12-01-2011
Revista prestigjioze londineze “The Economist” i hedh një vështrim situatës aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, duke vënë theksin te kompleksi industrial i “Trepçës”.

“The Economist” shkruan se ky kompleks industrial është shndërruar tashmë në një metaforë. Revista londineze në shkrimin e saj përmend raportin e Dick Martyt, por edhe shkeljet e vërejtura gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Më tej, “The Economist” thekson se Kosova po mbetet prapa, krahasuar me zhvillimin që po arrijnë vendet fqinje. Duke folur për kompleksin "Trepça", revista vlerëson se gjendja aktuale e këtij gjiganti të dikurshëm ekonomik, është një pasqyrë tragjike.

"Më shumë se një minierë, Trepça tani është një metaforë", pohon "The Economist". “Në vitet e ’70-ta, kompleksi i minierave të Trepçës kishte të punësuar 23.000 vetë. Dikur Trepça përbënte rreth 70 për qind të mineralit që nxirrej nga toka në gjithë ish-Jugosllavinë. Sot, kjo minierë është një gjigant i dërmuar në prag të kolapsit total”, shkruan revista londineze “The Economist”.