-
“Sacra Korona Unita”, mafia e themeluar natën e Krishtlindjeve
“Sacra Korona Unita”, mafia e themeluar natën e Krishtlindjeve
Dash Frashëri
Mafia “Sacra Coronia Unita” është bazuar në rajonin e Puljas, në Italinë jugore. Ajo është një nga pesë grupimet mafioze në Itali, së bashku edhe Ndragetën në Kalabri, Kamorrën në Napoli, Koza Nostrën dhe Stida në Siçili.
“Sacra Corona Unita” është një bashkim mafiozësh dhe banditësh në nivel lokal, me qëllimin për të kontrolluar territorin e kryesisht të Puljas, por dhe ndikim dhe aktivitet në disa vend europiane, si Franca, Gjermania, Mali i Zi, Spanja, Belgjika, por disa portale përfshijnë edhe Shqipërinë në listën e ndikimit të këtij grupim mafioz.
Xhuzepe Rogoli, kreu i mafias, konsiderohet edhe si babai i kësaj mafie, ndërkohë që publikisht të njohur janë të paktën pesë kapo të klaneve të ndryshme që operojnë nën targën e “Sakra Korona Unita”-s, klane të tilla si Gaeta, Çerdefa, Di Emidio.
Në vitin 1981, një nga bosët e mafias “Kamora”, Rafale Kutolo, i besoi Pino Janelit dhe Alesandro Fuskos detyrën për të themeluar në Pulja një organizatë që të kishte lidhje direkt me “Kamorën e re”, e që mori emrin “Kamora e re puljeze”. Shumë prej eksponentëve të malavitës lokale dhe mafiozë të tjerë e përshëndeten e atë. Në përgjigje të tyre, Xhuzepe Rogoli krijoi “Sakra Korona Unitën” në burgun e Tranit, pikërisht në natën e Krishtlindjeve të vitit 1981. Xhuzepe Rogolio ishte atëherë i lidhur me Ndragetën dhe i kërkoi lejë kapos së grupit, Umebto Beloços të formonte një “Ndrageta puljeze”.
Në fakt, edhe pse aktiviteti i kësaj mafie shtrihet në vitet 1970, si datë themelimi konsiderohet 25 dhjetori i vitit 1981, pikërisht në një burg të Barit, nga ana e Xhuzepe Rogolit, për t’i rezistuar tentativave të “Kamorrës së re” të Rafaele Kutolos, që nga ana e tij synonte të instalohej në Pulja. “Ndrageta” dhe “Cosa Nostra” gjithashtu tentonin të shtrinin ndikimin e tyre në rajon qysh nga fundi i viteve 1970.
“Sakra Korona Unita” vendosi të mbrojë tërritorin e saj nga ndikimi i grupeve të tjera sidomos në gadishullin e Salentos. Puljezët ishin ndarë në territore që i korrespondonin tri qendrave kryesore: Leçe, Brindizi dhe Taranto. Grupet lokale autonome vepronin më shumë emra si “Manta”, “Baiguera”, “Bizoto” dhe “Di Padovano”, të cilat shpesh luftonin kundër njëra-tjetrës në vitet 1980.
Në vitin 1987, Rogoli i ngarkoi Oronzo Romanos ndërtimin e një tjetre organizate “ndragete” në Sud Bareze, ku nisi edhe aktiviteti që solli një fluks të jashtëzakonshëm parash, me Kozimo Skretin, si “arkëtarin” e organizatës. Krahu i djathtë i Rogolit ishte Antonio Antonika.
Shumë familje u nisën drejt Zvicrës, Belgjikës, Gjermanisë. Pas atentateve të kryera nga grupi në vitin 1990 kundër gjykatës së Leçes, ajo u njoh si organizatë mafioze.
STRUKTURA
Hierarkia e “Sakra Korona Unitës” është e kompozuar në grada të ndryshme në bazë të shkallës së piramidës së organizatës, të mbiquajtur “picciotteria" (grada e parë) dhe më pas vijnë "camorrista", "sgarristi", "santisti", "evangelisti", "trekuartisti" (mesfushorët), "medalojnët" e "medaljonët me zinxhirë të shoqërisë së madhe”.
Tetë medaljonet e zinxhirit formojnë “Shoqërinë sekrete”, që nga ana e saj komandon një grup special, të quajtur “Skuadra e vdekjes”. Në ditë tona, “Sakra Korona Unita” është e ndarë në 47 klane, autonome në zonat ku ato veprojnë, pro që disa prej tyre janë rivale të forta ndaj njëra-tjetrës (si Remo Leç Libera, Nuova Familja Salentina, Roza dei Venti) Sipas mediave italianë në organizatën mafioze bëjnë pjesë të paktën 1561 degë. Të rinjtë që rekrutohen janë dinanikë dhe agresivë.
Në vitin 1996 u krye edhe arrestimi i bujshëm në rrethinat e Romës të Antonio Paganos, një kapoje lokal të “Sakra Korona Unitës’. Ky mafioz ishte dënuar në mungesë në vitin 1991 për vrasje, lidhje mafioze dhe trafik droge. Për të kishte dyshime të forta dhe për kontrabandën e cigareve me destinacion Malin e Zi.
Në vitin 1999, pati 3495 persona të ndaluar dhe 366 të burgosur për kontrabandën cigareve në Pulja. Policia italiane kapi gjithashtu 445 tonë duhan, 70 makina të blinduara dhe 51 gomone me shpejtësi të madhe dhe tepër të fuqishme. Sipas Drejtorisë se hetimeve Anti-Mafia, kriminaliteti tani në Pulja është shumë i fragmentarizuar. Gjithsesi, integrimi i elementëve të rinj nuk është i rrallë. Ata iu kushtohen trafikut të medikamenteve, që ka zëvendësuar atë të duhanit.
2.5 miliardë euro xhiro
Sipas disa kalkulimeve dhe përllogaritjeve të “Eurispes”, një instituti privat të studimeve politike, ekonomike dhe sociale, “Sacra Corona Unita” fiton rreth 878 milionë euro në vit nga trafikimi i drogës, 775 milionë nga prostitucioni, 516 milionë euro nga trafiku i armëve dhe 351 milionë nga grabitjet dhe dhuna. Një biznes që shkon rreth 2.5 miliardë euro.
Aktivitetet kriminale
Trafik narkotikësh
Trafik të qenieve njerëzore
Trafik cigaresh
Shitje armësh
Grabitje tregtarësh dhe vendosje gjobash
BETIMI I MAFIOZIT TË RI
Gjatë rekrutimit të një anëtari të ri të organizatës atij i kërkohet të bëjë betimin. “Unë betohem mbi këtë majë thike të gjakosur për të qenë gjithmonë besnik shoqërisë së njerëzve të lirë, aktiv dhe të afirmoj kudo që i përkas Sakra Korona Unitës dhe të përfaqësoj nuk ka rëndësi se ku themeluesin e saj, Xhuzepe Rogolin”.
PESË ORGANIZATAT MAFIOZE
Kosa Nostra Siçili
Ndrageta Kalabri
Kamora Napoli
Sakra Korona Unita Pulja
Stidda Siçili
Përse ky emër?
Emri “Sacra Corona Unita” nuk është i rastësishëm. “Sacra” do të thotë hyrje në një degë apo organizatë, duke u pagëzuar gati me ritet fetare; “Corona”, i referohet kurorës që përdoret gjatë procesionit dhe “Unita”, të lidhur dhe të fortë, si “unazat e një zinxhiri”.
47 klane
“Sakra Korona Unita” është e ndarë në 47 klane, autonome në zonat ku ato veprojnë
1561 degë
Sipas mediave italianë në organizatën mafioze bëjnë pjesë të paktën 1561 degë.
Struktura
Organizata ka një strukturë horizontale drejtimi dhe shumë të ngjashme me Ndragetën.
