Një skandal tipik ballkanik korrupsioni ka përfshirë rangje të larta politike në Malin e Zi. Kryetari i Bashkisë së Budvës, zëvendësi i tij dhe 8 bashkëpunëtorë të tyre, janë arrestuar dhe do të mbahen për 30 ditë në paraburgim, siç ka vendosur gjykata e Podgoricës. Kryetari i Bashkisë, Rajko Kuljaca, zëvendësi i tij dhe të arrestuarit e tjerë akuzohen për abuzim me detyrën, mashtrim dhe zhdukje të të paktën 11 milion eurove. Dy personazhet kryesore të këtij skandali, kryebashkiaku dhe zëvendësi i tij Dragan Maroviç, ky i fundit vëllai i zëvendëskryeministrit në detyrë Svjetozar Maroviç, një nga aleatët më të ngushtë të kryeministrit të dorëhequr Milo Gjykanoviç, cilësoheshin si të paprekshmit.
Historia e skandalit ka të bëjë me ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz. Ajo daton shumë vite më parë, kur këshilli bashkiak i Budvës nuk e përfshiu gadishullin e Zavalës në zonën e mbrojtur, me qëllim që t’ia kaloje atë një grupi investitorësh nga Rusia.
Këta të fundit kishin një plan ambicioz turistik, me ndërtimin e një kompleksi gjigand vilash luksoze, por që në praktikë dështoi, duke e lënë atë përgjysëm.
Dy vjet më parë, një iniciativë qytetare e quajtur MANS filloi hetimin e skandalit, që rezultoi me arrestimin e pushtetarëve lokalë. Të bie në sy fakti se këta persona janë arrestuar në vigjilje të Krishtlindjes, vetëm 3 ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Gjukanoviç.
Hetimi zyrtar që është inicuar dhe drejtohet nga Prokuroria e Përgjithshme e Malit të Zi është ende në faza fillestare dhe fijet e tij të çojnë deri në Moskë, por ende nuk dihet se sa është dëmi financiar i shkaktuar nga ky skandal. Të paktën përfaqësitë diplomatike në Podgoricë kane shprehur mbështetjen për organet e drejtësisë malazeze për rastin në fjalë.
Klan
Krijoni Kontakt