16-01-2011 15:02 CET Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka urdhëruar administratën komunale që të heqin nga përdorimi logon (shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, viti 1878) në dokumentet zyrtare të komunës. Ky urdhër i kryetarit është bërë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që e kishte shpallur antikushtetuese atë.
Kësisoj Komuna e Prizrenit mbetet pa logo nga nesër (e hëne) deri në një vendim të KK-së për ndryshimin e Nenit 7 të Statutit të Komunës përkatësisht miratimin e logos së re të komunës.
Burime të afërta me Komunën e Prizrenit i kanë thënë “Kohës Ditore” se një udhëzim të tillë kryetari Muja u ka dhënë drejtorive komunale në mbledhjen e fundit me drejtorët komunal.
“Kryetari u ka kërkuar drejtorëve në mbledhjen e fundit që të mos përdorin më logon e komunës në dokumente zyrtare, dhe të lëshojnë pa logo të gjitha dokumentet derisa Kuvendi Komunal të vendos për logon e re”, i ka thënë ky burim gazetës në kushte anonimiteti.
Ky burim madje ka bërë të ditur se vendimi i kryetarit Muja ishte marrë me 19 nëntor të vitit 2010, por nuk ishte bërë publike për të mos pasur konsekuenca në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ngase ka thënë se ka ekzistuar droja që partitë opozitare ta përdorin atë vendim për të sulmuar pushtetin lokal.
Me Urdhëresën Administrative, të nënshkruar nga i pari i Prizrenit, Ramadan Muja, që ishte mbajtur fshehtas për mese dy muaj, ndalohet përdorimi i logos ekzistuese në të veprimtarinë e organeve komunale.
Krijoni Kontakt