Operacioni “Salento”
Operacioni nisi më 10 maj të vitit 1995 dhe zgjati afërsisht gjashtë muaj, duke përfunduar më 3 nëntor të këtij viti. Në të u mobilizuan 1713 ushtarakë italianë, të destinuar për luftën kundër “Sakra Korona Unitës” dhe emigracionit klandestin në brigjet e Puljas. Operacioni pati aspekte pozitive në lutën kundër mafies. Agjentë ndërhynë në 1650 parcela të mbjella me drogë, kryen 767 inspektime në automjete të ndryshme, kryen 2064 identifikime personash, realizuan 10 hetime të thella dhe kryen 10 arrestime të personave të dyshuar.
Sakra Korona Unita në Shqipëri?
Arrestimi në Vlorë, Shqipëri, dhe ekstradimi i bosit italian të “Sakra Korona Unita”-s, Alberto Prudentino, është dhe një nga dëshmitë e pranisë së kësaj organizate mafioze në vendin tonë. Në fakt, janë mediat italiane dhe ato ndërkombëtare që kanë theksuar praninë dhe trafiqet e kësaj organizate në Shqipëri. Mafia puljeze besohet se ka lidhje të veçanta në Shqipëri dhe Malin e Zi, ku midis te tjerash theksohet edhe lidhjet politike. Të paktën disa herë është përmendur fakti, se ish-kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka qenë i ndjekur para disa kohësh nga drejtësia italiane. Pozicioni strategjik i gadishullit të Salentes dhe ngushticës së Otrantos e bën të mundur trafikimin, duke u shndërruar në një pikë hyrëse të heroinës drejt Europës. Në vitin 2000, rajoni i kontrolluar nga “Sakra Korona Unita”, ishte pika me e madhe e hyrjes në Europë të drogës, armëve dhe emigrantëve klandestinë. Kontrabanda e duhanit kryesisht bëhet në Brindizi, Bari, Foxhia, ndërkohë që ato të narkotikëve kryesisht kapin të gjithë zonën e Puljas. Në listën e trafikimit janë dhe armët, kallashnikovët, eksplozivët, rakëtelëshuesit, ndërkohë që trafiku i emigrantëve klandestinë përfshin kineze, turke, pakistanezë, e më parë dhe shqiptarë.
Kanali i Adriatikut është një nga zonat ku tani është vështirë të bësh kontrabandë si dikur, kjo dhe për shkak të marrëveshjeve midis vendeve që lagen nga ky det, por dhe ato ballkanike.
Grupimet e mëdha
Shoqëria e Foxhias
“La Societa foggiane” (Shoqëria e Foxhias) është një kartel kriminal e tipi mafioz që operon në qytetin e Foxhias dhe ka gjetur marrëveshje me organizata kriminale si mafia siçiliane, Kamora dhe Ndrageta.
Kamora bareze
“La Camorra barese” (Kamora bareze) është në organizatë mafioze që operon në Bari dhe në provincat përreth, dhe nuk duhet ngatërruar me kamorën napoletane. Klanet më të spikatura janë “Strisciuglio” dhe “Telegrafo”.
“Sacra corona libera”
“Sacra Corona Libera” është formuar nga eksponentët e laguar nga Sakra Korona Unita. Lindi për shkak të mosmarrëveshjeve me krerët e Sakra Korona Unitës, për shkak se propozonin përdorimin e minoreve dhe riteve të pranimit.
KLANET HISTORIKE
BARI
Bari: Parisi dhe Cassano-Montani
Xhovinaco: De Palma
Sud Barese: La Rosa
BRINDISI
Tuturano: Bleve
Fazano: D'Onofrio-Sabatelli
Mezanje dhe rrethinat: Vitale-Pasimeni-Rogoli
Latiano: Capodieci
Torre Santa Susanna Ciro Bruno
San Vito dei Normani: Emidio et Rogoli
Brindizi dhe rrethinat: Soleti-Brandi-Cigliola-Leo
San Pietro Vernotico: Screti
FOXHIA
Foxhia: Moretti-Pellegrino
Çerinjola: Caputo-Ferraro
Orta Nova: Gaeta
LEÇE
Leçe: Conte et Rogoli
Monteroni di Leçes: Tornese
Provinca e Leçes: De Tommasi-Padovano
Provinca e Brindizit: Donatiello-Buccarella-Rogoli-Emidio
TARANTO
Taranto: Cicala
Shënim
Cikli “MAFIA NDËRKOMBËTARE”
Gazeta “Albania” nis një cikël mbi mafian ndërkombëtare, strukturën e tyre, të dhëna mbi trafikun e armëve, prostitucionit, vrasjeve të bujshme, emigracionit ilegal, etj..
Albania
12 Janar 2011
-
-
“La Stida”, ylli mafioz i Siçilisë
Dash Frashëri
“La Stida” (“ylli” në dialektin siçilian) është mega-organizata e pestë mafioze në Itali. Një grupim kriminal i përqendruar në provincat e Agrixhentos, Kaltanisetës, Enas dhe Raguzës, por dhe në zona më të vogla të ishullit italian. Origjina e saj është në zonën e Agrixhentos, por në vitet e fundit ka përjetuar një zhvillim të shpejtë dhe qenë e pranishme në shumë komuna jugore të Siçilisë, midis të cilave janë Agrixhento, Favara, Porto Empedokle, Palma di Montekiaro, Ribera, Likata, Kanikatu, Ravanuza, Kaltanisetta, Butera, Xhela, Maxarino, Nishemi, Riesi, San Kataldo, Somatino, Villalba, Ena, Villaroza, Piaca Armerina, Kalashibeta, Axhira, Katenanuova, Nikozia, Barafranka, Pietrapercia, Akate, Vitoria dhe Komizo. Kriminelët e Stidës janë të pranishëm edhe në Milano, Xhenoa, Trieste dhe Torino.
Anëtarët e mafies “La Stida” janë të njohur për vendosjen e tatuazheve në formën e një ylli. Ata njihen me emrin lokal, si “stidari” apo dhe “stidaroli”
Në fakt, shumë pak njihet për originën e krijimit të saj, edhe pse besohet se ajo është krijuar me të njëjtin stil si dhe Mafia, madje në të njëjtat zona rurale të Siçilisë. Stida erdhi në skenën kur i penduari i Koza Nostrës, Françesko Marino Manoia, foli rreth saj në vitin 1989 përballë gjykatësit të njohur italian, Falkone. Ish-mafiozi jeton me një identitet të ri dhe është bërë qytetar amerikan, kjo falë programit për të mbrojtur dëshmitarët. Manoia ka dëshmuar kundër mafiozëvë italianë në SHBA.
Më vonë, një tjetër anëtar i mafias, Leonardo Mesina, bëri publike pikëpamjet e tij. Sipas dëshmive të tyre, Stida është një organizatë që ishte themeluar nga ish-anëtarë të Koza Nostrës gjatë të ashtuquajturës Lufta e Dytë e Mafies, në fillim të viteve 1980. Shumë prej tyre ishin përjashtuar për shkak të mosbindjes, apo në një numër rastesh, edhe për shkak të martesave me të afërt të policëve vendas. Shumë nga “stidarët” ishin ndjekës të mafiozit të vrarë, Xhuzepe Di Kristina.
Gjithsesi, “Stida” ka ruajtur një profil të një mafie më shumë vepruese në zonat fshatare deri në fund të viteve 1980, kur dhe ajo filloi të ishte më shumë ekspansioniste dhe nisi të lëvizë drejt qyteteve, duke ofruar edhe skenën e dy grupeve mafioze siçiliane, në konkurrencë me njëra-tjetrën. Mafia Stida dallohet nga grupimi mafioz, Koza Nostra, nga fakti se nuk është e bazuar mbi sistemin e nderit, por është e interesuar vetëm në aktivitetet kriminale dhe në përfitimet materiale apo financiare.
