...
“Në vitet 1960 bëra çmos të vija e të kërkoja për fatin e orës që kisha lënë në kohën e luftës. E kam pasur me merak të madh atë. E kisha kujtim nga gjyshi. Ishte orë e rrallë, që ishte bërë jashtë serie. Në atë kohë ishte e pamundur që një gjerman të udhëtonte në Shqipëri. Ca më tepër, unë që dikur isha riatdhesuar andej si rob i ushtrisë naziste. Qeveria e Tiranës kishte regjistra të përpiktë e nuk kishte si me ma dhënë vizën. Atëherë shfrytëzova një oportunitet. Duke pasur nënën polake, rregullova një vizë nga Polonia dhe ju bashkangjita një grupi turistësh, që vinin në Shqipëri me ndjek një përvjetor të Skënderbeut. Kur kam mbërrit në Shkodër, më është ngjeth mishi. M’u kujtua që nji këtë Shkodër kemi desht me e hedh në erë para largimit. Ma vonë kam marrë vesh se kanë kenë dy xheniera italianë, që me burrni e guxim e kanë çminue tue shpëtu kët popull dhe kët qytet të lashtë…”
-Më në fund u takua me Nuh Sahatçinë…
-Kadalë nji herë, se nuk e kishte të lehtë. Sa vura këmbët, më dëftoi Johanni, e njoha Shkodrën menjëherë. Mbante mënd rrapin e madh dhe rrugët e ngushta pranë tij që degëzonin midis shtëpive dykatëshe. Sa për kërkimet në gjurmë të orës, nuk mund të ecte qesim, pastaj duhej me fsheh vetin. Duhej mos me e marrë vesh qi ishte një ish-nazist, qi kishte luftue në Shkodër. E këtë e kishte zgjidh besa bukur…
-Sidoqoftë, si ua përshkruante Johann përpjekjet për të rënë në gjurmët e orëndreqësit?
-Kur u nisa për në Shkodër, më dëftoi ai, kisha me vete matrikullin e orës. Ka kenë një teneqe rrethore me një grep në njërën anë. Ma kishte dhënë mjeshtri qysh në atë kohë dhe e ruaja si hajmali. Ishte e vetmja gjë që do të më çonte te ora ime. Të parit që ja kam tregue, ka kenë përkthyesi, por gjithnjë se bëhej fjalë për orën e një mikut tim. Ai, sa më ka dëgjue, më ka pyet: “Ky shoku yt, që ti po interesohesh aq, e ka orën e vet, apo ia ka rrëmbye ndonjë të vrari, a e ka plaçkit diku?” Iu betova për Krisht dhe ai më besoi. Qëlloi vërtetë njeri i mirë dhe më ndihmoi. Pas disa orvatjesh, gjetëm vendndodhjen e dyqanit. I zoti i tij qëndronte ulur në postiqe, veshur me kostum kombëtar, sikurse atëherë dhe vazhdonte të punonte në mënyrë orientale, si një turk. Hoqi binoklin nga sytë dhe më kërkoi matrikullin që ishte prej metali, por shërbente si faturë dha ia zgjata. Menjëherë hapi kasafortën. Aty kishte edhe dhjetë–dymbëdhjetë orë të tjera. Më pa në sy dhe më tha: “Shumë–shumë sahatët këtu, qëndrojnë deri në tre muaj, pastaj vijnë e i marrin, por e jotja ka pritur goxha vite. Pata dje një parandjenjë, shtoi dhe duke buzëqeshur më tha se e kishte kurdisur dhe e kishte vënë në punë. Ja, punon...shikoje...”, shtoi me vështrim nga unë. E mora në dorë dhe m’u mbushën sytë me lot. Ishte po ai, “Erberhard” im i shtrenjtë, me të cilin isha ndarë që në vitet e luftës. Tik-taku i tij më çoi thellë në kohë. E çfarë s’më dolën para syve ato çaste. Ishte shumë prekëse. Kishin kaluar shumë vjet. Kërkova t’i jepja para, por ai më tregoi disa shenja të bëra në matrikullin që sapo i kisha dorëzuar. Dhe më tha: “Zotëri! Kjo orë është paguar!” “ Duhet t’u paguaj magazinimin!”, - i thashë pastaj. “E kena pa lekë”, ma bëri. Më refuzoi edhe ftesën për kafe. I thashë se e kam amanet nga miku im, i zoti i orës, që t’i dhuroja një bakshish, por refuzoi prerë. Atëherë hoqa orën nga dora dhe ia zgjata me nja falë, por ma ktheu mbrapsht me vendosmëri. Ishte e pamundur të merresha me të. Duke dalë i kam hedhur orën time në prehër, mbi postiqe dhe u largova. U largova tue kthye kokën pas. U largova e nuk u ktheva më. Nuh Sahatçinë nuk e kam harru kurrë. Një burrë si atë, rrallë me e gjet kund…”
...
Marrë me shkurtime nga:
http://www.panorama.com.al/panorama/index.php?option=com_content&view=article&id=5879ohann-arendt-une-nazisti-qe-urdherova-vrasjen-e-20-vjecarit-ne-koplik&catid=58:speciale&Itemid=391
Krijoni Kontakt