Ai u arrestua dje nga policia italiane me akuzën e vrasjes së Rajmonda Zefit, 30 vjeçe, duke u fajësuar edhe për fshehjen e kufomës së saj, për më se nëntë ditë. Policia ka pasur dyshime tek bashkëshorti i gruas shqiptare, që prej 3 janarit 2010, kur me katër ditë vonese, ai u paraqit në stacionin e karabinierisë dhe denoncoi "zhdukjen" e së shoqes. Hetuesit, fillimisht kishin sekuestruar makinën e çiftit, një Citroen, ndërsa dje gjatë një kontrolli, gjetën gjurmë gjaku në këtë automjet. Menjëherë ata u kthyen në banesën ku jetonte çifti në Viareggio. Kontrolli në shtëpinë, ku kishte jetuar gruaja shqiptare deri në natën e ndërrimit të viteve, zbuloi gjurmë të tjera gjaku në shkallë. Kaq mjaftoi që shtetasi Francesco Quinci të shoqërohej në polici, në orët e mbrëmjes. Ai iu nënshtrua seancave të gjata të marrjes në pyetje në kuesturë, ku fillimisht pranoi se ka pasur kontradikta me gruan. Italiani 36-vjeçar, pranoi më pas se ditën e ngjarjes, më 31 dhjetor, si pasojë e një konflikti, Rajmonda Zefi ka dashur të largohej nga shtëpia, duke i thënë të shoqit se nuk do të kthehej. "U përpoqa ta ndaloja, nuk e njoftova policinë, sepse e dija se ajo nuk do të bindej të qëndronte", ka thënë italiani i arrestuar për vrasjen. Kur është pyetur për gjurmët e gjakut në banesë, ai ka thënë se Rajmonda Zefi ishte rrëzuar, ndërsa ai po përpiqej ta mbante, kur 30-vjeçarja tentoi largimin nga banesa ku ndodheshin dhe dy fëmijët, njëri 3 dhe tjetri 8 vjeç. Por pasi i është thënë se ishin gjetur gjurmë gjaku edhe në makinë, i akuzuari ka shtangur. Ai ka pranuar se e kishte vrarë gruan e tij dhe kufomën e saj e kishte groposur në pyll, pasi i kishte djegur rrobat. Pas marrjes së dëshmisë nga autori i vrasjes, bazuar në përshkrimet e tij, policia ka gjetur trupin e pajetë të Rajmonda Zefit, dje në mëngjes në një pyll në komunën e Stazzema-s. Mjekët ligjorë kanë thënë se kufoma e gruas ishte hedhur nga një shkëmb, të paktën 20 metra i lartë, duke rënë në disa shkurre.
Viktima, ish-balerinë
Sipas hetuesve të policisë, gruaja shqiptare Rajmonda Zefi, ka pasur konflikte të vazhdueshme me të shoqin, për shkak se kohët e fundit ishte angazhuar në një kompani eventesh. Natën e Vitit të Ri, ajo ka pasur një telefonatë nga shokë dhe kolegë të saj, që i kanë kërkuar organizimin e një feste. Kjo telefonatë rreth orës 09:30, nuk është pritur mirë nga bashkëshorti, i cili ka nisur t'i kërkojë llogari së shoqes, duke hyrë në konfliktin që çoi më pas në vrasjen e saj.
Vrasësi festoi, pasi hodhi kufomën në pyll
Pas pranimit të krimit nga shtetasi italian Francesco Quinci, policia ka marrë në pyetje disa banorë të zonës. Dy fqinjë të çiftit, i kanë thënë policisë se kanë dëgjuar britmat e gruas brenda banesës, natën e krimit. Ndërkohë, siç ka pranuar edhe vetë i dyshuari, pasi kishte hedhur trupin në pyll, italiani 36-vjeçar kishte humbur rrugën në kthim edhe si pasojë e tronditjes. Ai kishte pyetur një banor të zonës aty pranë, për të gjetur rrugën e kthimit. Ky banor, i konfirmoi policisë, se më 31 dhjetor 2010, kishte takuar një person që e kishte pyetur për rrugën. Ndërkohë, siç ka dëshmuar në rrëfimin e tij dhënë në polici, shtetasi Francesco Quinci, ka thënë se pasi ishte kthyer në banesë, ai kishte festuar natën e ndërrimit të viteve krejt normalisht, për t'i thënë policisë tri ditë më pas, se "ishte tronditur nga largimi i gruas, me të cilën ishte shumë i lidhur". `PANORAMA`
Krijoni Kontakt