Rendi i ri botëror pas Luftës së Parë Botërore, ku kundërvënia ndaj agresionit do bazohej më tepër në gjykimin moral sesa në atë gjeopolitik, ishte fytyra e re e diplomacisë së udhëhequr nga idealizmi amerikan si dhe parapërgatitja për një luftë akoma më shkatërruese, që erdhi si pasojë e paaftësive për të mësuar nga leksionet e shkuara të historisë. Kishin kaluar pothuajse 23 vjet kur SHBA-të ishin në prag të Luftës së Dytë Botërore qysh nga periudha kur Presidenti Woodrow Wilson parashtroi qëllimet e luftës amerikane duke i paraqitur ato në formën e Katërmbëdhjetë Pikave. Me lindjen e krijesës amerikane të quajtur “Lidhja e Kombeve”, fatet në Europën e pasluftës do gërshetoheshin me iluzionin e paqes të pasqyruara më së miri në Traktatin e Versajës. Sipas studiuesve ishte pikërisht mospjesëmarrja e SHBA-ve në Traktatin e Versajës arsyeja e vërtetë e dështimit të këtij të fundit. Dështimi lidhej ngushtë me strukturën e tij.

Para luftës Gjermania kufizohej nga fqinjë të fuqishëm, si në Lindje dhe në Perëndim. Ajo nuk mund të zgjerohej në asnjërën anë pa nxitur më parë një fuqi me pozitë të fortë – Francën, Austro-Hungarinë dhe Rusinë. Me dobësimin e Francës, shpërbërjen e Austro-Hungarisë si dhe daljen nga skena politike të Rusisë së vjetër e gjendur në trazirat e revolucioneve, nuk kishte mundësi të rindërtohej më ekuilibri i vjetër i forcës që siguroi Kongresi i Vienës. Krijimi i Polonisë mes Gjermanisë dhe Rusisë e linte Francën të pambrojtur në një luftë të ardhshme sepse aleanca me Rusinë ishte e pamundur të arrihej pa shkelur më parë neutralitetin e Polonisë. Gjendja e një aleati në Lindje ishte një mision i pamundur për Francën dhe tentativat për të rivendosur një ekuilibër të ri force, pasi Rusia nuk mund ti bënte më presion Gjermanisë dhe Polonia mjaft e dobët nuk mund të luante rolin e Rusisë.

Ajo çka ndodhi më vonë me të ashtuquajturën klauzolë të fajit ndaj Gjermanisë si pjesë sanksionuese e Traktatit, ishin përçapjet e dëshpëruara për të vënë në jetë një rend të ri të bazuar tek një ekuilibër artificial force që ishte i destinuar të dështonte qysh në lindje. Nuk ishte çudi fuqizimi kulminant i Gjermanisë që i duhej të hidhte tej veç zinxhirët e Versajës dhe të shfrytëzonte më së miri pozitën e saj të re gjeopolitike. Realiteti i ri me një Gjermani humbëse por më të fortë gjeopolitikisht sesa para lufte, me një Francë fituese por të paaftë për të mbrojtur kufijtë e saj nga një armik i mundur, një SHBA të rikthyer përsëri në izolacionizëm dhe një Britani të Madhe hezituese do çonin në shkatërrimin e Traktatit të Versajës. Gabimet pas Luftës së Parë, do ti detyronin amerikanët të ishin pjesë dhe njëherë në “Koncertin” Europian.

Presidenti Roosvelt është i rrallë ndër presidentët amerikanë për sa i takon mendjemprehtësisë për të psikologjisur popullin amerikan. Ai e dinte mjaft mirë se vetëm një kërcënim ndaj sigurisë së tyre kombëtare do t’i motivonte amerikanët ta përkrahnin në gatishmërinë ushtarake. Por kjo rrugë do t’i çonte në luftë prandaj i bënte thirrje idealizmit të tyre, siç kishte bërë dhe Wilsoni. Sipas këndvështrimit të tij interesat e SHBA-ve kishin të bënin me nevojat e sigurimit të kontrollit të Atlantikut që kishte të njëjtin kuptim si Kanali Anglez për britanikët - prandaj si interes kombëtar jetik ai nuk duhej kontrolluar nga gjermanët, por për qëllimet e tij të luftës kërkonte një vizion të ri për një rend të ri botëror. Kështu termin ‘’ekuilibër të forcës’’ nuk e gjen në fjalimin e tij. Ai kërkon të kishte një bashkësi të pajtueshme me idealet demokratike dhe shoqërore të SHBA-ve, si garancia më e mirë për paqen.

