New York, 12 janar - Rrëfimi i kontrabandistit të armëve, Efraim Diveroli, i përfshirë në rastin e shpërthimit në Gërdec të Shqipërisë, në maj të vitit 2009, do të pasqyrohet në film nga një prej produksioneve më të famshme amerikane. “Paramount Pictures” tashmë ka nënshkruar marrëveshjen me aktorin e njohur hollivudian Will Smith dhe ekipin e Brett Ratner, për të realizuar dramën, e cila titullohet “Wheeler Dealers”. Sipas ueb faqes kinematografike amerikane “ogoly.com”, skenari i këtij filmi i është besuar Michael Lernerit, gazetar i pavarur, i cili për një kohë ka punuar edhe si korrespodent për “Newsweek”.
Sipas “ogoly.com”, filmi pasqyron një ngjarje të vërtetë në të cilën “një grup i njëzetecavjeçarëve ka nënshkruar një kontratë 300-milionëdollarëshe me Pentagonin për të blerë armatim të vjetër kinez që do t’i dërgoheshin për furnizim ushtrisë afgane”.
Në artikullin e shkruar nga Anna Breslaw, përmendet edhe emri i kontrabandistit Diveroli, rrëfimi i të cilit është baza e filmit.
“Një film i bazuar në një skandal në Capitol Hill tingëllon mbresëlënës. Në jetën e vërtetë kur kthehemi prapa në vitin 2007, kontrabandisti aktual Efraim Diveroli, (atëherë 21-vjeçar) ka shkuar në burg për katër vjet për shkak të kontrabandës me armë”, shkruan ogoly.com.
Efraim Diveroli, udhëheqës i kompanisë “AEY”, është duke vuajtur dënimin me burg pasi kishte hartuar dokumentacion të pavërtetë lidhur me furnizimin e forcave afgane të sigurisë për llogari të Pentagonit. Ai kishte pranuar se kishte bërë deklarata të rreme para Qeverisë amerikane lidhur me tenderin 300-milionëdollarësh, duke pohuar se kishte blerë municion për të furnizuar forcat afgane të sigurisë. Armë kishte blerë edhe nga shteti shqiptar.
Lidhur me rastin e Gërdecit, mediet në vitin 2009 kishin raportuar edhe për përfshirjen e familjes së kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Dëshmitari i shpërthimit në Gërdec, Kosta Trebicka, u kishte dorëzuar gazetarëve amerikanë regjistrimet e dhjetë telefonatave mes tij dhe biznesmenit amerikan Efraim Diveroli. Në ato incizime dëgjohej zëri i Diverolit, i cili për të justifikuar vendimin e ndërprerjes së bashkëpunimit me Trebickën (i cili deri atëherë kishte ambalazhuar fishekë që përmes AEY-së i janë dërguar ushtrisë afgane për llogari të Pentagonit), thoshte se nuk kishte zgjidhje tjetër. “Kjo është mafie më e madhe se unë, në mes është djali i kryeministrit”, kishte thënë ai.
Krijoni Kontakt