Universiteti i Mitrovicës akreditohet në Beograd
Publikuar: Sot, më 23 dhjetor 2010
Mitrovicë, 23 dhjetor - Ministria e Arsimit të Serbisë ka akredituar para pak ditësh të ashtuquajturin universitet serb, me seli në pjesën veriore të Mitrovicës.
Lajmi është konfirmuar nga i ashtuquajturi rektor i këtij universiteti Zdravko Vitosheviq.
Sipas tij, një leje e tillë për punë është marrë nga Ministria e Arsimit të Serbisë, pasi që Komisioni për akreditim ka verifikuar cilësinë e kapaciteteve të hapësirave, pajisjeve dhe kuadrit.
Në këtë mënyrë
ky universitet është bërë njëri prej shtatë universiteteve shtetërore në Serbi, që sipas komisionit për akreditim kanë lejen për punë. Ai shtoi se "universiteti" në veri zë vend në mes të listës së universiteteve të akredituara në Serbi.
Universiteti i Mitrovicës vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e Qeverisë serbe. Pakoja e Ahtisarit parasheh që ky universitet të jetë autonom, por statuti i tij të jetë konform legjislacionit qendror kosovar. Por, drejtues të këtij të ashtuquajturi universitet serb nuk pranojnë që zgjidhja e këtij problemi të ndodhë në kuadër të pakos së Ahtisarit.
marrë nga:
http://www.kohaditore.com/index.php?cid=1,22,44408
Krijoni Kontakt