Roosvelti veproi me shpejtësi për të kthyer kufirin psikologjik të amerikanëve në një monedhë mjaft të çmuar strategjike. Bashkëpunimi me britanikët në vigjilje të luftës, për marrëveshjen ushtarake detare ku i lihej Flotës Mbretërore liri veprimi për përqendrim forcash në Atlantik, ishte një lëvizje mjaft e lexueshme nga ana e Roosveltit që pasqyronte afërsinë e luftës së SHBA-ve. Me marrëveshjen e re SHBA-të përqendron pjesën dërrmuese të flotës së tyre në Pacifik – që nënkuptonte përgjegjësinë amerikane për mbrojtjen e zotërimeve britanike në Azi. Një marrëveshje e ngjashme me amerikano-britaniken ishte zgjidhja analoge e Britanisë së Madhe dhe Francës para Luftës së Parë që çoi përqendrimin e flotës franceze në Mesdhe dhe që shërbeu si argument për futjen e Britanisë në luftë në përkrahje të bregut atlantik francez.

Megjithëse izolacionistët që ndiqnin veprimet e Roosveltit ishin mjaft të shqetësuar. Në përgjigje të shpalljes së luftës ndaj Gjermanisë nga Britania e Madhe, Roosvelti nuk kishte si të vepronte ndryshe përpos drejtimit drejt Akteve të Neutralitetit. Por me shpejtimin e ndryshimit të legjislacionit u lejua blerja e armëve amerikane nga Britania e Madhe dhe Franca.

Fjalimin e tij e fillon me emërtimin ‘’moment i papreçedentë’’ ku nxjerr në pah imperfeksionin e Versajës, të dështuar nga naiviteti i kohës. Ai kërkon të ndërgjegjësojë Kongresin për rrezikun që i kanoset SHBA-ve nga lufta e re botërore. Frika e tij nuk është pa shkas: po të vërejmë hartën e re gjeopolitike të botës dhe synimin e heartland-it nga fuqitë e boshtit, do ta vendosnin SHBA-të në të njëjtin pozicion të izoluar siç ndodhej Franca e Kardinalit Richelieu e rrethuar nga territoret Habsburge. Kjo do ndodhte nëse Europa dhe Rusia pushtoheshin tërësisht - izolimi i Amerikës Veriore, gjithashtu edhe nga një Amerikë Latine që pësonte ngjyra kameleoni duke i dhënë sinjale pozitive fuqive të boshtit, ishte një realitet i afërt. Ishte pikërisht frika ndaj këtyre pasojave në rast qëndrimi besnik ndaj politikës izolacioniste që çuan SHBA-të drejt Luftës së Dytë Botërore.

Roosvelt flet qartë dhe rreth resurseve të katër kontinenteve, dhe rrezikut që i kanoset amerikanëve në rast sundimi të tyre nga fuqitë e boshtit. Pozicioni amerikan ishte tepër delikat përballë një realiteti të ri – një kundërshtari që kurrë më parë nuk kishte synuar dominimin e tërë botës. Por Roosvelt mbetet realist që asnjë rrezik nuk i kanoset amerikanëve nga ndonjë zbarkim i pamundur në kontinent, por rreziku kishte tjetër fytyrë. Prandaj ai është i ndërgjegjshëm që siguria dhe e ardhmja amerikane ndodhen dhe një herë përtej kufijve.

Metodat që Roosvelt ndjek janë disi të pazakonta dhe tepër të ndërlikuara. Por toleranca e sigurisë së SHBA-ve kishte shkuar në fund dhe një fitore e fuqive të boshtit do ta eliminonte atë.

Asnjë president tjetër amerikan, ndoshta me përjashtim të Abraham Lincoln nuk është dalluar kaq shumë në historinë e SHBA-ve. Roosvelti mori detyrën e presidentit në një kohë të pasigurisë së thellë kombëtare, kur besimi amerikan ishte tronditur nga Depresioni Madh. Kudo rreth tij, demokracitë ishin mjaft të lëkundura dhe qeveritë tiranike po fitonin terren si majtas dhe djathtas. Pasi riktheu shpresën brënda Amerikës, fati i imponoi dhe njëherë një presidenti amerikan detyrën e vështirë për të mbrojtur demokracinë në gjithë botën. Mbi të gjitha, ai gjeti tek filozofia e ndjekur nga Adolf Hitler, anatemën e të gjitha vlerave dhe virtyteve që SHBA-të kishin mbrojtur historikisht.

J.P

p.s Fjalimi i Franklin Delano Roosevelt 6/1/1941; http://public-domain-archive.com/spe...=eng&target=12