Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    Djemtë e ballistit takohen pas 50 vjetësh, te shtëpia e vjetër.

    Xheladin Rexhepi
    Ndonëse i ndajnë mbiemrat dhe gjuhët që flasin, Mehmet Muhareviq dhe Qazim Hamza janë vëllezër, djem të Asllan Hamzës, alias Hasan Muhareviq, një ballisti të mirënjohur në anën e Ferizajt, i cili si rrallëkush, për 55 vjet arriti me sukses t’u fshihej “syve” të UDB-së komuniste.

    Rrëfimi u ngjason tragjedive të moçme shqiptare, të jetuara dhe të pashkruara, që do t’i lakmonte edhe Shekspiri, po të ishte gjallë.

    Rinjohja pas 55 vjetëve të vëllezërve, ishte sa trishtuese, aq edhe emocionale.

    Mehmeti kishte vënë për qejf në kokë qeleshe të bardhë si dëbora, ashtu si edhe vëllai Qazimi. Po flisnin në kroatisht, me ndonjë fjalë tek-tuk në shqipe, teksa po rrotullonin ca gurë themelesh të një shtëpie të vjetër dhe të braktisur prej kohësh, në fshatin Kashtanjevë të Malësisë së Sharrit, në kërkim të historisë së mynxyrshme, të shkruar me dhembje.

    Njeriu me dy identitete

    “Ishte janari plot furtunë i 45-tës, kur Asllan Hamza kishte dalë nga kjo derë e odës në Kashtanjevë, për t’u tretur pa gjurmë për dekada, pasi ishte vënë në ndjekje të çetave partizane-çetnike të Shterpcës”, shpalos kujtimet e frikshme Qazim Hamza, i mbetur herët jetim me dy vëllezër dhe një motër, të rritur për gazep, nën përkujdesjen e xhaxha Hasanit.

    Regjimi komunist e kishte shpallur si kriminel lufte, duke ia veshur disa vrasje në fshatrat e Shtërpcës, përderisa atje shërbente si “xhandar i Shypnisë”...

    Si njeri inteligjent që ishte, Asllani kishte shfrytëzuar mirësinë e dy dëshmitarëve, për t’u shkruar me identitet të ndryshuar në librin e gjendjes civile në Zaskok (pasi me herët këtu qe djegur libri i amzës), si Hasan Muhareviq.

    Kur shumica e bashkëluftëtarëve kishin mësyrë Greqinë dhe vende te tjera, Asllan Hamza kishte arritur të fshihej në Beograd, ku për një kohë punoi si konduktor autobusi, dhe më vonë si gatues ëmbëlsirash në Prilevicë të Vojvodinës.

    Atje do të martohet me një vajzë kroate, me të cilën lindi edhe djalin, Mehmetin. Pas vitit 1974, Asllani do të shpërngulet në vendlindjen e gruas, në Dugarezë afër Zagrebit.

    Familja e tij, e mbetur në Kosovë, pas 20 vjetësh (viti ‘65), e zhvendosur në Sherret të Ferizajt, kishte mësuar të vërtetën se ai ishte gjallë. Ai herë pas here kthehej në Ferizaj, i bërë “tebdil”si një mik shtëpie nga Maqedonia, i pahetuar nga askush.

    Me të plasur lufta në Kroaci, për Asllan Hamzën më nuk ka lajme. Ai tashmë kishte vdekur në Dugarezë të Kroacisë.

    Krejt këtë histori të babait po e mësonte Mehmeti, për here të parë, i kthyer tek rrënjët e ngrohta, të gjakut të vet.

    Rinjohja, sikur të ishte ëndërr...

    Mehmeti thotë se asnjëherë babai nuk i ka folur për valët e jetës. “Unë jam rritur në një vetmi të madhe. Gjithherë isha i huaj dhe i përbuzur për rrethin. Për faktin se ndaj shqiptarëve përherë është zhvilluar në Jugosllavi një propagandë e keqe”, thotë ai.

    “Më kujtohet babai im në Dugarezë, shoqërohej me furrtarë të Hasit. Ishte një Gjon Kajtazi. Kur bisedonin, edhe pse nuk dija shqip, ata më nxirrnin jashtë. Tash po e kuptoj pse”, tregon Mehmet Muhareviq, aktualisht i punësuar në një kompani transportuese në Karlovac të Kroacisë, vend për lirinë e të cilit kishte luftuar si ushtar vullnetar.

    Me të përfunduar lufta në Kosovë, një natë vere, Mehmetit i kishte cingërruar telefoni në shtëpi. Një zë nga Zvicra e kishte thirrur. Ishte Nysreti, djali i Qazimit, i cili përmes Kryqit të Kuq, me shumë mundime ia kishte gjetur adresën.

    Mehmeti kujtonte t’i kishte treguar babai se në Ferizaj të Kosovës kishte një motër dhe disa nipa. Andaj, e vërteta që mësoi se kishte edhe vëllezër, ishte diçka tepër e veçantë në jetë, që e la pa frymë.

    Ndërkohë, ai në aeroportin e Zagrebit kishte njohur Qazimin, vëllanë, që ishte nisur për Dugarezë, përderisa lotët ishin të papërmbajtshëm edhe pranë varrit të babait.

    “Isha sikur i humbur, pa njeri timin dhe befas u bëra me vëllezër dhe motra, me 70 të afërm që kishin dalë të më pritnin në Ferizaj. Të gjithë më shikonin dhe më flisnin... m’u bë sikur të isha në ëndërr. Kjo vetëm duhet përjetuar”, shprehet me emocion Mehmet Muhareviq.

    Ai kujton se sa herë që Asllani kthehej nga vizitat që sipas tij bënte te motra në Kosovë, mbyllej në një dhomë i vetëm, lëshonte gramafonin dhe dëgjonte pllakat që kishte sjellë me vete. “Ka qenë një Qamil i Vogël që këndonte”, tregon Mehmeti, ndërsa kujton disa nga vargjet e këngës, pa ditur kuptimin e tyre në shqipe: “Krisi pushka te mullini, qyqja motra e Sylejman Brahimit...”

    Në anën tjetër, Qazim Hamza i falet Zotit që i dha mundësinë të gjente dhe të njihte vëllanë, Mehmetin.

    “Dy vëllezërit tjerë, Zymeri dhe Qamili më kishin vdekur, ashtu si edhe nëna, dhe përnjëherë, gjeta vëllanë. Nuk di si të shprehem...”, thotë Qazimi përderisa fshin lotët.

    Edhe pse furtunat e jetës i kanë ndarë me qindra kilometra largësi, ata nuk kalon ditë pa folur në telefon. Çdo pushim vjetor e kalojnë bashkë, si në Ferizaj, ashtu edhe në Dugarezë e Zvicër, ku Qazimi jeton prej shumë vitesh me familje.

    Jeta ka ndarje, rinjohje, dhe përjetime tepër të dhembshme.

    Fatet ishin të tilla, fatkeqësisht, për shumë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë...
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •