Opozita rezulton të ketë deputetët më të pasur. Sipas raportit të Lëvizjes MJAFT, tetë nga lista prej 10 deputetësh që kanë më shumë pasuri se 130 të tjerët, i përkasin Partisë Socialiste. Nëse rreshtojmë tek e majta edhe Metën dhe Prifti, ahere 10 pasunarët e Kuvendit janë të gjithë të majtë.
Listën e kryeson deputeti Tom Doshi, me rreth 3.082.004.354 lekë, dhe e mbyll zëvendëskryeministri Ilir Meta, me një total pasurie prej 44.382.302 lekë. Kështu, pas Doshit në listë vjen deputeti tjetër i PS-së, Ndue Kola, me 959.327.777 lekë, i ndjekur nga deputeti Fidel Ylli, me 933.884.134. Pas deputetit të PS-së për Beratin vjen socialisti Sadri Abazi, i ndjekur nga deputeti i qarkut të Durrësit, Hazir Gashi.
Në këtë pasqyrë te MJAFT vihet re se bashkëshortet apo bashkëshortët e ministrave të qeverisë “Berisha” gëzojnë një pasuri jo të vogël, që rrjedh nga pagat apo që kanë në disa llogari bankare. Informacioni i këtij raporti mbështetet, sipas Lëvizjes MJAFT, tek deklarimet personale të pasurive për vitet 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2008 dhe 2009, që deputetët kanë dorëzuar në ILDKP.
Kështu, vetë kryeministri Berisha ka deklaruar se merr një pagë 2.200.486 lekë, së cilës i shtohet dieta 3.040 euro, si dhe ajo për udhëtime jashtë vendit 1600 dollarë. Rreth 14 llogari bankare në emër të bashkëshortes, vajzës dhe djalit të kryeministrit figurojnë në tabelën e pasurisë që mban emrin e Berishës.
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha figuron si një ndër ministrat më të pasur, duke deklaruar veç pagës si ministër 495.000 lekë edhe tri apartamente, një në Qerret, me vlerë 40 mijë euro dhe dy apartamente të tjera me vlerë totale 267 mijë dollarë. Tetë piktura 6.500 euro, 9 ora dore 5.200 euro, 10 ora dore 4.500 euro, unazë me diamant 11.500 euro, servis porcelani 6.800 euro, si dhe troje 22.100 metra katrorë, figurojnë si pasuri të ministrit Basha.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta, i cili gjithashtu figuron të jetë një nga 10 deputetët më të pasur, veç pagës si deputet dhe zv/kryeministër gëzon edhe pasuri në emër të bashkëshortes së tij, tokë 500 metra katrorë “arë” dhe 200 metra katrorë truall me vlerë pesë milionë lekë, apartament, gjendje kesh 300 mijë euro, si dhe disa llogari bankare në emër po të bashkëshortes: 43.256 lekë, shtesa e llogarisë 40.000 lekë, si dhe llogari të tjera 1.388 euro, 2.5 milionë lekë, 150.000 euro dhe 2.160 dollarë amerikanë.
Ndërsa Spiro Ksera, Arben Imami dhe Myqerem Tafaj janë ministrat që e kanë shtuar më pak pasurinë gjatë vitit të fundit, sipas raportit “Unë Votoj” të Lëvizjes MJAFT. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt