Kushtetuta vë në sprovë "Vetëvendosjen"
Mbetët enigmë se si do të sillen deputetët e Lëvizjes "Vetëvendosje", në seancën konstituive të Parlamentit, kur duhet të bëjnë betimin e deputetit para simboleve shtetërore (himnit dhe flamurit). Një muaj më parë ata i kanë cilësuar simbolet shtetërore të kontrabanduara dhe kanë thënë se Lëvizja “Vetëvendosje” nuk i ka respektuar ato as jashtë institucioneve, e nuk do t'i respektojë as brenda tyre. Në rast se deputetët e kësaj lëvizjeje nuk e bëjnë betimin, në bazë të Kushtetutës, ata rrezikojnë ta humbin mandatin e deputetit
SARANDA XHEKAJ
Prishtinë, 28 janar 2011 - Një muaj më parë, pas përfundimit të votimeve të 12 -dhjetorit për Parlamentin e Kosovës, drejtues të Lëvizjes "Vetëvendosje" i kanë cilësuar himnin dhe flamurin e Kosovës, simbole të kontrabanduara.
Në pyetjen nëse do të marrin pjesë në seancën konstituive si deputetë të Kuvendit, dhe nëse do të betohen para këtyre simboleve, Erzen Vraniqi, zyrtar për informim i "Vetëvendosjes", kishte thënë se "Lëvizja 'Vetëvendosje' nuk i ka respektuar ato as jashtë institucioneve, e nuk do t'i respektojë as brenda".
"Këto simbole janë të imponuara, nuk bazohen në histori dhe vullnet të popullit, por në kompromise politike të dëmshme për Kosovën. Ne po hyjmë në institucione, jo për ta ndërruar veten, por për t'i ndërruar institucionet", kishte deklaruar Vraniqi.
Ndërsa një muaj më vonë, të premten, njëri nga liderët e kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, nuk ka dashur të flasë shumë lidhur me këtë temë.
Ai ka thënë se ende nuk kanë diskutuar se si do të veprojnë në seancën konstituive të Kuvendit, që pritet të mbahet brenda pak ditësh. Duke dashur të ikë nga përgjigjja në pyetje, ai ka thënë se janë duke u marrë me shkeljet e procesit zgjedhor.
"Akoma nuk e kemi marrë një vendim të tillë dhe nuk e kemi diskutuar", tha ai. Në insistimin e gazetës, nëse e kanë parasysh Kushtetutën e Kosovës, se nëse nuk do të bëjnë betimin, u merret e drejta e ushtrimit të mandatit të deputetit, ai është përgjigjur me nervozë: "Jo, nuk e kemi parasysh. Neve nuk na ka ardhur rendi akoma të flasim. Jemi duke u marrë me shkeljet e procesit zgjedhor".
Duke interpretuar Rregulloren e Kuvendit, sekretari i Parlamentit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se deputetët e bëjnë betimin në seancën e parë legjislative, por ata të cilët nuk janë aty, mund ta bëjnë në seancën e radhës. Por, ai nuk ka precizuar se sa kohë-seanca mund të kalojnë pa e bërë betimin deputetët. "Nuk mundem të paragjykoj, rregullorja është e qartë. Nëse nuk vjen në seancën e parë, e jep në seancën e radhës. Ne nuk merremi me deklarata, deputetët të cilët janë në seancë, e nënshkruajnë betimin, të tjerët do ta bëjnë në seancën e radhës", tha Krasniqi.
Analisti Mazllum Baraliu vlerëson se secili deputet i secilit subjekt politik duhet t'i respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Sipas tij, nëse ndonjë deputet apo grup deputetësh nuk e bën këtë, mund të ketë edhe pasoja nga aspekti i rishikimit të mandateve të deputetëve.
"Subjekti politik me aktin e paraqitjes, kandidimit për t'u certifikuar si subjekt politik, qoftë edhe si organizatë qytetare apo iniciativë qytetare, nënkupton që duhet të marrë përsipër të gjitha detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji në fuqi në Kosovë. E njëjta që vlen edhe për verifikim të mandateve, sepse bëhet verifikimi i mandateve në Kuvend dhe njëri nga kushtet është betimi si kusht ligjor i paraparë edhe me Kushtetutë", tha ai.
Çka thotë neni 70 i Kushtetutës (Mandati i Deputetëve)
1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.
2. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.
3.
Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse:
(1) nuk bën betimin;
(2) jep dorëheqjen;
(3) emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës;
(4) përfundon mandati i Kuvendit;
(5) mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit. Në raste të veçanta, Kuvendi i Kosovës mund të vendosë ndryshe;
(6) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim;
(7) ajo/ai vdes.
4. Vendet e liruara të deputetëve në Kuvend, plotësohen menjëherë, në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligjin.
Krijoni Kontakt