Stida është e fuqishme sidomos në Siçilinë jugore, në qytetet e Agrixhentos, Kaltanisetës dhe Xhelës. Liderit e parë i Stidës ishin Xhuzepe Kroce Benvenuto dhe Salvatore Kalafato. Një atentat me bombë vrau një nga bosët e Stidës, Kalogero Lauria. Nga rivaliteti me Mafian në fillim të viteve 1990 solli më shumë se 300 të vdekur.
Stida nuk është një organizatë me drejtim unik dhe shumë klane veprojnë relativisht të pavarura. Ato janë alete të njëra-tjetrës edhe kur bëhet fjalë për “larje hesapesh” me Koza Nostrën. Grupet e Stidës kanë të njëjtat rituale dhe rregulla. Anëtarët më të vjetër përdorin një gjilpërë dhe bojë të zezë dhe blu për të vizatuar një yll me pesë cepa në pjesën e djathtë të dorës, atje ku ndahet gishti i madh me atë tregues.
Mafia e pesë ka një karakteristikë të saj, ky është kapaciteti për të evoluar dhe ndryshuar rregullat, strukturën e brendshme dhe raportet midis klaneve të ndryshme, Sot, Stida dhe të gjitha grupet që e përbëjnë atë janë të strukturuara sipas një skeme të përcaktuar qartë, dhe ajo që bie në sy është rritja e rolit të kapos. Ka një parim të ndihmës reciproke ndërmjet anëtarëve të një grupimi, apo dhe mes klaneve aleate apo miqve, por dhe individëve të vetëm, që mund të bëhen bashkëpunëtorë të ardhshëm, e sidomos të rrinjve me prirje kriminale. Sipas disa vlerësimeve, efektivi numëron 5 mijë anëtarë, disa prej tyre të larguar nga Koza Nostra.
Aktualisht, edhe në Palermo dhe Katani, ekziston një celulë e Stidës, por shtrirja e saj është edhe në disa rajone të veriut të Italisë. Hetimet në Italinë jugore konfirmuan se përveç aktiviteteve tradicionale, Strida është e përfshirë edhe në organizimin e bandave të vjedhësve dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Kjo është një mafie që kërkon të fusë duart në çdo aktivitet ilegal, atje dhe ku fitohet më shumë.
Në report me Koza Nostrën, Stida është shumë më e dobët, më pak e strukturuar, me e fragmentarizuar në disa zona si Militelo dhe Lentini. Ka më pak efikasitet në raport me të, më pak e interesuar për infiltrime dhe është më e lehtë për t’u kontrolluar nga shteti italian, pasi zonat ku ajo operon njihen më mirë. Gjithsesi, sipas mediave italiane, ajo është si një “leopard” në territorin e saj e operon shpesh e ndihmuar nga zyrtarë dhe poltikanë të korruptuar.
Mafies Stida i interesojnë shpërndarësit e drogës dhe shumë para nga fitimet janë përdorur për infiltrimin e drejtuesve lokalë.
TË DHËNA
Themelimi: Rreth viteve 1980
Vendi: Siçili
Territori: Siçilia e Jugut
AKTIVITET KRIMINALE
Trafikimi i narkotikëve
Shantazhi
Vjedhja e veturave
Trafikimi i qenieve njerëzore
Falsifikimi
Pastrim parash
Aktivitete kriminale
Dallimi nga Koza Nostra
Mafia Stida dallohet nga grupimi mafioz, Koza Nostra, nga fakti se nuk është e bazuar mbi sistemin e nderit, por është e interesuar vetëm në aktivitetet kriminale dhe në përfitimet materiale apo financiare.
Tatuazhe me yll
Anëtarët e mafies “La Stida” janë të njohur për vendosjen e tatuazheve në formën e një ylli.
Rivale e Koza Nostrës
“La Stida” është një rivale jo e drejtpërdrejtë e mafias tjetër siçiliane, Koza Nostës.
Stida edhe në Milano
Kriminelët e Stidës janë të pranishëm edhe në Milano, Xhenoa, Trieste dhe Torino.
Aleate e mafies shqiptare
Shumë burime e konsiderojnë mafien shqiptare që ekziston në Itali si alete të Stidës siçiliane.
5000 anëtarë
Sipas disa vlerësimeve, efektivi numëron 5 mijë anëtarë, disa prej tyre të larguar nga Koza Nostra.
Françesko Manoia, “kimisti” i penduar i mafies
Manoia mori 600 mijë euro për të dëshmuar lidhjet e Andreotit me mafian
Ish-mafiozi jeton me një identitet të ri dhe është bërë qytetar amerikan
Françesko Marino Manoia, i mbiquajturi “mocarela” (një lloj djathi në Itali) është një nga të penduarit e mafies siçiliane në vitin 1989. Ai u rrit në Palermo, kryeqendrën e Siçilisë, dhe iu bashkua familjes mafioze “Santa Maria di Gesu”, të kryesuar nga Stefano Bontade. Ai dallohej për aftësitë e tij sidomos në kimi, të cilat u përdorën në rafinimin e heroinës. Marino Manoia kishte rafineruar të paktën 1000 kilogramë heroinë për Bontaden. Ai kishte mësuar të rafineronte heroinën nga Antonio Vernengo, i mbiquajtur “Doktori”. Manoia është i dyshuar si i përfshirë në të paktën 17 vrasje. Gjatë “Luftës së Dytë të Mafias” në vitet 1980, bosi i tij, Stefano Bontade, u vra së bashku me disa qindra të tjerë të lidhur me të. Manoia mbijetoi pasi në atë kohë ishte në burg për trafikim droge. Ai ia doli të ikë nga burgu me ndihmën e vëllait të tij më të vogël, Agostino Manoia. Më pas, ata u takuan me bosin e Korlonezit, Salvatore Rina, për të vendosur pozicionin e tyre pas peizazhit dramatik të mafias siçiliane dhe të dy jetuan nën patronazhin e Rinës. Françesko u bë rafineruesi më i madh i heroinës për klanin Korleonezi. Në vitin 1986, ai u kap përsëri dhe përfundoi sërish në burg. Më 20 prill të vitit 1989, vëllai i tij, Agostino, atëherë në moshën 23 vjeç, u gjet i vrarë në makinën e tij. Françesko mendoi se vëllai i tij ishte i vrarë, duke bashkëpunuar më pas me Vinçenco Puçion për të rrëzuar Salvatore Rinën si bos të mafias siçiliane. Në vjeshtën e vitit 1989, një i besuar i Manoiës kontaktoi me njësinë antimafia në Romë, duke lënë mesazhin se ai dëshironte të dëshmonte. Pas negociatave në lidhje me sigurinë e jetës së tij, Manoia pranoi të fliste për gjykatësin Xhovani Falkone. Ai ndoqi gjurmët e Tomaso Busketës dhe Salvatore Kontornos, duke u bërë një informues, i besueshëm dhe inteligjent. Aktualisht, Manoia pranoi programin e Dëshmitari të Mbrojtur në Shtetet e Bashkuara (Italia nuk e kishte këtë program në atë kohë). Në SHBA ai dëshmoi kundër familjes “Gambino”. Manoia deklaroi se ish-bosi i tij, Stefano Bontade, kishte marrëdhënie të afërta me politikanët siçilianë, në veçanti me Salvo Limën, njeriu i ish-kryeministrit Xhulio Andreotit në Siçili. Në prill të vitit 1993, pas vrasjes së Limës dhe gjykatësve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino, ai dha dëshmi kundër Andreotit. Ai pretendoi se Andreoti ishte takuar me Stefano Bontaden në vitet 1970, duke dëshmuar për herë të parë kundër Ançelotit, si një bos i mafias. Sipas të dhënave, Manoia mori 600 mijë dollarë kur dha dëshminë e tij kundër Andreotit. Në atë kohë ai jetonte me 3000 dollarë amerikanë në muaj, plus pensionit të babait të tij, të paguar prej shtetit italian.
