Ndërmjet AAK-së dhe AKR-së, PDK zgjedh AAK-në
Koalicioni më i mirë për Kosovën është ai ndërmjet PDK-së, AAK-së dhe AKR-së, ndërsa pjesë e saj do duhej të ishte edhe Lista “Ibrahim Rugova”. Kështu mendon analisti politik, Haqif Mulliqi, i cili në një intervistë për Kosovapress ka vlerësuar se AAK dhe AKR më shumë kanë hezitim të jenë me njëra-tjetrën në koalicion se me PDK-në. Në rast se PDK-ja do duhej të zgjedhtë ndërmjet njërës prej këtyre dy subjekteve, Mulliqi konsideron se ajo duhet të jetë AAK-ja, ndërkohë nuk përjashton mundësinë që pjesë e koalicionit të jenë edhe deputetë të LDK-së që mbështesin vijën e Fatmir Sejdiut.
Në çdo kombinim, ai e përjashton mundësinë që PDK-ja të bëjë koalicion me LDK-në, me të cilën ka bashkëqeverisur për tri vjet, e po ashtu të pamundur e sheh edhe koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, sidomos për shkak të fjalorit të kësaj të fundit në kohën e fushatës zgjedhore.
Mulliqi: Ndërmjet AAK-së dhe AKR-së, PDK zgjedh AAK-në
“Nëse do të shtrohet pyetja e PDK-së për të zgjedhur ndërmjet AAK-së dhe AKR-së, unë besoj që PDK-ja domosdoshmërish do të jetë shumë më e interesuar që të jetë me AAK-në, për arsye shumë të thjeshta, pragmatike dhe shumë praktike. Nuk duhet harruar që AAK-ja qeverisë në pesë komuna, janë komuna në të cilat qeveria e kaluar kishte më pak qasje se që duhet të ketë një qeveri qendrore, sepse lidershipi i tyre politikisht është shumë i qëndrueshëm dhe se realisht janë disi më koheziv dhe më të pranueshëm për partner qeveritar”, ka thënë Mulliqi.
Megjithatë, ai nuk e sheh të pamundshëm që partnerëve të koalicionit, t’u shtohen edhe Lista “Ibrahim Rugova” dhe deputetë të LDK-së që i përkasin vijës së Fatmir Sejdiut.
Mulliqi: Qeverisë mund t’i shtohen edhe përkrahësit e Fatmir Sejdiut
“Unë besoj që me lehtësi të madhe, listës së qeverisjes së gjerë, të qëndrueshme, të shtrirë dhe horizontale, mund t’i shtohen edhe njerëz nga Lista ‘Ibrahim Rugova’, qoftë vetëm me zotin Rugova, apo edhe me njerëz që unë besoj se janë të zgjedhur nga LDK-ja dhe të cilët emocionalisht kanë lidhje me Ukë Rugovën, për shkak të prejardhjes së tij politike dhe familjare, por ka edhe njerëz të cilët besoj se janë zgjedhur tek LDK-ja, e të cilët mund të jenë ithtarë të vijës së Fatmir Sejdiut, apo që kanë mundur të jenë të pakënaqur me trajtimin që u është bërë brenda LDK-së”, ka thënë ai.
Mulliqi nuk heziton të përmend edhe ministritë të cilat PDK-ja, sipas tij, do të jetë më e interesuar që t’i udhëheq gjatë mandatit të ardhshëm, përderisa nuk e vë në dyshim që kryeministri të jetë nga partia më e madhe.
Mulliqi: Qeverinë sigurisht do ta udhëheq PDK-ja
“Ajo që e dimë është se Qeverinë sigurisht do ta udhëheq PDK-ja. Jam i bindur që Ministrinë e Brendshme dhe atë të FSK-së do ta qeverisë PDK-ja, Ministrinë Ekonomisë dhe Financave, sipas një logjike dhe inercioni do ta qeverisë PDK-ja dhe unë besoj që edhe Ministrinë e Arsimit do ta qeverisë PDK-ja”, ka thënë ai.
Në krye të Ministrisë së Jashtme, Mulliqi e sheh partinë e dytë të koalicionit, në këtë rast, sipas tij, këtë ministri do ta udhëheq AAK-ja, ndërkaq në rast se në qveri ëhstë AKR-ja, Pacollit konsideron se do t’i realizohet dëshira për të qenë president, por partia e tij do t’i humbë disa ministri.
Mulliqi: Partia e dytë mund të shkojë me Ministrinë e Jashtme
“Unë besoj që partia e dytë më e madhe sigurisht mund të shkojë me Ministrinë e Jashtme, por kombinimet do të determinojnë se a do të shkojë AKR-ja apo jo me pozitën e kryetarit të shtetit, që nënkupton që do ta plotësojë një dëshirë të kahmotshme të zotit Pacolli, por partinë e tij do ta privojë prej të paktën tre pozitave të ministrave në qeveri”, është shprehur Mulliqi.
Sidoqoftë, formula më e mirë për të pasur një stabilitet politik dhe një punë transparente të ministrave, sipas Mulliqit, është krijimi i formulës së re që nëse një ministër i përket njërës parti, zëvendësministri ‘a priori’ të vijë nga partia tjetër.
Mulliqi beson se zgjedhjet e përsëritura në komunën e Mitrovicës do të sqarojnë gjithçka sa i përket koalicionit të ri qeverisës dhe se shkurti, sipas tij, do të jetë muaji i formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. /kosovapress/
Krijoni Kontakt