Në planet ekzistojnë plot 97 imitime të lagunës romantike
Nga Kanadaja në Brazil e nga Las Vegasi në Londër, të gjithë të mrekulluar pas "thesarit"
Në Londër gjendet Venecia e Vogël, në një zonë në jug të Maida Vale, ku bashkimi në një i dy kanaleve të mëdhenj, krijon një gërshetim të mrekullueshëm udhësh ujore, i pagëzuar me emrin e qytetit italian të doxhëve të mëdhenj nga poeti Robert Brouing, rreth gjysmës së viteve tetëqind. Gjatë javës së parë të marsit zhvillohet në Venecian e Vogël një garë piktoreske me barka. Hoteli i quajtur "Veneciani" (The Venetian) në Las Vegas, një prej më të mëdhenjve në të gjithë rruzullin, është rrethuar nga kopje të përsosura e identike të monumenteve veneciane: Pallati i Dukës, Ka-ja e Artë, kisha e Shën Markut, një urë si ajo e famshmja e Venecias, nën të cilën kalojnë automjetet. Në shtetin e Nju-Jorkut, fshati i vogël Venecia, i themeluar në vitin 1968, gjendet i zhytur në një peizazh rural, që nuk ka të krahasuar me atë të Venecias së vërtetë, por shtëpitë e vjetra koloniale janë ndërtuar sipas stilit arkitektonik të vilave, që përbëjnë qytetin e mrekullueshëm italian. Në Brazil, në vitin 1891, nga emigrantët venecianë u themelua "Nova Veneza": e ngritur në një zonë të virgjër pyjore, mes bananeve e palmave, mes specieve të rralla të orkideve e disa kafshëve po kaq unike. Sot numëron 12 mijë banorë dhe në sheshin qendror kushdo mund të vërejë të ekspozuar një gondolë të vërtetë të përbërë nga 280 pjesë.
Një manual i këndshëm, me titull "Welcome to Venice" (mirë se vini në Venecia), për herë të parë tregon të gjitha Veneciet e shpërndara në mbarë botën, ose më saktë imitimet që i janë bërë qytetit italian me këmbët në ujë. I promovuar, i përpiluar dhe i shpërndarë nga Konsorci, Venecia e Re, institucion ministror që kryen ndërhyrjet e duhura për ruajtjen e qytetit, manuali i krijuar nën kujdesin e gazetarit Guido Moltedo, përmbledh kontributin e disa autorëve njëherësh: gazetarja amerikane, Xhudit Stails, e revistës njujorkeze "The Villager", shkrimtari argjentinas Enrike Buti, gazetarja dhe eseistja Elza Maria das Nevas Fraga, shkrimtarët italianë Alesandro Karrera e Rita Çirezi, si dhe fotografi Karlo Benuçi.
Rezultati përfundimtar i gjithë kësaj pune, për shkak të përshkrimeve, kujtimeve dhe përfytyrimeve, është një portret jo i Venecias fizike, por i Venecias mendore, ose, më saktë, ideja e qytetit dhe e fragmenteve joshëse që e përbëjnë. Në total, në libër përmenden 97 Venecie të ndara si më poshtë: 32 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 22 në Brazil, 16 në Kolumbi, 6 në Meksikë, 4 në Nikaragua, 3 në Ekuador, Guatemala e Kosta Rika, 2 në Bolivi, El Salvador dhe Peru, 1 në Kanada. Gjendej edhe një në Australi, por e pati jetën të shkurtër.
Venecia artificiale më e njohur është ajo e Kosta Rikës, e themeluar gjatë fillimit të shekullit XIX, e ndërtuar nga Abot Kini, një poliglot që kishte vënë mënjanë pasuri përrallore falë tregtisë së duhanit, në një zonë kënetore jo larg nga Los Anxhelosi. Sot numëron 20 mijë banorë, është përfshirë në metropolin kalifornian dhe duhet shtuar se aty janë parë disa prej spektakleve muzikore më të famshme hollivudiane. Kini shkoi personalisht në Venecian e vërtetë, ku punësoi 36 gondolierë bashkë me gondolat e tyre, për t‘i marrë me vete në qytetin e tij, që aspak rastësisht u ripagëzua me nofkën "marrëzia e Kinit". Gjendeshin ura të stilit Venecian, madje edhe një mol. Por, gjatë kohës së depresionit të madh, pjesa më e madhe e kanaleve u mbushën nga dheu. E lënë në gjendje të braktisur, zona dukej pa shpresë, deri në çastin kur, falë qirave të ulëta e panoramës mbresëlënëse, gjatë viteve ‘60, poetë, artistë e muzikantë të brezit //////////bit gjetën aty parajsën e ëndërruar. Qenë pikërisht këta artistë të çartur, që bashkë me hipitë shpëtuan nga rrënimi dhe harresa njerëz si shkrimtari i librave të fantashkencës Rei Bredbëri apo muzikanti legjendar Xhim Morrison. Për këtë arsye, konsiderohet tashmë qyteti më "funky" i Amerikës, që më mirë përkthehet më ekscentriku.
Pas shumëfishimit të kopjeve të Venecias, sidomos në Shtetet e Bashkuara, qëndrojnë mendjet e personazheve vizionarë. Diçka e ngjashme me Kinin ishte Sheldon Gery Adelson, edhe ky një njeri që u ngrit nga hiçi e vuri mënjanë pasuri përrallore: sipas revistës "Forbes", ishte i pesti në listën e njerëzve më të pasur të rruzullit, i cili që në moshën 12-vjeçare zotëronte një kioskë për shitjen e gazetave. Në moshë të rritur i shkrepi ideja e ndërtimit të hotelit "The Venetian" në Las Vegas (3036 dhoma, 250 artistë të punësuar për ndërtimin e tij) me kopje të shkëlqyera të Pallatit të Dukëve, të Urës së Pëshpërimave e kështu me radhë. I deklaroi shtypit se kishte shpenzuar miliona dollarë për të kopjuar ndërtesat më të famshme të arkitekturës veneciane: "Duam të sjellim këtu luksin dhe dekadencën e pallateve veneciane". U impenjua maksimalisht edhe në planin historik, duke punësuar si konsulente historianen e njohur izraelite Dorit Raines. Donte të riprodhonte me përpikmëri gjithë madhështinë e Venecias. Por, ndërtesat e qytetit janë me moshë më shumë se 600-vjeçare dhe vështirë se sot mund të arrihet të riprodhohet efekti i kohës. Iu desh të mbështetej gjerësisht te përdorimi i poliuretanit.
Thuhet se një prej 36 gondolierëve të Abot Kinit, njëfarë Xhon Skarpa, lundroi për milje e milje të tëra për të arritur në një gji, ku ngriti një shërbim gondolash për turizëm, duke u bërë edhe ky i pasur falë traditës veneciane. Që nga viti 1983, ekziston Shoqëria e Gondolierëve Amerikanë, me qëllim promovimin e gondolave dhe të gondolierëve.
Ndërkaq, në të gjitha Veneciet e tjera është mundur të ruhen me besnikëri, sidomos ato elemente që e bëjnë kaq unik qytetin italian. Rasti më i çuditshëm është ai i Makaos në Kinë: më 28 gusht të vitit të shkuar u inaugurua një hotel gjigant, i cili është kopja e përpiktë e "Venecianit" të Las Vegasit. Kopja e një kopjeje. Mos ndoshta po nis prodhimi i Venecias në seri?
Gazeta Ndryshe
Krijoni Kontakt