij nuk mund ta zërë as ai që e blen postin, siç bëri Edi Rama me PS, që tani i ka mbetur vetëm emri, por as ndonjë karrierist e arrivist, që ka një background në dëm të PD dhe të vendit.
Krijoni Kontakt