-
Shqipëri: Viti 2010 në retrospektivë
-
-
Si perhere Shqiperia ne bisht te kavallit ndaj vendeve te tjera te ngjashme dhe progres kermilli.
Ka parpara nje mal me korigjime qe te quhet shtet.
-
-
“Demonët” e kohës me mandate"
“Demonët” e kohës me mandate"
2010-12-30
Aleksandër Çipa
Ku po e lëmë vitin 2010? Si po e shkelim pragun e kohshëm të Vitit të Ri 2011?
Një përgjigje e parë do të ishte: Pandryshueshmërish 2011-n po e nisim si një zgjatim të vitit politik 2010. Ndërsa në një metaforizim apo rregullim fraze, mund të shtonim, po e lëmë vitin e sapombyllur 2010, “shtatzënë” me krizë.
Është dhurata më e frikshme që politika i bën kohës së ardhme të një shoqërie. Është e frikshme, jo për arsyen e parë të krizës pa fund dhe pa kufizim kohor shtrirjeje, por për faktin se në përvojën e deritanishme të kohës së një mandati politik, edhe pozita, edhe opozita e kanë humbur sensin e përgjegjshmërisë ndaj kohës. Më shkurt e kanë shpërfillur nevojën e pasjes së sensit të masës për kohën. Në këtë shpërfillje po kalojnë pragun e një viti duke hyrë te tjetri, duke mos ndryshuar së pari, formën demoniake të shpërdorimit të kohës së një vendi, të një shoqërie e veçanërisht të individëve të kësaj shoqërie. Me këtë klasë politike dhe me këta krerë udhëheqësie, po hyjmë në mesin e dytë të moshës së ish-diktaturës komuniste. Në ditë dhe orë të tilla fundviti, biem në prehrin e një refleksioni të natyrshëm vetjak, ku shohim se në sipar të kohës që pruri prijësit e rinj të kohës sonë, ne ishim të rinjtë optimistë e romantikë dhe sot jemi “bijtë e lodhur” jo prej kohës së re që deshëm, por prej prijësve të vjetër të kohës së re. Kjo dialektikë në Shqipëri prizmohet keqas për arsyen e vetme se jemi bërë dëshmitarë të kohës së ndenjur dhe të politikanëve që korrin e korrin në “lëmin e kotësisë” kohën e popullit që i zgjedh, pa i vetëvotuar. Në këtë mënyrë, koha e mandateve të përcaktuara shndërrohet në një kohë pa krye dhe pa limit. Kjo zhbërje kohore shndërrohet në mentalitet dhe bindje gati demoniake. Vitet e qeverisjes së ardhme nuk konceptohen si kohë fizike, por si besim propagandistik. Kryeministri Berisha po flet për qeverisjen e tij që do të zgjasë edhe diku te 30 vjet të ardhme, sikundër kryetari i opozitës e ka zhytur në harresë të plotë kalendarin e qeverisjes së tij si kryebashkiak i Tiranës. Dy protagonistët antagonistë, po përdorin njëjtësisht logjikën e kohës për mandatet që posedojnë. Kjo është dialektika e stopuar politike e udhëheqësisë politike të këtij vendi. Në këtë dialektikë të mbetur po mbipeshohet stanjacioni dhe mavijosja e “ngërçit”. Një kohë që mbahet “shtatzënë” me sherr e konflikt, por nuk lind asgjë. Një paradoks apo monstër tipike shqiptare. Një kreaturë e shëmtuar tranzicioni, me përmbajtje demoniake dhe imazh kimerik. Kjo është koha e mandateve pa afate që po konsumojnë udhëheqësit tanë. Në këtë mënyrë, nisin një vit me urimin-mallkim dhe e mbyllin atë me mallkimin-urim. E vetmja dhuratë e mallkuar për shqiptarët e kësaj Shqipërie të lodhur dhe të parë në dy optika, është konflikti dhe mospajtueshmëria e dy korpuseve tona politike.
Kjo “dhuratë” është autoriale. Ajo po parathuhet, si e tillë për vitin 2011, prej vetë autorëve, pra nga dy protagonistët potencialë, përkatësisht Kryeministrit Berisha dhe kryeopozitarit Rama.
Koha e vitit të ri për vendin po shfaqet me një kalendar të paracaktuar, me më shumë dilema se sa shenja horoskopi.
Asnjeri prej dy udhëheqësve nuk u dha qytetarëve idenë për një projekt të afërt dhe real për vendin. Kryeministri, në oratorinë- monolog të 105 minutave para reporterëve, pa të drejtë pyetjeje, foli për pemëtarinë dhe fisnikërinë e ullirit, por më shumë u vetëndie në poltronin e kryeqeverisësit që ka edhe gjithëfuqinë e Kronosit.
Përballë tij, kreu i opozitës, Rama, rikonfirmoi vendosmërinë për beteja pa rezultat, të cilat janë i vetmi kalendar aksionesh për opozitën. Në këtë mënyrë, viti i ri po hyn duke qenë i eklipsuar prej imazhit të ndenjur të politikës përplasëse. Përbaltja dhe akuzat janë arma e vjetër që po shiten si dhuratë e vetme e këtij cikli të ri ditë-netësh të ardhme shqiptare. Një betejë për të mbetur në peizazhin e vjetër të politikës së tranzicionit. Askush nuk merr përsipër të ripërmendë faktin se kemi mbërritur në epilog të tranzicionit, pasi shumëkush e ndien se ky kapitull, i shpresuar si i fundit, paska edhe shumë e shumë kohë për t’u mbyllur. Projektet e përdorura si maska elektorale apo qoftë edhe si fasada elektorale, janë i vetmi mjet për të maskuar përgjegjësinë e “demonëve” tanë politikë. Janë fatkeqësisht “demonë” me mandate që po e mbajnë në këtë gjendje stanjacioni, kohën dhe skepticizmin e shqiptarëve.
Mes kohës së tyre dhe kohës së dëshirueshme europiane të shumicës së qytetarëve të vendit, ekziston diferencë dhe ndryshim i madh. Matanë demagogjisë së saj është koha reale që konsumon njerëzimin, por është edhe mosha që shënjohet në mënyrë të pazhbëshme te vetë politikanët që sensin e kohës e fitojnë vetëm në raportin shtëpiak dhe e humbasin rishtazi në pragdaljen e përditshme nga shtëpia.
-
-
-
-
Arritje dhe sfida - Shqipëria gjatë 2010

Tashmë pa viza - shqiptarët fiuan të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.Viti 2010, me dritëhijet e veta, do të mbetet një vit historik për Shqipërinë. Ai solli lëvizjen e lirë, pa viza të qytetarëve të Shqipërisë në Europë, një nga arritjet më të mëdha pas shembjes së regjimit komunist.
Festimet në Shqipëri për vendimin e shumëpritur të heqjes së vizave do të mbahen mend gjatë në kujtesën e brezave të sotëm. Për ata që rrëzuan regjimin komunist 20 vjet më parë, liria e lëvizjes është një nga arritjet thelbësore të rebelimit të tyre. Ndërsa për qeveritë e djathta dhe të majta, në rotacionin e tyre të pushtetit, lëvizja e lirë, përbën realizimin e një premtimi kostant, sa real aq edhe elektoral.
Kjo situatë solli edhe një atmosferë euforie dhe optimizmi, të krahasueshëm me atë të 20 viteve më parë, kur u shemb regjimi, që izoloi për gjysëm shekulli shqiptarët nga Europa dhe bota. Analisti i pavarur politik Aleksandër Çipa e karakterizon Shqipërinë e pas heqjes së vizave si “një ishull optimizmi”
Analisti i pavarur politik Aleksandër Çipa.“2010 për shqiptarët ishte viti që e shndërroi Shqipërinë, në një ishull të optimizmit politik” thotë Çipa.
Por ky optimizëm u shoqërua edhe me paralajmërime këmbëngulëse të BE-së, për të respektuar procedurat dhe afatet kohore që parashikon lëvizja e lirë, për të mos kërkuar punë dhe lejeqëndrimi në vendet e zonës Schengen ku qytetarët shqiptarë tanimë kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza.
Këto dy javë të fundit të dhjetorit, dëshmojnë që këto paralajmërime dhe fushata intensive e qevertisë së Tiranës, nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Për fat eksperienca e padëshëruar e vendeve të BE-së me Maqedoninë vitin e kaluar apo Bosnjë- Hercegovinën këtë vit, nuk është përsëritur me Shqipërinë, gjë që shënon padyshim një arritje të vitit që po mbyllet.
Autostrada Shqipëri - Kosovë. 2010- viti i infrastrukturës rrugore.
Duke vazhduar skanimin e vitit 2010 nga perceptimi qytetarit, ky vit do të mbahet mend edhe për lehtësitë e komunikacionit, që ai krijoi në të gjithë kapilarët kombëtarë të rrjetit rrugor. Këtu nuk është fjala vetëm për aksin e “Rrugës së Kombit” që lidh Shqipërinë me Kosovën.
”Është fjala edhe për mundësi të reja që viti 2010 krijoi për shkurtimin e distancave dhe hapësirave në dobi të shkëmbimit e mallrave, të njerëzve, kulturës, ideve në këto hapësira” - thotë Aleksandër Çipa.
Kriza e gjatë politike – refuzimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim Por këto arritje eklipsohen nga një krizë e gjatë, e paprecedente në gjithë vitet e gjata të tranzicionit postkomunist të Shqipërisë.
“Nuk gjendet në kalendarin e postkomunizmit të Shqipërisë një vit si 2010-a, ku klasa politike e shkatërroi jetën normale parlamentare. Ky vit i lë vitit që vjen krizën e mosmarrveshjes politike, ku pas dështimit të të gjitha përpjekjeve nga diplomacia ndërkombëtare dhe faktorët e brendshëm institucionalë kriza mbetet e hapur, që gjithë koston e mbartur nga stanjacioni i mosmarrveshjes politike do t'ia shkarkojë 2011-ës” - parashikon analisti politik Aleksandër Çipa.
Mosfunksionimi i Parlamentit gjatë vitit 2010, për shkak të krizës politike, është edhe arësyeja kryesore e refuzimit nga BE-ja të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Institucionet të politizuara dhe jo të pavarura
Kriza politike thelloi të metat, që shoqërojnë një demokraci vulnerabël.
“Politika shqiptare gjatë 2010-ës kishte shumë propagandë, patetizëm. Asnjëra nga forcat politike kundërshtare nuk u përball me forcën jetër, duke sjellë një alternativë të re. Sot ndodhemi në kuotat më kritike të politizimit të institucioneve dhe shkeljes së pavarësisë së tyre, të sanksionuar nga Kushtetuta” - mendon analisti Aleksandër Çipa.
Dritë në fund të tunelit?!
Por në fund të tunelit mund të ketë dritë. Faktorë të tjerë mund të bëhen lojtarë të rëndësishëm, për të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, bllokimi i reformave dhe demokracia jofunksionale. Kjo është shoqëria civile me mekanizmat e saj.
“Në 2011 është momenti, që të ndihet zëri i tretë - nëse maxhoranca dhe opozita konsiderohen dy zërat e parë - pra ai i shoqërisë civile dhe i institucioneve, që mund të quhen të tilla vetëm nëse respektojnë ligjin” - thotë Aleksandër Çipa.
Autore: Ani Ruci / Tiranë
Redaktoi: Eliana Xhani
DW
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt