Kryepiskopit Anastas me nje liber te ri "GJURMË NGA KËRKIMI I TRASHENDENTES"
Doli në qarkullim libri i Kryepiskopit Anastas
“GJURMË NGA KËRKIMI I TRASHENDENTES”
Parathënie
Kërkimi i Transhendentes, i “së Shenjtës”, i “së Hirshmes”, ka qenë prirje e njeriut që nga agimi i historisë deri më sot, si në shoqëritë primitive, ashtu edhe në ato të zhvilluara. Ky kërkim ka ndjekur monopate të ndryshme, që, shpesh, në vend që ta udhëhiqnin më lart, përfundonin në labirinte pa rrugëdalje. Shumë herë ai u bë objekt shfrytëzimi nga synime të shumëllojshme politike, ekonomike dhe shoqërore individësh e grupesh të ndryshme.
Megjithatë, përmes gjithë peripecive dhe sprovave, kjo përpjekje ruajti një vlerë e rëndësi të veçantë për shpirtin e njeriut dhe për ecurinë e gjinisë njerëzore në përgjithësi. Kërkimi dhe përvoja fetare konfirmojnë në mënyrë të patundur bindjen se, përfundimisht, njeriu thirret të tejkalojë vetveten.
Sot, përqasja e popujve të botës - me mjetet e informimit, artin, tregtinë, organizmat ndërkombëtarë - dhe ndërvarësia e përshpejtuar e tyre ngjallin një interesim të përgjithshëm për mënyrën e jetesës dhe idetë filozofike e fetare, që lulëzuan në qytetërime të tjera. Sado të përparojmë, kryesisht me anë të shkencës dhe teknologjisë, në një shoqëri globale me karakteristika të përbashkëta, shumëllojshmëria fetare dhe kulturore e njerëzimit nuk rresht së mbijetuari e së transformuari.
Kështu, interesimi për fe të tjera, që ndikojnë në jetën e miliona njerëzve që na rrethojnë rritet, ndërsa kërkesa për informim të saktë lidhur me çështje fetarologjike shtohet.
* * *
Ky libër nuk është një ngrehinë unike, e ndërtuar mbi bazën e një projekti arkitekturor për mbulimin sistematik të objektit njohës të Historisë së Feve. Është PËRMBLEDHJE studimesh për tema themelore të kësaj dege. I ngjan më tepër një fshati malor, të ndërtuar me intervale për të plotësuar nevoja konkrete. Shumica e teksteve janë shkruar mbi bazën e kërkesave specifike të një Enciklopedie (1984-1992), konkretisht të Enciklopedisë Didaktike Greke, të shtëpisë botuese “Ekdhotiki Athinon”.
Për arsye të destinacionit fillestar të tyre, mënyra e shkrimit dhe kuadri i shtjellimit të teksteve ishin të parapërcaktuara: hapësirë e kufizuar, hedhje në letër me objektivitet e të dhënave pa gjykime vlerësuese, thukëti - nganjëherë telegrafike - qartësi dhe thjeshtësi në formulim, pa referenca, me bibliografi të kufizuar; por njëkohësisht dhe sa më shumë plotësi në përmbledhjen dhe shfrytëzimin e përfundimeve të vlefshme të kërkimeve shkencore në nivel ndërkombëtar.
Katër studime, që botohen në pjesën IV dhe një Shtojcë, përbëjnë risi për probleme të veçanta fetarologjike dhe janë shkruar, sipas rastit, në mënyrën përkatëse. Dy tekste janë fragmente nga leksione universitare, ndërsa homelia “Të krishterët dhe myslimanët sot në Evropë” u mbajt në Akademinë e Athinës për një temë aktuale. Në Shtojcë, e quajta të nevojshme të deponoj një dëshmi personale teologjike lidhur me përqasjen e përvojës fetare të njerëzimit nga këndvështrimi Orthodhoks.
