
Postuar më parë nga
Edvin83
Pse dhe kush i ka "prishur" 3 skanerat e portit të Durrësit?
Gjergj Thanasi | 20/01/2011 |
Shekulli
Partnerët euro-atlantikë të Shqipërisë kanë kontribuar në mënyrë të veçantë për të rritur sigurinë e kufijve shqiptarë. Në këtë kuadër, Portit të Durrësit i është kushtuar rëndësi e veçantë, sepse është porti më i madh i vendit dhe i vetmi i aftë për trajtimin e transporteve multimodale e sidomos të kontejnerëve. Partnerët tanë në vite kanë investuar si në teknologji edhe në trajnimin e personelit për ta bërë sa më të sigurt portin si edhe sa më pak të "përshkueshëm"nga cargo e persona problematikë.
Anglezët kanë instaluar vite më parë skanerë mjaft efiçentë për detektimin e radioaktivitetit. Amerikanët disa herë kanë ndërmarrë kurse kualifikimi për personelin ligj zbatues shqiptar për detektimin e radioaktivitetit. Në janar të 2009-ës u organizua kursi i radhës për trajnimin e personelit ligj zbatues shqiptar për detektimin e radioaktivitetit.
Me fondet e doganave shqiptare është instaluar një skaner modern për kontrollin e bagazheve të dorës të pasagjerëve. Ky skaner rrit cilësinë dhe pakëson kohën e kontrollit të këtyre bagazheve.
Qeveria kineze i ka falur palës shqiptare një skaner mjaft modern për kontrollin e kontejnerëve dhe trajlerave (kamionëve).
Sot, të tëra këto aparatura të fuqishme moderne, për kontrollin e mallrave dhe të mjeteve të transportit, nuk përdoren më në Portin e Durrësit. Skaneri i kontrollit të bagazheve të pasagjerëve ka mbi një muaj, që është prishur dhe nuk funksionon.
Pasojë direkte është rënia e efiçencës së kontrolleve anti kontrabandë, anti drogë, anti terror. Me liberalizimin e vizave kemi rritje të fluksit të pasagjerëve në hyrje dhe dalje nga Shqipëria, pra rritet rëndësia e kontrolleve me aparatura të tilla moderne, si për rritje sigurie kontrolli edhe për pakësim kohe kontrolli.
Skanerët e radioaktivitetit në hyrjen e portit te Ura e Dajlanit janë jashtë funksionit,pra kemi rritje të mundësive të përdorimit të Portit të Durrësit për trafikimin, transitimin e materialeve radioaktive, apo dhe armëve të dëmtimit në masë Nëse dikush nga rrjetet e kontrabandës apo terrorit mendëson ta bëjë këtë.
Tashëm justifikimet alla Nano para El Baradeit apo të ndjerit Potter Goss, ish drejtorit të CIA-s, për mungesë aparaturash apo mos trajnim personeli nuk pinë më ujë. Aleatët tanë dhe jo vetëm, na kanë pajisur me aparatura dhe na i kanë trajnuar njerëzit, tashti keqbërësve tanë u mbetet vetëm t'i nxjerrin jashtë përdorimit këto aparatura.
Skaneri kinez gjithashtu nuk po përdoret më. Kjo neglizhencë çon drejtpërdrejt në rënien e efiçencës së kontrolleve antikontrabandë, apo së paku në harxhim kohe të pa nevojshme për të tilla kontrolle.
Në shikim të parë duket sikur mosfunksionimi i tre skanerëve në Portin e Durrësit është thjesht koincidencë.
Nuk është kështu. Kemi të bëjmë me veprime të qëllimshme për të mos penguar kontrabandën si edhe për të inkurajuar rrjetet terroriste për ta përdorur Portin e Durrësit si portë dalëse, pak të rrezikshme në drejtim të objektivave (targets) të rëndësishme perëndimore si p.sh, metropole perëndimore, baza ushtarake NATO apo edhe thjesht baza ushtarake amerikane, objekte kyçe të infrastrukturës etj.
Më së paku ky veprim është pabesi nga një qeveri e pa përgjegjshme dhe e etur për të holla ndaj aleatëve të saj të NATO-s dhe aleatit të saj strategjik, SHBA-së.
Moskontrollimi me skaner i kontejnerëve dhe trajlerave ka funksion si për të inkurajuar kontrabandën e mallrave, ashtu edhe për të komplementuar mungesën e skanerëve të radioaktivitetit d.m.th. për t'ua lehtësuar terroristëve transitimin e materialeve radioaktive nëpërmjet Portit të Durrësit drejt vendeve perëndimore aleatëve tanë.
Roli komplementues funksionon kështu: radioaktiviteti nuk detektohet në hyrje të Portit të Durrësit, njëkohësisht mungesa e skanerit të kontejnerëve dhe trajlerave nuk lejon të dallohen ambalazhet speciale të materialeve radioaktive pa e hapur mjetin e transportit, pa kryer kontrollin fizik të tij, d.m.th kontrabandistët apo terroristët kanë më shumë shans ta "kalojnë lumin pa u lagur".
Nxjerrja e mjeteve të kontrollit jashtë përdorimit ka precedent në Portin e Durrësit. Në kohën e Kryeministrit Nano qeni antidrogë i policisë së portit, kishte zbuluar disa ngarkesa droge. Një ditë prej ditësh qeni anti drogë u rrëzua nga tarraca e komandës së kufirit dhe ngordhi. U tha se qeni kishte pirë një shishe uiski të oficerëve të kufirit dhe i dehur ishte rrëzuar nga tarraca. Ky shpjegim zyrtar ishte përrallë me mbret, por përrallë, që pati si pasojë mos kapjen më të ngarkesave me drogë në Portin e Durrësit.
Me daljen jashtë funksionit të tre skanerëve në Portin e Durrësit me siguri kontrabandistët dhe terroristët po "bëjnë dasmë", njëlloj si drogaxhinjtë pas ngordhjes së qenit antidrogë në kohën e Qeverisë Nano. Besojmë se ky është edhe njëri nga shkaqet,që aleatët tanë në NATO na e nxjerrin Kryeministrin tonë jashtë nga mbledhja, kur trajtohen çështje sensitive. Populli jo më kot thotë që peshku qelbet nga koka.
Krijoni Kontakt