Përse hyra në mafia?
“Shumë besojnë se hyni në Koza Nostra për të bërë para. Kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. A e dini se përse hyra unë te Koza Nostra. Pasi më parë në Palermo unë isha Zoti Askush. Pas kësaj, të gjithë më respektonin. Dhe për mua kjo ishte më e vlefshme se paratë”.
Albania
13 Janar 2011
-
-
“Camorra”, shoqëria e “bukur” e mafias
(PJESA E PESTË) – “Camorra”. Një nga organizatat më kriminale mafioze në Itali. Aktualisht prania e saj ka një ndikim të dukshëm edhe në problemet social-ekonomike të Kampanias (me kryeqendër Napolin), një rajoni në Italinë qendrore e që për nga sipërfaqja (13 590 km2) është thuajse sa gjysma e Shqipërisë, por me një popullsi prej 5.9 milionë banorësh, rajoni i dytë më i populluar në Italio (pas Lombardisë, 9 milionë banorë), por në vend të parë përsa i përket dendësisë.
Sipas të dhënave të “Eurispes”, Camorra fiton 7.2 miliardë euro në vit nga trafiku i drogës, 2.5 miliardë nga riciklimi i parave të pista në aktivitete kriminale dhe nga ndërmarrjet e lidhura me krimin, 258 milionë euro nga prostitucioni, 2.1 miliardë nga trafiku i armëve, 362 milionë nga ushtrimi i dhunës dhe shantazheve. Një xhiro që në total shkon deri në 12 miliardë euro për familjet napolitane.
Në të kaluarën ka pasur shumë kontakte midis grupeve kamorristike dhe politikës lokale dhe kombëtare. Në fillim të viteve 1990, të penduarit Paskuale Galaso dhe Karmine Alfieri me deklaratat e tyre vendosën nën akuzë Antonio Gavën, një drejtues të Partisë Demokracioa Kristiana. Sipas prokurorit të Napolit, Xhovandomeniko Lepore, 30 për qind e politikanëve kanë lidhje me Camorra-n. Në provincën e Napolit kjo përqindje shkon më e lartë, pasi më shumë se 70 komuna nga 92 të tilla, te të zgjedhurit kanë pasur ndikim Camorra.
Camorra është aktualisht numëron mijëra anëtarë të ndarë në mbi 200 familje aktive në të gjithë rajonin e Kampanias. Sipas mediave italiane, gjurmë të saj janë të pranishme dhe në Holandë, Spanjë, Portugali, Rumani, Francë, Republika Dominikane, Brazil, Gjermani, Poloni, Rusi, e disa shtojnë dhe Shqipërinë.
Termi “camorra” i referohet një tipi të mentalitetit, që dallohet për prepotencë, besnikëri dhe bazohet kryesisht mbi forcën. Historia e saj, sipas disa studiuesve daton disa shekuj më parë, në të 13-in, në qytetin portual të Kaljarit.
Në vitin 1820, “Bella Societa Riformata” (Shoqëria e Bukur e Riformuar), u zyrtarizua duke u bashkuar në kishën Santa Katerina në Formela dhe Porto Kapuana. Kur në vitin 19861, Xhuzepe Garibaldi zbarkoi në Siçili, camorra përfitoi për të mbështetur Savojën kundër Borbonëve, dinastisë që mbretëronte në gadishullin italian. Kompensimi në politikën kamorriste u saldua nga ministri i brendshëm, Liborio Romano, i cili i la kontrollin e Napolit camorra-s në fazën e tranzicionit të mbretërisë.
Benito Musolini, diktatori fashist italian nga viti 1922, e nënvlerësoi fenomenin camorra, ndërkohë që i kishte hapur luftë mafies siçiliane. Në vitet 1970, në burgun e Poxhioreales, në të cilin ishte mbyllur për vrasje, Rafaele Kutolo, i mbiquajtur “Profesori”, një nga të paktët në burg që dinte të lexonte e të shkruante, inicioi dhe realizoi projektin e tij: ristrukturim e Camorra-s si një organizatë me hierarki në sensin mafioz, duke shfrytëzuar biznesin e ri të drogës, e duke krijuar kështu Nuova Camorra Organizzata (Organizata e Re Kamora).
Aktualisht grupet “camorra” janë shumë aktive në aktivitet ekonomike, por edhe në shfrytëzimin e emigracionit klandestin, prostitucionit, riciklimin e parave të pista, përdorimin dhe trafikun e drogës. Janë të shumta rastet kur klane të ndryshme brenda camorra-s, në luftë për të kontrolluar zona të caktuara, kanë provokuar shumë vdekje dhe viktima. Gjatë viteve 2004 dhe 2005, e ashtuquajtura “gjakmarrja” e Skampias, shpërtheu në një luftë të brendshme të klanit Di Lauro, kur disa anëtarë vendosën të merreshin vetë me shpërndarjen e drogës, për të qenë të pavarur nga klani Di Lauro dhe bosit të tij, Paolo Di Lauro.
Ky nuk ka qenë rasti i vetëm i përplasjeve të klaneve rivale, pasi një luftë tjetër midis vitit 2005 dhe 2006, midis klanit Miso dhe të besuarve të Salvatore Torinos, e që solli shumë të vdekur dhe të plagosur në harkun e dy muajve
Camorra është një organizatë shumë e organizuar dhe me klane që midis tyre bëjnë aleanca të fuqishme, apo aleancë midis familjeve me ndikim të madh, si karteli “Aleanca di Sekondoliano”, të përbërë nga familjet Liçiardi, Kontini, Prestieri, Boketi, Bosti, Malardo, Lo Russo Stabile dhe Di Lauro.
Camorra është e organizuar në mënyrë pulviskolare (pluhuri), me familje – besohet se janë 236 të tilla midis qyteteve dhe provincave, që bashkohen dhe ndahen me lehtësi të madhe. Kjo strukturë, karakteristike e Camorra-s, ka ndryshuar vetëm dy herë dhe vetëm përkohësisht: gjatë luftës midis Organizatës Kamora e Re (NCO) dhe Familja e Re (NF) dhe gjatë riorganizimit të mafies napoletane në “Nuova Mafia Campana”. (NMC).
Në të gjitha raste e tjera Camorra ka një strukturë hierakike vertikale e marrë si model nga Koza Nostra. Gjithsesi, shpesh urdhrat nga një kapo i vetëm kanë dështuar, pasi familjet kanë pasur tendencën të mos marrin urdhrat nga lart.
Camorra ka pasur marrëdhënie të shumta me Koza Nostrën dhe me elementë të spikatur të mafies siçiliane si Salvatore Rina dhe Leoluka Bagarela, por dhe me Ndrangetën dhe Sakra Unitën. Sipas burimeve italiane, Camorra ka lidhje edhe me mafien nigeriane dhe atë të kineze të quajtur Triad, e që kanë të bëjnë me falsifikimin e produkteve të markave italiane.
“Gomorra” e Roberto Savianos
Libri “Gomorra”, kushtuar mafies “Camorra” i gazetarit dhe shkrimtarit italian , Roberto Saviano (31 vjeç), është një ndër më të njohurit dhe për më tepër edhe i përkthyer dhe i botuar në Shqipëri. Në librin e tij, Saviano shkruan për kartelet kamoristike dhe denoncon shumë krime, ndërkohë që ai ka marrë kërcënime për vdekje. Saviano jeton nga 13 tetori i vitit 2006 nën mbrojtjen e një eskorte mbrojtje. Ai bashkëpunon me shumë gazeta të rëndësishme italiane dhe ndërkombëtare. Aktualisht në Itali bashkëpunon me “L'espresso” dhe “La Repubblica”, në Shtetet e Bashkuara me “Washington Post” dhe “Time”, në Spanjë me “El Pais”, në Gjermani me “Die Zeit” dhe “Der Spiegel”, në Suedi me “Expressen” dhe në Britaninë e Madhe me “Times”.
