
Postuar më parë nga
ARIANI_TB
Flet Afrim Hoti, kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje! për Kuvendin e Republikës së Kosovës
Të jemi shumë të qartë, për ne SHBA-ja dhe të gjitha shtetet që na kanë ndihmuar në rrugëtimin tonë janë të respektuara. Mendoj se nuk është mirë që në mungesë të koncepteve dhe vizioneve të luhet me karta aspak të moralshme
PRISHTINË, 23 NËNTOR - Afrim Hoti është vëllai i intelektualit të madh shqiptar Ukshin Hoti. Është vëllai i dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ragip Hoti. Është djali më i vogël i xha Nazyfit të ndjerë, të cilin granatat serbe e vranë, por nuk e dëbuan nga shtëpia. Është i burgosur politik dhe ka mbajtur disa vjet burgim. Biografia e Afrim Hotit dhe familjes Hoti është e mbushur me aktivitete për lirinë e Kosovës. Me kandidimin e Afrim Hotit, Lëvizja Vetëvendosje! po e nxjerrë në dritë frymën politike të Ukshin Hotit, të cilën jo pa qëllim u munduan ta vrasin shumë herë armiqtë e shqiptarëve dhe argatët e tyre. U deshën shumë kohë e mund që filozofia politike e Ukshin Hotit të kuptohet dhe ta shohë dritën dhe fillimin e realizimit të saj nëpërmjet këtij brezi të ri të bashkuar në Lëvizjen Vetëvendosje!
“Epoka e re”: Zoti Hoti, jeni kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! për Kuvendin e Kosovës. Kush e gjeti kënd: ju Vetëvendosjen apo Vetëvendosja juve?
Hoti: Faleminderit dhe po ndjehem i nderuar që po më jepet mundësia që nëpërmjet faqeve të gazetës së respektuar “Epoka e re” të komunikoj me opinionin dhe lexuesin shqiptar. Në fakt, ka ndodhur edhe njëra edhe tjetra, apo më mirë të them se rrugët tona janë bashkuar në këtë çast për të ecur së bashku për atje ku jemi nisur, që nga ndarja e Kosovës nga trungu shqiptar. Pra, bashkimin e kombit. Me vëmendje i kam përcjell zhvillimet politike në vend e me këtë rast edhe zhvillimin e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe kam parë se kjo Lëvizje është autoktone në filozofinë e saj politike dhe kombëtare. Në Lëvizje Vetëvendosje! është brezi i ri, i cili nuk flet se çfarë mendojnë të tjerët, por çfarë mendojnë vetë ata. Kjo është jetike për ecjen dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për të qenë të sinqertë me lexuesin, por edhe me vetveten, shumë procese politike në vend nuk kanë shkuar dhe nuk po shkojnë mirë. Kosova ka shumë sfida para vetes, të cilat mund t’i përballojmë së bashku me një lidership të ri dhe të fuqishëm, siç është zoti Kurti. Zoti Kurti ka dëshmuar se di dhe mundet, prandaj edhe e meriton besimin e shqiptarëve.
“Epoka e re”: Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe janë organizuar shpejt e shpejt. Mendoni se nuk do të dëmtohet Vetëvendosja!?
Hoti : Për dëmtim nuk do të thosha, por gjithsesi do të ndalemi paksa në rritjen e fuqishme dhe të shpejtë të Vetëvendosjes! Pavarësisht skenarëve dhe llogarive që mund t’i kenë bërë disa, Vetëvendosja do të dalë fituese me konceptin e saj politik, i cili është i mishëruar me qytetarin e Republikës së Kosovës. Qytetari i Kosovës po kërkon ndryshime dhe ai do t’i bëjë këto ndryshime duke e fuqizuar politikisht Vetëvendosjen! Të mos harrojmë, partitë që janë në skenë nuk kanë çfarë të japin më. Këto parti qytetarin e shohin dhe e duan vetëm për fushata elektorale. Vetëvendosja! nuk është se ka dalë këto ditë si diçka e re, e porositur nga dikush dhe nga ndonjë qendër vendimmarrëse për t’i hutuar qytetarët e Kosovës. Vetëvendosja! ka identitetin e fuqishëm politik dhe kombëtar. Në shumë raste ka qenë faktor vendimtar për zhvillimin dhe ecjen tonë përpara.
“Epoka e re”: Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë duket i hidhëruar me Vetëvendosjen! Na thoni, cilat janë marrëdhëniet e juaja me faktorin ndërkombëtar?
Hoti: Në shikim të parë dhe sipërfaqësor mbase edhe mund të duket kështu, por unë mendoj se në politikë gjërat nuk janë statike. Të jemi shumë të qartë, për ne SHBA-ja dhe të gjitha shtetet që na kanë ndihmuar në rrugëtimin tonë janë të respektuara. Mendoj se nuk është mirë që në mungesë të koncepteve dhe vizioneve të luhet me karta aspak të moralshme. Mosnënshkrimi i të ashtuquajturit Kodi i Mirësjelljes ka të bëjë me atë se ne nuk mund dhe nuk duam të sillemi me standarde të dyfishta para qytetarëve të Kosovës. Ju lutem, për çfarë demokracie po flasim kur partitë politike harxhojnë miliona euro nëpër fushata dhe kurrë nuk e bëjnë transparente shumë e parave të shpenzuara para qytetarëve. Edhe miqtë tanë do të binden se servilizmi nuk është mirë as për ta e as për ne.
“Epoka e re”: Si do të jetë Vetëvendosja! pas zgjedhjeve, pozitë apo opozitë?
Hoti: Mendoj se për këtë do të vendosë vota e lirë e qytetarit të Kosovës, por e rëndësishme është se ne do të mbetemi të njëjtit në të dyja opsionet. Siç ka thënë edhe zoti Kurti, ne nuk po hyjmë në institucione për ta ndryshuar votën tonë, por për t’i ndryshuar këto institucione për dhe në të mirë të qytetarëve. Jemi të vetëdijshëm për barrën që na ka ngarkuar koha, sepse qytetari i Kosovës nuk guxon të zhgënjehet më. Dhe kjo nuk do të ndodhë me Vetëvendosjen!
“Epoka e re”: Për fund, duke e ditur se jeni vëllai i Ukshin Hotit, mund të na thoni pse gjithë kjo enigmë për fatin e tij?
Hoti: Ndonëse nuk më takon mua të flas, siç e di i tërë opinioni mbarëshqiptar, Ukshin Hoti e kishte lidhur ngushtë fatin e vet me fatin e popullit të vet të ndaluar. Ai për asnjë çast nuk u shkëput nga ky fat, edhe pse e pati mundësinë. Heshtja e atyre që e burgosën dhe e zhdukën mbase është e kuptueshme, por assesi heshtja e klasës politike dhe e botës akademike. Sido që të jetë, im vëlla u bë histori e lavdishme e këtij populli. Historia nuk mund të shtrembërohet sipas tekeve të dikujt. Ajo do t’i ulë vetëm të merituarit në sofrën e vet. Unë jam i vetëdijshëm se Ukshin Hoti do ta marrë vendin e merituar vetëm me daljen e mendimit të ri politik, sepse vetëm këta e kuptojnë filozofinë politike të tij. E di dhe jam i bindur se ne do t’i kthehemi Ukshin Hotit sepse kemi nevojë për mendimin e tij politik.
“Epoka e re”: Diçka për fund, zotëri Hoti?
Hoti: Do t’i thosha qytetarit të Kosovës të dalë të votojë dhe të votojë për ndryshime. E di se e ka të vështirë të besojë se ne jemi ndryshe, pas gjithë zhgënjimeve që ka pasur nga kjo klasë politike, por i premtoj se nuk do ta zhgënjejmë. Do të jemi zë i fortë i qytetarit Qytetari nëpërmjet nesh do të flasë në Kuvendin e Kosovës dhe në të gjitha proceset politike. Së bashku është e mundshme.
Intervistoi: Besnik KRYEZIU
Krijoni Kontakt