K O R R I E R I, 08/01/2011
Blerim Çela: Berisha na tradhëtoi
Metamorfoza e Partisë Demokratike, diçka e thënë ndër vite nga shumë ish figura të kësaj partie, është kthyer sërish në ditët tona pas denoncimit përmes një libri të Blerim Çelës, një ndër eksponentët e saj këto dy dekada.
Libri që titullohet “Deformimi i Partisë Demokratike”, pritet të çelë një tjetër debat për funksionimin e brendshëm të saj, duke u ndaluar veçanërisht tek kryetari i saj Sali Berisha.
“
Ka një vit që nuk mblidhet këshilli kombëtar i PD-së, i cili është pa kryesi, pa nënkryetar, pa sekretar dhe Berisha nuk shqetësohet sepse ai është partia, ai vendos, ai vulos, ai të ngre, ai të ulë, ai është pronari, ai është padroni. Na e punoi në kongresin e dytë të parties, ku nga dy mandate që ishte në statusin e PD-së kur ajo u themelua, që të zgjidhej kryetari i partisë, e bëri që kryetari të jetë i përjetshëm. Kongresi i 15 dhjetorit 2009 ishte kongresi i turpit me votimet ku u prenë shumë koka që ishin shtylla të demokracisë”, është shprehur Çela.
Ai tregon në këtë libër me fakte dhe dokumente metamorfozën e Partisë Demokratike në këto 20 vite. Historikun e përjashtimit të shumë prej figurave të njohura, por edhe historikun e votimeve të manipuluara brenda strukturave të PD-së.
“
Ajo që është kthyer në një pengesë të madhe për demokracinë e brendshme në parti, e cila është reflektuar edhe në pushtet, është monopolizimi i partisë dhe forumeve të saj nga kryetari i cili së bashku me një grup të vogël njerëzish në krye të saj, janë kthyer në padron të saj”, tha Çela.
Përse flet vetëm sot Blerim Çela e shpjegon në hyrje të librit. Largimi i tij nga Partia Demokratike është vetëm një arsye, sikurse ai vet thotë, këtë libër e shkroi për mijëra demokratë të zhgënjyer që u tradhëtuan nga Berisha, pa mundur dot t’i çjerrin maskën.
“
Akoma nuk është bërë dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare. As ligji i lustracionit. Këto nuk i bëri dhe as ka për t’i bërë Partia Socialiste. Kjo është përgjegjësi direkte e Sali Berishës, i cili e heq veten për të djathtë. Me kërcënime boshe, me fjalim të djathtë, të përçunduar, sepse të djathtët as nuk vrasin dhe as nuk presin, me politikë reale të majtë, që nga pronat që nuk kthehen dhe deri tek mostrajtimi i të përndjekurve politikë nuk mund të ecë mbarë PD-ja”, tha Çela.
Ai shton se demokratët duhet të mblidhen në një kongres për të miratuar një statut ku kryetari të mos zgjidhet më shumë se dy mandate.
Shumëkush ende mban mend seancën e jashtëzakonshme të marsit 1997 kur Blerim Çela ishte ndër të paktat figura që atëherë u ngrit me forcë në mbrojtje të Berishës dhe kundër SHBA-ve. Por që nga ajo kohë kanë kaluar 14 vite.
“
Kam qenë njeriu që e kam besuar dhe dashur më shumë se kushdo. Edhe në çastet më të vështira i kam qendruar pranë”, thotë Çela.
Krijoni Kontakt