Filma të shumtë
Histori të camorra-s janë shndërruar në filma dhe serialë televizive, ku ndër më të njohurit janë “Skuadra” dhe “Skuadra e re”. Në kinema, filmi i parë daton në vitin 1948, “Kontrabandistët e detit” dhe prodhimet vazhdojnë deri te “Camorra” (1972), “Ligji i Camorra-s” (1973), apo dhe “Gomorra” (2008), i bazuar mbi romanin “Gomorra” të Roberto Savianos.
Xhankarlo Siani, gazetari i vrarë nga Camorra
Regjisori Marko Risi i kushtoi atij filmin “Fortpash”, bazuar në jetën e tij
Gazetari i “Il Mattino”, Xhankarlo Siani sapo kishte mbushur 26 vjeç (1959-1985), kur u dënua me vdekje, në Napoli, më 23 shtator të vitit 1985, nga klani Nuvoleta, duke e paguar me jetën e tij, çmimin për të shkruar dhe treguar të vërtetën mbi krimet e Camorra-s. Sipas mediave italiane, mbetet akoma enigmë vdekja e Sianit, një gazetari kurajoz, i cili humbi jetën e tij, në përpjekje për të zbuluar lidhjet perverse midis camorra-s, politikës dhe kriminalitetit. Ai nisi të shkruajë për revistën “Osservatorio” në lidhje me Camorra-n. Ai u vra përpara shtëpisë së tij. Xhankarlo lindi në një famije të borgjezisë napoletane. Bashkëpunonte me shumë periodike të Napolit, duke dëshmuar interesim për problemet sociale, por dhe për krimin e organizuar. Shkruante artikuj për “Osservatorio sulla camorra”, të drejtuar nga Amato Lamberti, të pasionuar mbi raportet dhe hierarkinë e familjeve kamorriste që kontrollonin qytetin e dhunshëm, Torre Annunciata dhe rrethinat, të konsideruar si qendër e trafikut të drogës, serbatori i vrasësve dhe shërbimeve të Camorra-s. , Më pas ai u bë një gazetar i lirë (freelance) për “Il Mattino”, gazeta kryesore e Napolit. Në atë kohë ai po investigonte një nga liderit e Camorra-s, Valentino Xhonta, bosit të klanit Xhonta, që kontrollonte kontrabandën e cigareve. Më 10 qershor të vitit 1985, tre muaj përpara se ai të vritej, Siani zbuloi se arrestimi i Valentino Xhontës ishte vendosur nga Lorenco Nuvoleta, kreu i klanit Nuvoleta, një rival të Xhontës. Siani ishte duke përgatitur një dosier mbi masakrën e Torre Anunciata, të ndodhur në gusht të vitit 1984, e që solli vrasjen e tetë personave dhe plagosjen e 24 të tjerëve të klanit Xhonta, aleat i klanit Nuvoleta në atë kohë. Pas kësaj masakre tensionet midis dy klaneve u rritën. Në vitin 2000, Anxhelo Nuvoleta, Valentino Xhonta dhe Luixhi Bakante u dënuan në mungesë me burgim të përjetshëm për urdhërimin e vrasjes së gazetarit, dhe po ashtu u ndëshkuan edhe realizuesit e vrasjes, Gaetano Jakolare, Ferdinando Kataldo, Armando Del Kore dhe Çiro Kapuçio. Në vitin 2009, fimi “Fortapasc” i bazuar në jetën e tij u realizua nga Marko Risi. Titulli ishte një referim i filmave klasik uestern të Xhon Fondës, “Fort Apash”, dhe shkeljeve të ligjeve nga Camorra në Napoli. Daniela Limonçeli, një gazetare kolege e Sianit, tregon për mbrëmjen e vrasjes: “Ishte një mbrëmje e qetë në gazetë, do të shkonim të gjithë për të parë një koncert të Vasko Rosit dhe Xhankarlo ishte duke kërkuar për të gjetur bileta. Duke mos ia dalë, u rikthye në shtëpi”. Gazetari Gofredo Buçini: “Xhankarlo ishte i gatshëm të bënte çfarëdolloj sakrifice për të bërë këtë zanat, por nuk e kisha menduar kurrë se ai do të shkonte në takimin drejt vdekjes”. Xhankarlo u vra në Napoli, me një pistoletë të zakonshme, mbrëmjen e 23 shtatori të vitit 1985, në prag të shtëpisë së tij, në lagjen rezidenciale të Vomeros, dhe sapo kishte mbushur 26 vjeç, vetëm katër ditë më parë. Atëherë, Camorra nuk e kishte zakon të vriste gazetarë. Xhankarlo Siani mbeti një mit në gazetarin italiane. Për të sqaruar motivet e vrasjes së tij u deshën 12 vjet hetime dhe 3 të penduar. Vrasësi i tij, Ferdinando Kataldo, më pas u pendua dhe u bë bashkëpunëtor i drejtësisë italiane.
Larje hesapesh midis klaneve
Larjet e hesapeve midis klaneve rivale kanë prodhuar shumë viktima: 71 vrasje në vitin 1979, 134 në vitin 1980, 193 në vitin 1981, 237 në vitin 1982, 238 në vitin 1983 dhe 114 në vitin 1984, këto shifra vetëm midis ashtuquajturve Organizatës Kamora e Re (NCO) dhe Familja e Re. Një nga larjet më të mëdha të hesapeve në vitet rundit është ajo midis klanit Miso dhe atyre të mbështetur nga Lo Ruso, e që soli më shumë se njëzet të vrarë në harkun e viteve 2005 dhe 2007.
VITI VDEKJET
1980 134
1981 193
1982 264
1983 204
1984 155
1985 155
1986 107
1987 127
1988 168
1989 228
1990 222
1991 223
1992 160
1993 120
1994 115
1995 148
1996 147
1997 130
1998 132
1999 91
2000 118
2001 80
2002 63
2003 83
2004 139
2005 90
2006 97
2007 109
2008 65
2009 70
DISA NGA VRASJET E BUJSHME
1981
1 prill – Aldo Semerari, 60 vjeç, kriminalogjist, psikiatër dhe diplomat karriere u vra me urdhër të Umberto Amaturos dhe Pupeta Mareskës.
1982
2 korrik – Salvatore Nuvoleta, një karabinier 20-vjeçar u vra nga klani Kazaleëzi, nën dyshimin se kishte marrë pjesë në hapjen e zjarrit në të cilin u vra Mario Skiavone, një anëtar i klanit Kazalezi.
1995
23 shtator – Xhankarlo Siani, 26 vjeç, një gazetar kronike i “Il Mattino”, gazeta kryesore e Napolit, u vra nga klani Nuvoleta për investigimin e tij rreth Camorra-s.
2002
18 shkurt – Federiko Del Prete, një biznesmen, u vra për kundërshtimin e taskës së mbrojtjes (“pizzo”), nga klani “La Torre” i Mondragones.
2004
21 nëntor – Xhelsomina Verde, një vajzë 22 vjeçare, u torturua dhe u vra në një përpjekjeje për të bërë zbulimin e vendndodhjes së ish-të dashurit të saj, anëtarë të Camorra-s.
27 mars – Analiza Durante, një vajzë 14-vjeçare, u vra në Forçela, një lagje e Napolit, gjatë një përplasjeje midis dy klaneve rivale të Camorra-s.
2008
2 maj – Umberto Bidonjeti u vra në Castel Volturno nga klani Kazalezi, si ndëshkim për bashkëpunimin e djalit të tij, Domeniko, me autoritetet.
16 maj – Domeniko Novielo, një biznesmen, u vra nga klani Kazalezi për refuzimin e pagimit të “pizzo”-s, të ashtuquajtur taksës së mbrojtjes.
Albania
17 Janar 2011
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 22-01-2011 më 11:06
-
-
“Unione Corse”, mafia që frymëzoi filmat e Xhejms Bondit
“Unione Corse” është një organizatë sekretë kriminale, që operon kryesisht në ishullin e Korsikës dhe rajonin e Marsejës në Francë. Ashtu si mafia siçiliane, ajo nuk ka synuar të tërheqë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara, duke mos pasur emrin famëkeq të organizatave të tjera.
“Unione Corse” është një emër i përgjithshëm i vendosur nga autoritetet franceze dhe amerikane gangsterëve korsikanë që organizuan “Lidhjen franceze”, tregtimin e heroinës midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara midis viteve 1950 dhe 1970.
“Unione Corse” është një organizatë më e fshehtë dhe më e fortës se Mafia, dhe njerëzit e ligjit e kanë pasur shumë më të vështirë për të nxjerrë informacione prej anëtarëve të saj, e që ndjek një kod të ngjashëm heshtjeje si Omerta Siçiliane. Një shembull tipik është rasti i Antuan Ranierit, i cili u arrestua në Nju Jork, në fillim të viteve 1960, duke pasur 247 mijë dollarë kesh nga një marrëveshje droge. Ai refuzoi t’i jepte policisë emrin e tij të real dhe se çfarë ai ishte duke bërë me paratë që ju sekuestruan. Ai u dënua me gjashtë muaj burg. Më pas ai u deportua në Francë, por nuk u gjet asnjë lidhje midis parave të tij dhe trafikut të drogës, kështu që qeveria u detyrua t’i paguajë atij shumën, përfshirë dhe interesat.
Ashtu si Mafia, “Unione Corse” është e ndarë në klane familjare. Në fillim të viteve 1950 ishin rreth 15 klane që operonin në Francë, dhe më famëkeqit ishin “Francisci”, “Orsini”, “Venturi” dhe “Guerini”.
“Unione Corse” ka shijuar një shkallë influence brenda qeverisë franceze dhe njerëzve të gjyqësorit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, organizata ishte përgjegjëse për vrasjen e simpatizantëve të njohur të gjermanëve në Marsejë në emër të Rezistencës Franceze, dhe kjo vazhdoi edhe në vitet e pasluftës.
Në vitin 1948, qeveria franceze i kërkoi ndihmë organizatës “Unione Corse” për t’i dhënë fund grevës së sindikatave në Marsejë, të cilat kishin mbështetjen e komunistëve vendas. Gangsterët provuan ta thyenin grevën me ndihmën e armëve, duke vrarë apo shantazhuar udhëheqësit e sindikatave.
Organizata gjithashtu menaxhoi infiltrimin e anëtarëve të saj në shumë agjenci qeveritare, si në polici apo shërbime të tjera Besohet se influenca e organizatës ishte dhe një nga faktorët kyçe pas ngurrimit të qeverisë për t’i dhënë fund aktivitetit të tyre kriminal.
“Unione Corse” është përfshirë masivisht në tregtimin e heroinës për një pjesë të madhe në shekullin e kaluar. Ajo është përfshirë në trafikun e drogës në Azinë Juglindore, dhe pas tërheqjes së francezëve nga Indokina në vitin 1954, gangsterët korsikanë shpërndanë drogën nga Laosin në Vietnamin e Jugut me avionë. Operacionet mbiquheshin “Air Opium”.
Aspekti më i famshëm i përfshirjes së “Unione Corse” në tregtinë e heroinës që ishte e bërë e famshme si “The French Connection". Midis viteve 1930 dhe 1970, ata tregtuan heroinën e pastër midis Marsejës dhe Nju Jorkut. Kooperimi ndërkombëtar midis agjencive të luftës kundër krimit çmontuan operacionin.
Disa nga emrat më të famshëm të këtij grupimi janë Antuan Guerini, Marsel Françiski, Dominik Venturi, Lusien Sarti.
“Unione Corse” është e pranishme edhe në letërsi, në romanin “Dita e çakallit”. Ajo është bërë e njohur edhe në një prej filmave të Xhejms Bondit, të bazuar në librin “Shërbimet sekrete të madhërisë së saj”. Në filmin “Gangsteri amerikan,”, korsikanët synojnë të vrasin Frenk Lukas dhe gruan e tij, të cilët u përpoqën për t’i nxjerrë ata jashtë monopolit të tregtisë së heroinës.
Shiape mori me vete sekretet e mafies korsikane
Fransua Shiape, kryemafiozi i frikshëm korsikan, që frymëzoi filmin e famshëm “The French Connection” në vitin 1971, vdiq vitin në prill të vitit 2009, në moshën 88 vjeç. I mbiquajtur “Marsel korsikani”, ai nisi krimet e tij në vitin 1947 me vjedhjen e një banke. Ai kishte lindur në një familje të varfër korsikane, i burgosur nga gjermanët në vitin 1940, në vitet 1950 ai u bë anëtar i organizatës terroriste, Organizata e Ushtrisë Sekrete, OAS, që luftonte kundër pavarësisë së Algjerisë nga Franca. Ai u or më pas me trafik droge, armësh dhe prostitucioni midis Marsejës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai mbërriti në Argjentinë në vitin 1965, si emigrant ilegal, por më pas u bë qytetar i saj derisa vdiq gati dy vjet më parë. Ai mori me vete sekretet e mafies korsikane.
Heroina, 50 milionë dollarë
Në shkurt të vitit 1972, një rreshteri të ushtrisë amerikane iu ofruan 96 mijë dollarë për të kaluar kontrabandë 109 kile heroinë me një vlerë prej 50 milionë dollarësh nga trafikantët francezë. Rreshteri i denoncoi ata te eprorët e tij, e që solli më pas arrestimin e pesë personave në Nju Jork dhe dy në Francë, si dhe kapjen e 120 kilogram heroine. Sasia rekord prej 425 kg heroinë u kap në Marsejë, më 29 shkurt të vitit 1972. Në vitin 1973 u kap një sasi prej 95 kilesh heroinë me në vlerë prej 38 milionë dollarësh.
Banda “Uno bianca”, mafia me Fiat të bardhë
Krerët e saj ishin tre vëllezër, dy prej tyre policë në Bolonja
“Banda della Uno Bianca” është organizata kriminale, e cila nga viti 1987 deri në vitin 1994, kreu sipas medieve italiane 103 aksione kriminale, duke sjellë vdekjen e 23 personave dhe plagosjen e 102 të tjerëve. Emri vjen nga tipi i automjetit që përdornin për aksionet kriminale: një “Fiat Uno”, përgjithësisht i bardhë, e që ishte një prej makinave më të njohura në atë kohë, e që solli shumë vështirësi për policinë për të individualizuar makinat që përdoreshin për të vjedhur.