Për t’iu përgjigjur kërkesave të Katedrës (më vonë të Departamentit) së Historisë së Feve, në të cilën shërbeva në Universitetin e Athinës, nuk u kufizova thjesht në studimin e veprave fetarologjike, por synova në të njëjtën kohë të shfrytëzoja përvojën e udhëtimeve të ndryshme në shumë vende në të gjitha kontinentet, ku lulëzojnë besimet kryesore, si edhe takimin e drejtpërdrejtë personal me ithtarë dhe qendra adhurimi të besimeve të ndryshme. Disa fotografi domethënëse nga këto udhëtime shoqërojnë këtë vëllim me shenjën †A.J. dhe kohën e marrjes së tyre.
Kisha ndër mend të përpunoja më tej materialin shumë të pasur që kam grumbulluar me studimin shumëvjeçar të besimeve të ndryshme, dialogët ndërfetarë dhe udhëtimet e lartpërmendura kërkimore gjatë dyzet viteve të fundit, për hartimin e një përmbledhjeje të gjerë të Historisë së Feve. Por përgjegjësitë dhe detyrimet ekzigjente për riorganizimin dhe zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e ndërprenë këtë përpjekje. Megjithatë, si ndihmesë të vogël në kërkesën që ekziston për një përditësim të përgjegjshëm të faqeve kryesore të Historisë së Feve, e pashë të arsyeshme të përmbledh në një vëllim këto tekste me disa rishikime, kryesisht për shkaqe që lidhen me uniformitetin gjuhësor. Në fund të çdo studimi shënohet viti i botimit fillestar dhe jepet një bibliografi suplementare.
Grumbullimi dhe renditja e studimeve në fjalë nën titullin e përgjithshëm “Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes”, pavarësisht nga viti i botimit të parë, u bë në pjesët e mëposhtme: A) Tema hyrëse. B) Personalitete fetare udhëçelëse. C) Disa nga fetë që mbijetojnë. D) Tema të veçanta. E) Shtojcë.
* * *
Njohja e mirë e feve të tjera nuk përbën më luks gnoseologjik, por premisë për të perceptuar fenomenin e ndërlikuar fetar, drejtimet dhe format që mori kërkimi i Transhendentes, i Perëndisë, në rajone të ndryshme të globit. Po ashtu, për të përqasur bindjet, parimet dhe traditat, në të cilat janë themeluar jeta dhe qytetërimi i shumë popujve të tjerë dhe, në këtë mënyrë, t’i kuptojmë pak më shumë. Por edhe më gjerë, për të parë se çfarë ka ëndërruar dhe çfarë ka besuar njeriu në vazhdën e historisë, duke zgjeruar kështu konceptet tona për njerëzimin, të cilit organikisht i përkasim.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Kam Pasur Kenaqesine, Qe Ta Lexoj Kete Liber Te Mrekullueshem Te Shkruar Nga Imzot Anastasi. Nje Liber Qe Jep Nje Pershkrim Shume Te Qarte Mbi Besimet E Tjera Qe Ekzistoje Ne Bote. Ajo Qe Me Ka Mrekulluar Me Shume Eshte Aftesia E Kryepiskpoit Per Ti Trajtuar Keto Besime, Jo Si Ne Shpesh Mendojme Se I Njohim, Por Si Ato (besimet) E Njohin Dhe E Shprehin Veten E Tyre Dhe Mbi Te Gjitha Nje Studim I Bere Nga Kryepiskpi Ne Vete Terenin Ku Ato Besime Zhvillojne Aktivitetin E Tyre. Une Mendoj Se Per Te Gjithe Ne Qe Jetojme Ne Nje Shoqeri Globale, Ku Distancat Jane Shkurtuar Shume, Nevoja Per Te Te Njohur Te Tjeret Dhe Kulturat E Tyre Eshte Shume E Nevojshme, Them Me Bindje Te Plote Se Ky Liber I Kryepiskopit Anastas Eshte Nje Thesar Per Cdo Njeri.
Gjithashtu Me Dashamiresi Do Inkurajoja Cdo Njeri, Dhe Mbi Te Gjitha Co Te Ri Ose Te Re Qe Ta Lexonte, Sepse Do Te Shikonte Mrekulline E Besimt Ne Cdo Popull, Edhe Tek Ata Me Arkaiket.
Krijoni Kontakt