Dënimi i Diverolit dhe Shqipëria
NGA CURT ANDERSON “THE ASSOCIATED PRESS” | 05/01/2011
Një tregtar armësh riosh, kompania e të cilit mburrej dikur se kishte fituar një kontratë për municione prej 300 milionë dollarësh me Pentagonin, është dënuar të hënën me katër vite në një burg federal për shkak se tentuar të dërgojë miliona fishekë të ndaluar kinezë për forcat afgane që luftojnë përkrah trupave amerikane.
Gjykatësja e rrethit gjyqësor, Joan Lenard, dha sentencën për 25 vjeçarin Efraim Diveroli, i cili mund të dënohej edhe me pesë vite burg pas deklarimit fajtor për akuzën e mashtrimit.
Tre drejtues të tjerë të kompanisë AEY të Diverolit janë në pritje të vendimit.
Gjykatësja Lenard e vlerësoi Diverolin që kishte pranuar përgjegjësinë për krimin e kryer, por tha se ai meritonte një masë serioze në burg për shkak se skema e tij mund të kishte dëmtuar personelin ushtarak amerikan dhe aleatët e tyre afganë. Shumica e municionit ishte disa dekada i vjetër dhe mund të ishte joefektiv.
"Të marrësh pjesë në këtë mashtrim kur njerëzit po vendosin jetën e tyre në rrezik, kjo e bën këtë gjë të trishtë. Kjo bëhet për para," tha gjykatësja Lenard në sallën e tejmbushur me anëtarë të familjes së Diverolit dhe mbështetës të komunitetit të vogël e të lidhur ngushtë të hebrenjve në Miami Beach. Në sallë ishte edhe dy rabinë. "Zoti Diveroli mund të ketë qenë i zgjuar, por jo i mençur," tha Lenard.
Kurse vetë Diveroli tha se pasuria e papritur që kontrata i dha atij në një moshë ekstremisht të re dhe në "kohëra të mira" rezultoi të ishte e rreme. "Në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e vlefshme pas vuajtjeve që kam kaluar unë dhe familja ime si pasojë e veprimeve të mia," tha ai.
Lenard vendosi gjithashtu edhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh dhe urdhëroi Diverolin dhe bashkë të pandehurit që të paguajnë më shumë se 149 mijë dollarë si dëmshpërblim ndaj qeverisë.
Kontrata e Pentagonit me kompaninë AEY, e lidhur në vitin 2007, ndalon në mënyrë specifike municionet nga Kina komuniste. Por sipas dokumenteve të gjykatës, Diveroli e të tjerët vetëm sa i ripaketonin municionet- shumica fishekë 7.62 mm që përdoren për armët e sulmit si AK 47- duke i bërë që të dukeshin sikur ishin prodhuar në Shqipëri.
Mes qershorit dhe tetorit 2007, dokumentet e gjykatës tregojnë se rreth 90 milionë fishekë janë dërguar në Afganistan në 35 dërgesa të ndryshme. Për këto dërgesa, kompania AEY i ka marrë Pentagonit në formë pagese 10.3 milion dollarë.
Departamenti i Mbrojtjes i dha fund kontratës në maj të vitit 2008, ndërkohë që Diveroli e të tjerët ishin nën hetim federal- duke lidhur një kontratë të re me një firmë tjetër- kontratë që u ka kushtuar taksapaguesve rreth 40 mijë dollarë. Në këmbim të pranimit të fajësisë nga ana e Diverolit për akuzën për konspiracion, prokurorët i hoqën atij 84 akuza.
Por problemet ligjore nuk kanë mbaruar akoma për Diverolin. Ndërsa po pret vendimin për çështjen në Miami, Diveroli u arrestua në gusht në zonën e Orlandës nga Zyra për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe eksplozivët për shkak se ishte një ish- i dënuar që mbante armë.
Prokurorët thonë se në këtë rast, Diveroli po tentonte të lidhte një tjetër marrëveshje të madhe për furnizim me municione, pavarësisht se nuk kishte një licencë e se ishte dënuar në Miami.
Pas deklarimit fajtor për këtë çështje, Diveroli u urdhërua që të dorëzonte armët e tij, dy pistoleta dhe dy armë gjysmë-automatike, sipas dokumenteve të gjykatës.
Në një telefonatë të regjistruar në mënyrë sekrete nga agjentët, Diveroli i thoshte një agjenti të infiltruar që sillej si një blerës potencial armësh se ai synon të rikthehet sërish në atë aktivitet, pavarësisht problemeve ligjore.
"Nëse ke qenë njëherë tregtar armësh, sërish do jesh i tillë," citohet të ketë thënë Diveroli.
Sentenca për rastin e Orlandos pritet të jepet më 25 janar. Diveroli mund të marrë edhe dhjetë vite shtesë në burg, por ndoshta do ti japin më pak.
Krijoni Kontakt