Roberto Savi, së bashku edhe me vëllain e tij, Fabio, ishin të vetmit që kanë qenë të pranishëm në të gjitha aksionet kriminale. Roberto Savi në kohën e arrestimi iu gjetën një arsenal i vërtetë armësh, rregullisht të regjistruara, por që kishte dy pistoleta (Bereta dhe Remignton) dhe një automatik. Në fakt, shumë italianë zotëronin një pistoletë “Bereta AR 70/90” dhe ishte shumë e vështirë për të mbërritur te zotëruesi i vërtetë, e që ishte edhe në policinë e Bolonjës. Savi kishte dy armë të njëjtë, njërën që kontrollohej në polici, ndërkohë që tjetrën e kishte në shtëpi, derisa u zbulua marifeti. Ishte personi i parë i bandës që u arrestua, në mbrëmjen e 21 nëntorit të vitit 1994, ndërkohë që ndodhej në kuesturën e Bolonjës. Në çështjen “Uno Bianca” ishte përfshirë dhe gruaja e tij, por që nuk e kishte denoncuar kurrë të shoqin. Ajo e konsideroi të shoqin si një njeri të çuditshëm dhe agresiv, shumë të fshehtë, nuk frekuentonte shumë persona përveç vëllezërve të tij dhe kalonte shumë kohë për të luajtur me videolojëra. Fabio Savi, vëllai i Robertos, ishte dhe bashkëthemeluesi i bandës. Edhe ai kishte një karakter agresiv. Ai ishte i pranishëm në çdo aksion të bandës. U arrestua vetëm pak ditë pas të vëllait, ndërkohë që po tentonte të arratisej në Austri. Gjatë një interviste për emisionit e televizionit italian Rai Tre, “Histori të mallkuara”, ai rrëfeu se çdo gjë e kishte bërë për të fituar para. Emra të tjerë të bandës isin Alberto Savi, vëllai i vogël i Robertos dhe Fabios, edhe ky ishte polic, si Roberto; Pietro Xhuliota, Marino Okipinti, Luka Valiçeli (polic në momenti e arrestimit). Banda nisi krimet e saj në nga viti 1987 dhe aksioni i parë ishte vjedhja e një arke në Pezaro, në shumën e 1 milion e 300 mijë liretave italiane. Pas goditjes së parë, banda kreu 12 grabitje në harkun e dy muajve. Në vitin 1990, më 27 dhjetor, banda kreu vrasjen e dy personave në Bolonja, në dy episode të ndryshme dhune. Në vitet e mëpasshme, nisën edhe vrasje të tjera, përfshirë Lishi Ansalonin, titullare ushtrie, dhe Pietro Kapolungon, karabinier në pension, gjatë kësaj grabitjes, një grua pa Roberto Savin dhe furnizoi investiguesit me identikitin të tij, e që solli me pas edhe arrestimin e këtij të fundit pas katër vitesh, që pasuan me vrasje të shumta nga ana e bandës, nga dy policët, inspektori Baljoni dhe Kostanca. Më 3 nëntor 1994, Fabio Savi, bëri një hap të gabuar gjatë grabitjes së një banke, ku u pa nga inspektorët Baljoni dhe Kostanca në vendin e shoferit të një “Fiat Uno” të bardhë. Investiguesit krahasuan indentikitin me Savin, të cilën e arrestuan më pas. Më 23 tetor të vitit 2010, Alberto Savi bëri kërkesë të dilte pas 16 vitesh në burg.
(Kolonë)
GRUPET MAFIOZE
SAKRA KORONA UNITA
“Sakra Korona Unita” është bazuar në rajonin e Puljas, në Italinë jugore, por me ndikim dhe aktivitet në disa vend europiane, si Franca, Gjermania, Mali i Zi, Spanja, Belgjika. “Sakra Korona Unita” është e ndarë në 47 klane, autonome në zonat ku ato veprojnë. Sipas medieve italianë në organizatën mafioze bëjnë pjesë të paktën 1561 degë.
LA STIDA
“La Stida” (“ylli” në dialektin siçilian) është mega-organizata e pestë mafioze në Itali. Një grupim kriminal i përqendruar në provincat e Agrixhentos, Kaltanisetës, Enas dhe Raguzës, por dhe në zona më të vogla jugore të Siçilisë. Sipas disa vlerësimeve, efektivi numëron 5 mijë anëtarë, disa prej tyre të larguar nga Koza Nostra.
“MALA DEL BRENTA”
“Mala del Brenta” është organizata kriminale e bazuar në Italinë verilindore, në Veneto. Ka të njëjtën strukturë të bazuar mbi modelin e Koza Nostrës dhe Kamorrës dhe Ndragetën. Organizata u krijua në vitet 1960 dhe mbijetoi deri në vitet 1990, por që tani është e riorganizuar sërish, duke u mbiquajtur “Mala del Brenta e re”.
“NDRANGETA”
“Ndrangeta” konsiderohet si një nga organizatat më kriminale më të rrezikshme në Itali,, duke vepruar kryesisht në rajonin e Rexho Kalabrisë. Në Kalabri janë aktualisht rreth 155 klane lokale e që kanë në total rreth 6 mijë persona. Sipas raportit të “Eurispes”, në vitin 2008 ajo bëri një xhiro prej 44 miliardë eurosh.
“CAMORRA”
“Camorra” është një nga organizatat më kriminale mafioze në Itali. Aktualisht prania e saj ka një ndikim të dukshëm edhe në problemet social-ekonomike të Kampanias (me kryeqendër Napolin Sipas të dhënave të “Eurispes”, Camorra bën një xhiro që në total shkon deri në 12 miliardë euro për familjet napolitane.
Albania
18 Janar 2011
-
-
Mafia ruse, “oktapodi” inteligjent që po zapton Europën dhe botën
(Pjesa e shtatë)
"Russkaya Mafiya", apo mafia ruse, konsiderohet si një nga organizatat më të njohura në botë. Asaj i referohet një gjeografi ndikimi në shtetet që kanë përbërë ish-Bashkimin Sovjetik. Qysh nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ajo është bërë gjithmonë edhe më e fuqishme në Rusi dhe ka marrë përmasa ndërkombëtare. Ajo bën pjesë aktive në shoqërinë ruse. Kriminelët rusë janë ndërkombëtarisht aktivë në tregtinë ilegale të naftës, trafikimin e armëve dhe materialeve bërthamore, si dhe në pastrimin e parave.
Në mesin e viteve 1990, besohej se "Don" Semion Mogilevich ishte bërë “bosi i të gjithë bosëve” të shumë sindikatave mafioze ruse në të gjithë botën. Në dhjetor të vitit 2009, Timur Lakhonin, kreu Zyrës Kombëtare Ruse të Interpolit, deklaroi: “Sigurisht, që ka krime në të cilat janë përfshirë bashkatdhetarët tanë jashtë, por nuk ka të dhëna që flasin për një strukturë të organizuar të grupeve kriminale, përfshirë dhe rusët e që ekzistonin jashtë më parë”.
Krimi i organizuar rus ka ekzistuar në Rusi edhe në ditët e Carit dhe të Rusisë perandorake, por në formën e banditizmit dhe të vjedhjeve. Në periudhën e Bashkimin Sovjetik, “Vory v zakone” apo “vjedhësit e ligjit”, kishin ndërtuar një klasë kriminale, të cilët ishin të aftë të aplikonin një sistem burgimi të anëtarëve të tyre. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa të burgosur për krime arritën të bënin marrëveshje me qeverinë ruse të bashkoheshin me forcat e armatosura në këmbim të uljes së dënimeve të tyre. Gjatë kohës kur ekonomia sovjetike mori tatëpjetën, organizata kriminale “Vory v zakone” mori kontrollin e tregut të zi, dhe me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar, duke shitur produkte elektronike, të cilat ishin shumë të vështira të mbërrinin në duart e qytetarëve të zakonshëm sovjetikë.
Organizimi real kriminal në nisi kur Bashkimi Sovjetik nisi privatizimin në vitin 1988, duke lejuar tregtinë e lirë, por ligji nuk shkruante asgjë në lidhje me rregullimet dhe sigurinë e tregut ekonomik. Ish-agjentë të KGB-së, u bënë mafiozë natyralë. Huliganë, njerëz famëkeq u bashkuan duke formuar grupime mafioze, duke vrarë, vendosur bomba, rrëmbyer fëmijë.
Nga viti 1993, shumica e bankave në Rusi ishin të zotëruara nga mafia, ndërkohë që sipas disa vlerësimeve, 80 për qind e bizneseve ishin të detyruar të paguanin një taksë mbrojtëse të biznesit të tyre. Në këtë vit, 1400 persona u vranë në Moskë, ndërkohë që kriminelë vranë biznesmenët që nuk dëshironin t’i paguanin ata. Viktima mbetën dhe gazetarë, politikanë, pronarë bankash që kundërshtuan kriminelët. Klasa e re kriminele në Rusi mori gjithmonë e më shumë një profil të qartë mafioz, madje të strukturuar në këtë mënyrë.
Sam Vaknin, një gazetar dhe botues izraelit, pretendon se KGB u përfshi në krimin e organizuar dhe krimi rus u bë një krah i gjatë i KGB-së. Ai pretendon se KGB-ja shpesh rekrutoi dhe trajnoi kriminelë, duke u dhënë detyra speciale. Ish-agjentë dhe të tjerë aktivë u bashkuan ne gangsterë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shpesh duke i udhëhequr ata. Disa pretendojnë se agjentët, i përdorën rrjetet e kriminelët për qëllimet e tyre.
“Lubyanka Criminal Group”, një libër i shkruar nga Alexander Litvinenko flet për transformimin e Shërbimit të Sigurimit Rus në një organizatë kriminale dhe terroriste. Lybyanka është e njohur botërisht si selia qendrore e KGB-së. Në librin në fjalë, Litvinenko, pretendon se ish-presidenti rus, Vladimir Putin dhe oficerë të tjerë të lartë, të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, janë përfshirë në krimin e organizuar, përfshirë mbulimin e trafikut të drogës nga Afganistani.
Mafia ruse ka lidhje të ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare të tilla si Triada kineze, apo mafies siçiliane Koza Nostra, pro dhe me kartelet e drogës së Amerikës Latine për importimin e kokainës në Rusi. Vyacheslav "Yaponchik" Ivankov ishte i pari mafioz rus i ndjekur SHBA. Mafia ruse është e shtrirë në shumë vende të tjera, si në Izrael, Indi, Hungari, Spanjë, Afrikën e Jugut dhe Tajlandë.
SPAG, një kompani e themeluar në vitin 1992, dhe e dyshuar nga agjencitë policore europiane, dyshohet për trafikim ndërkombëtar të drogës dhe pastrim parash. Vladimir Putin ishte një nga këshilltarët e kompanisë nga viti 1992 deri në vitin 2000.
Janë disa grupe mafioze të njohura ruse, si “The Solntsevskaya bratva”, “Izmaylovskaya gang”, kjo e fundit konsiderohet si një nga grupet më të fuqishme në Rusi, dhe me prezencë edhe në Tel Aviv, Berlin, Paris, Toronto, Majemi dhe Nju Jork. U themelua në vitin 1980 dhe tani numëron rreth 200 anëtarë aktiv. Është e organizuar në modelin e një strukture ushtarake dhe ka një disiplinë të hekurt të grupit. Është përfshirë në vrasje, shantazhe dhe në biznese legjitime.
“Orekhovskaya gang” është një tjetër grup mafioz. Nga ana tjetër, edhe mafia çeçene është një nga grupet me të mëdha mafioze që operon në Rusi.
BBC-ja, në një shkrim të saj (1988), shkruante se influenca e mafies në Rusi ishte e frikshme, dhe disa e cilësojnë të tmerrshme. Në vitin 1994, sipas ministrit të brendshëm të asaj kohe, Mikhail Yegorov, numri i grupeve kriminale të organizuara në ish-Bashkimin Sovjetik, ishte rritur nga 785 në kohën e mbretërimit të Gorbaçovit në 5691 të tilla. Në vitin 1996 vlerësohej se ishin 8000 grupe. Në të njëjtin shkrim, citohet se mafia ruse kontrollon 40 për qind të bizneseve dhe 60 për qind të kompanive të kontrolluara nga shteti.
Mafia ruse nuk është një fenomen i ri, por rritja e saj e shpejtë dhe përdorimi i dhunës ekstreme është shqetësuese në gjithë botën. Qysh nga viti 1989, oktapodi mafioz rus shtriu tentakulat e tij përmes Europës dhe Amerikës. Vlerësohet se rreth 25 miliardë dollarë të papastër të parave ruse janë depozituar jashtë vendit, për t’u pastruar në bankat zvicerane, qipriote dhe të Lihtenshtejnit. Paratë ruse janë futur në ekonomitë e disa vendeve.
100 mijë dollarë për të vrarë shokun
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u zhvilluar gjyqi kundër Majkëll Mokovak, bashkëthemelues i kompanisë “Clearly Lasik”,i cili është akuzuar për “punësimin” e një mafiozi rus për të vrarë kolegun e tij Jozef King dhe ish-presidentin e kompanisë Brad Klok. Mokovak rrezikon 20 vjet burg. Sipas hetuesve, Mokovak dëshironte të paguante 100 mijë dollarë një vrasësi rus për të vrarë personat në fjalë.
(Kolonë)
GRUPET MAFIOZE
SAKRA KORONA UNITA
“Sakra Korona Unita” është bazuar në rajonin e Puljas, në Italinë jugore, por me ndikim dhe aktivitet në disa vend europiane, si Franca, Gjermania, Mali i Zi, Spanja, Belgjika. “Sakra Korona Unita” është e ndarë në 47 klane, autonome në zonat ku ato veprojnë. Sipas medieve italianë në organizatën mafioze bëjnë pjesë të paktën 1561 degë.
LA STIDA
“La Stida” (“ylli” në dialektin siçilian) është mega-organizata e pestë mafioze në Itali. Një grupim kriminal i përqendruar në provincat e Agrixhentos, Kaltanisetës, Enas dhe Raguzës, por dhe në zona më të vogla jugore të Siçilisë. Sipas disa vlerësimeve, efektivi numëron 5 mijë anëtarë, disa prej tyre të larguar nga Koza Nostra.
MALA DEL BRENTA
“Mala del Brenta” është organizata kriminale e bazuar në Italinë verilindore, në Veneto. Ka të njëjtën strukturë të bazuar mbi modelin e Koza Nostrës dhe Kamorrës dhe Ndragetën. Organizata u krijua në vitet 1960 dhe mbijetoi deri në vitet 1990, por që tani është e riorganizuar sërish, duke u mbiquajtur “Mala del Brenta e re”.
NDRANGETA
“Ndrangeta” konsiderohet si një nga organizatat më kriminale më të rrezikshme në Itali,, duke vepruar kryesisht në rajonin e Rexho Kalabrisë. Në Kalabri janë aktualisht rreth 155 klane lokale e që kanë në total rreth 6 mijë persona. Sipas raportit të “Eurispes”, në vitin 2008 ajo bëri një xhiro prej 44 miliardë eurosh.
CAMORRA
“Camorra” është një nga organizatat më kriminale mafioze në Itali. Aktualisht prania e saj ka një ndikim të dukshëm edhe në problemet social-ekonomike të Kampanias (me kryeqendër Napolin Sipas të dhënave të “Eurispes”, Camorra bën një xhiro që në total shkon deri në 12 miliardë euro për familjet napolitane.
Banda della Uno Bianca
“Banda della Uno Bianca” është organizata kriminale, e cila nga viti 1987 deri në vitin 1994, kreu sipas medieve italiane 103 aksione kriminale, duke sjellë vdekjen e 23 personave dhe plagosjen e 102 të tjerëve. Emri vjen nga tipi i automjetit që përdornin për aksionet kriminale: një “Fiat Uno” i bardhë.
UNIONE CORSE
“Unione Corse” është një organizatë sekretë kriminale, që operoi kryesisht në ishullin e Korsikës dhe rajonin e Marsejës në Francë. “Unione Corse” është një emër i përgjithshëm i vendosur nga autoritetet franceze dhe amerikane gangsterëve korsikanë që organizuan “French Connection”, tregtimin e heroinës midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara midis viteve 1950 dhe 1970.
Albania
19 Janar 2011
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt