Prishtinë, 30 janar – Koha Ditore shkruan sot se kërkesat e ndërkombëtarëve, atyre amerikanë dhe evropianë, se e duan një qeveri me duar të pastra, me njerëz që nuk janë dënuar dhe nuk janë nën hetime, nuk do të vlejnë edhe për kryeministrin në largim, Hashim Thaçi.
Sipas gazetës, hetimet e nisura nga EULEX-i për raportin e Dick Martyt, që janë zyrtarizuar të premten përmes një komunikate për media, do ta përfshijnë edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili nuk është i përmendur vetëm për trafikim organesh me njerëz, por edhe për trafikim me narkotikë, trafikim armësh dhe për aktivitete të tjera kriminale.
Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, ka deklaruar se sugjerimet e ndërkombëtarëve nuk duhet të nxirren nga konteksti, sepse akuzat e ngritura në raport e kanë bazën në Serbi. “Nuk është e drejtë që të nxirren jashtë kontekstit real dhe të menduar deklaratat e kujtdo qofshin ato. Sa u përket hetimeve të EULEX-it, ne jemi të parët që kemi kërkuar të bëhet edhe një hetim për këto akuza, të cilat tashmë janë hetuar tri herë, këto akuza të cilat janë për më shumë se 10 vjet për udhëheqësit e luftës dhe të paqes. Në këtë drejtim kryeministri do të jetë gjithsesi kryeministër i ardhshëm, normalisht”, ka thënë Krasniqi.
(Tekstin e plotë mund ta lexoni në gazetën e sotme Koha Ditore)
Krijoni Kontakt